Kanceri i qafës së mitrës, diagnostifikimi bëhet shumë vonë

Jo vetëm që është ulur mosha e prekjes nga kanceri i qafës së mitrës, por fatkeqësisht dhjetëra pacienti humbasin jetën çdo vit për shkak të zbulimit të sëmundjes në stadet më të rënduara ku trajtimi nuk ka më efekt. Sipas autoriteteve të shëndetit publik, gjithmonë e më shumë gra vdesin nga kanceri i qafës së mitrës në vendet në zhvillim, ku rezulton se mbi 85 për qind e vdekjeve ndodhin në këto vende. Kjo pasi në vendet e zhvilluara ka programe që u mundësojnë grave të bëjnë kontrollin, duke bërë që femra trupidëmtimet parakanceroze të identifikohen në faza kur mund të trajtohen lehtë. Ndërsa në vendet në zhvillim, ku bën pjesë edhe Shqipëria. mundësia e kufizuar për kontroll bën që sëmundja të identifikohet kur ka përparuar dhe janë shfaqur simptomat.

Përveç kësaj, mundësitë për trajtim në fazë të vonshme mund jenë të pakta, duke rezultuar në norma më të larta të vdekjes nga kanceri i qafës së mitrës.

Në kuadër të javës evropiane mbi parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, autoritetet shëndetësore apelojnë për kryerjen e ekzaminimeve që ndihmojnë në zbulimin e sëmundjes në stadin e parë ose të dytë, kohë në të cilin edhe trajtimet mund të jenë më të lehta dhe nuk shoqërohen me pasoja fatale për jetën e pacientes.

“Në Shqipëri vlerësimet tregojnë për rreth 120 raste të reja dhe rreth 50 vdekje çdo vit. Më shumë se gjysma e rasteve diagnostikohen në stadin e tretë dhe të katërt, kur trajtimi është shumë i shtrenjtë dhe shumë më pak efektiv. Shifrat janë shumë të vogla se sa ato të kancerit të gjirit, por ka dy elemente që e bëjnë kancerin e qafës së mitrës një problem prioritet dhe që duhet të marrë vëmendje maksimale siç janë mosha e re e shfaqjes së sëmundjes krahasuar me kanceret e tjerë dhe humbjet shumë të mëdha në terma të viteve të jetës së humbur. Ndërkohë që kosto efektiviteti i kapjes së hershme është shumë i favorshëm, më i favorshmi mes gjithë kacereve, pasi shmang pasojat fatale për jetën”, bëjnë me dije dy specialistët e ISHP-së, Alban Ylli dhe Lumturi Mërkuri.

Sipas tyre, kanceri formohet në qafën e mitrës. Ai është kanceri i dytë më i shpeshtë te gratë jo vetëm në vendin tonë, por në mbarë botën, me një shkallë të lartë vdekshmërie 52 për qind. Kanceri i qafës së mitrës përbën 7,5 për qind të të gjitha vdekjeve nga kanceri te femrat.

“Shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës është një lloj virusi i quajtur virusi i papilomës njerëzore ose HPV (Human Papiloma Virus). HPV-ja përhapet nëpërmjet kontakteve seksuale, por mund të transmetohet edhe gjatë seksit jopenetrues nëpërmjet kontaktit genital lëkurë me lëkurë. HPV-ja është një virus i cili pasi hyn në organizëm mund të mbetet aty i fshehur me vite pa dhënë asnjë shenjë sëmundjeje, por personat që e mbartin mbeten infektues për partnerët e tyre seksual. Ka shumë lloje të HPV-së, por shumica e tyre nuk shkaktojnë sëmundje dhe kalojnë në mënyrë spontane”, sqarojnë dy specialistët e ISHP-së.

Postime të ngjashme

Ethet e Nilit në Korçë, ISHP në terren pas konfirmimit të rastit të parë në Shqipëri. Hetime dhe depistim për parandalimin e infektimeve
Konfirmohet rasti i parë i Virusit të Nilit Perëndimor në Shqipëri
Shkoi te Spitali i Traumës se e kishte më afër, nëna lind të shëndetshëm foshnjën në Tiranë
VIDEO/ Çfarë është prediabeti?
Pas PPP-së, shteti tenderon dializën me kosto 43 % më të lartë se mesatarja e koncesionit  
Eklipsi diellor: Kujdes me sytë, ja si ta shikoni në mënyrë të sigurt
VIDEO/ Mjekja zbulon dy shtyllat kryesore për të rënë nga pesha
Raporti i KLSH nge alarmin: 43 barna të rimbursueshme janë hedhur në treg pa autorizim