Kanuni përballë Ligjit në të drejtën shqiptare

KANUNI

Kanuni ishte kodi i të drejtës zakonore në vendin tonë. Edhe pas konsolidimit të shtetit të të drejtës, ishte shumë e vështirë dhe ende hasen vështirësi për të mënjanuar Kanunet dhe për të respektuar ligjet dhe legjislacionin në fuqi (rastet e gjakmarrjes).

Për të krijuar një ide sa më të saktë në lidhje me marrëdhëniet pasurore në familje dhe të drejtat pronësore të grave sipas të drejtës zakonore, si fillim duhet të mbajmë parasysh strukturën familjare dhe pozitën juridike të femrës në të. Në krahinat ku vepronin normat e të drejtës zakonore shqiptare, celula bazë e shoqërisë ishte familja patriarkale. Familja patriarkale ishte një bashkësi njerëzish me lidhje gjaku në vijë të drejtë mashkullore ose të bashkuar në martesë. Brenda saj jetonin 2-3 breza. Kjo familje kishte një ekonomi të përbashkët dhe degët kryesore të saj ishin bujqësia dhe blegtoria. Burrat ishin bashkëpronar mbi pasurinë e familjes, ndërsa gratë nuk kishin pjesë në pasuri, pasi në derë të babës ato quheshin derë e huaj, ndërsa në derë të burrit ato ishin të ardhura dhe nuk sillnin pasuri me vete. Kështu, gratë ishin tërësisht të vendosura nën pushtetin ekonomik të burrave, duke minimizuar rolin ekonomik të tyre në familje tërësisht.

Prona, në të drejtën zakonore shqiptare ishte një e drejtë ekskluzive vetëm e meshkujve. Zotërimin e një pronësie e kishin vetëm burrat dhe si të tillë ata ia kalonin këtë pronësi vetëm djemve. Kanuni i Lekë Dukagjinit thotë se vetëm i zoti i shtëpisë ka të drejtë të shesë, të huajë apo të shkëmbejë sende më të tjerët.

Pas mbushjes së një moshe të caktuar, djemtë në pushkë kanë të drejtë të bëjnë disa transaksione të vogla pa nevojën e miratimit nga i ati, por vajzave nuk u jepet asnjë e drejtë. Kështu parashikohet në kanun për djemtë kur ndërkohë e vetmja pronë që mbart vajza është paja që merr kur martohet. Ndërsa në rastet kur gruaja që ishte zonjë shtëpie pa burrë në shtëpi dhe me djalë të vogël, nuk mund ta shiste, shndërrojnë tokën, pa iu rritur djali. Nëse ajo nuk kishte mashkull fare në shtëpi, nuk mundet ta shndërrojnë kurrë tokën. Në këndvështrimin e Kanunit vajzat dhe gratë  shiheshin si mall i shtëpisë, për të cilën burri ka paguar.

Gratë nuk merrnin pjesë në shitblerjen e pronës, ato kishin të drejta vetëm të zotëronin dhuratat e martesës si dhe të blinte sende të vogla me lejen e të zotit të shtëpisë.  Kështu pra vetëm burrat kishin të drejtë të kryenin veprime pronësie me tokat apo sendet që kishin, kjo për shkak se e drejta zakonore ua njihte vetëm atyre mundësinë për të pasur një pronë nën zotërim. Ndërsa grave nuk u njihej asnjë e drejtë disponimi apo tjetërsimi mbi pronën. Ato, derisa ta merrnin vendimin me pëlqimin e një burri të fisit, kishin zë të shurdhët në të drejtën pasurore.

LIGJI

Por situate me kalimin e viteve ndryshoi, fusha të caktuara të së drejtës pësuan progres. U konsolidua shteti i së drejtës dhe me ritme të ngadalta jetesa, të drejtat dhe liritë themelore fillimisht u hodhën në letër në mënyrë të barabartë, e më pas u zbatuan sit ë tilla. Normalisht që as e mira as e keqja nuk kanë fund kurrë, por vendi jonë bëri hapa seriozë në zhvillimin e të drejtës.

Sot , në ditët që po jetojmë, çdo njeri ka liritë dhe të drejtat e tij themelore të barabarta, të cilat garantohen në Kushtetutë. Respektimi i këtyre të drejtave, mundësojnë një jetë të denjë për individin. Mirëqenia e individit lidhet drejtë për së drejti me  respektimin e këtyre lirive, prandaj dhe shteti ka detyrimin të mundësoj maksimalisht lirinë dhe të drejtat themelore të qytetarëve të tij. Organet e pushtetit publik duhet të kontribuojnë në realizimin e tyre.

 Në nenin 15 pika 1 të Kushtetutës parashikohet:
Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik.

Në këtë kuadër, ‘e drejta për pronë’ është një e drejtë themelore po aq e rëndësishme, dhe e pandashme nga e drejta e jetës. Realiteti shqiptar tregon se në praktikë, kjo e drejtë nuk gjen zbatim të barabartë për burrat dhe gratë. Ndodh që të afërmit e tyre, familjarët ose autoritetet shtetërore u cenojnë këto të drejta. Madje, edhe vetë gratë, i mohojnë vetvetes të drejtat e tyre dhe nuk i kërkojnë ato. Prandaj, ndërgjegjësimi i tyre për të kërkuar të drejtat që u njeh ligji mbi pronën, mbetet një detyrë për të gjithë.

Çfarë është ‘e drejta pronësore’?

Është e drejta për të gëzuar dhe disponuar lirisht sendet, pronën që të përket, brenda kufijve të caktuar nga ligji”. Të gëzosh sendin apo pronën do të thotë ta përdorësh dhe ta shfrytëzosh vet atë, ose ta japësh në përdorim të të tjerëve. Prona mund t’u jepet të tjerëve me qira me qëllimin për të nxjerrë të ardhura, ose me huapërdorje.. Të disponosh pronën do të thotë që të kesh të drejtë të përcaktosh “fatin” e sendit/pasurisë. Pra nëse ju jeni pronare e një pasurie, keni të drejtë që të kryeni veprime juridike të ndryshme si shitje, shkëmbim, ta vendosni në hipotekë, madje mund të hiqni dorë nga një e drejtë që keni mbi të.

Si fitohen të drejtat pronësore?

Të drejtat pronësore fitohen përmes: dhurimeve, trashëgimisë, si dhe blerjes së pronës. Kodi Civil parashikon më gjerësisht mënyrat e fitimit të pronës. Të drejta pronësore 8 fitohen edhe për shkak të martesës. Pra, nëse jeni martuar dhe keni zgjedhur regjimin e “bashkësisë ligjore”, çdo pasuri e fituar gjatë martesës, nëse nuk është vetjake e bashkëshortit, bëhet pasuri e përbashkët, e juaja dhe e bashkëshortit. Kjo nuk ka të bëjë me faktin nëse punoni ose jo, keni marrë pjesë në lidhjen e kontratës ose jo. Në çdo rast, ju jeni bashkëpronare e kësaj pasurie.

Për pasuritë e paluajtshme që i fitoni gjatë martesës, kur nuk janë pronë vetjake e bashkëshortit, duhet të regjistroheni edhe ju si bashkëpronare. Por, shpesh, pavarësisht se një pasuri është fituar gjatë martesës, në zyrat e noterëve dhe zyrat e regjistrimit të pasurive, kontratat kanë blerës dhe pronar të vetëm bashkëshortin, prandaj prona regjistrohet vetëm në emër të tij. Ndërkohë, bashkëshortja, megjithëse është pronare për efekt të ligjit, nuk rezulton të jetë e regjistruar. Kjo ju pengon të ushtroni të drejtat tuaja që burojnë nga bashkëpronësia. Për më tepër, mund të ndodhë që, në rast të një konflikti të jeni të detyruara të kryeni procese gjyqësore për njohjen e bashkëpronësisë tuaj. Prandaj, ju mund të kërkoni të regjistroheni në çdo kohë. Kjo, është garantuar shprehimisht në ligj (neni 41 i ligjit “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”).

Neni 41

Regjistrimi i pasurive të paluajtshme në bashkëpronësi

  1. Aktet, që përmbajnë fitimin e pronësisë dhe të të drejtave të tjera reale mbi pasurinë e paluajtshme, të cilat u përkasin bashkërisht dy apo më shumë personave, regjistrohen në regjistrin e pasurive të paluajtshme, duke treguar identitetin dhe pjesët e secilit bashkëpronar, kur kjo është e mundshme.
  2. Nëse pasuria, objekt i kontratës së kalimit të pronësisë, realizuar në favor të personave fizikë, të cilët në regjistrin e gjendjes civile kanë statusin e të martuarit, është pasuri e fituar gjatë martesës, në përputhje me nenin 76 të Kodit të Familjes, regjistrimi në seksionin përkatës të kartelës së pasurisë bëhet në bashkëpronësi të të dy bashkëshortëve.

Ky material është plotësisht i financuar nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri – AWEN, nëpërmjet fondeve të Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Bashkëpunim – Sida.

AWEN dhe Sida nuk janë domosdoshmërisht dakord me opinionin e shprehur. Vetëm ‘Together for Life’ është përgjegjës për përmbajtjen.

 

Postime të ngjashme

8 fruta me përmbajtje të ulët sheqeri
Shpërthimi i Ebolas, OBSH shpall emergjencë globale
“Sterilizimi”/ Shtyhet gjyqi për ish-ministrin Ilir Beqaj, ja kur do të mbahet seanca e radhës
Asambleja e OBSH, ministrja Sala prezanton prioritetet e Shqipërisë në shëndetësi
'Çohu o dreq mos bëj si e sëmurë'/ Infermierja te Psikiatria keqtrajton pacientët, reagon QSUT: Rast i papranueshëm, janë marrë masa për punonjësen
Mashtronin njerëzit me ilaçe false për sëmundje të rënda, goditet rrjeti kriminal që operonte në 15 shtete të Europës
Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike