Kaos në Qendrat Shëndetësore, mjekët: Po punojmë jashtë kapaciteteve

Elona Tereziu, gazeta Shëndet + dhe Shëndeti Online

Në qendrat shëndetësore të kryeqytetit punohet jashtë të gjitha kapacieteteve, ndërkohë që mesatarja e vizitave për një mjek i kalon të 50-tat.

Një shifër të tillë e pohojnë vetë mjekët teksa ngrenë shqetësimin se në kushte normale dhe, sipas rregullores, kjo shifër duhet të ishte vetëm 15-20 vizita në ditë.

Specialitetet më problematike vazhdojnë të mbeten: kardiologjia, neurologjia, reumatologjia, endokrinologjia dhe okulistika, ndërkohë që fluksi është thuajse i njëjtë në të katër qendrat e specialiteteve, megjithëse të gjitha zgjidhjet “kërkohen” në Poliklinikën nr.3 (e njohur si Poliklinika Qendrore) duke shkaktuar një situatë kaotike në të gjithë sistemin shëndetësor.

E kontaktuar nga gazeta “Shëndet +”, drejtoresha e kësaj qendre, Valdete Malaj, tregon se po përballen me një situatë tejet të vështirë.

“Aktualisht mjekët e kësaj qendre kryejnë rreth 50 vizita në ditë, ndërkohë që mesatarja për një mjek specialist si rregull është 15 vizita në ditë”.

Ndërkohë që shpjegon dhe arsyet se përse shkaktohet ky kaos me vizitat dhe radhët në qendrat shëndetësore.

“Ne kemi marrëveshje me FSDKSH-në për ato shërbime që nuk mbulohen nga qendrat e tjera në momente të caktuara (një mjek me leje, një pajisje e prishur) kur shërbimi është i zbuluar, pacientët sillen këtu. Pra, bëhet fjalë vetëm për raste të veçanta. Por situata është e atillë ku në disa qendra me të cilat ne bashkëpunojmë, pajisjet qëndojnë gjatë gjithë kohës të prishura. Mua kjo më prish shumë punë, jo vetëm me ngarkesën e madhe që u ka kaluar mjekëve, por edhe me buxhetin. Çdo qendër shëndetësore merr një fond të caktuar përllogaritur me numrin e banorëve që mbulon”.

E pyetur nëse kanë marrë ndonjë masë lidhur me situatën, Malaj shprehet: ” Në specialitetet më problematike, ne kemi filluar që vizitat t’i bëjmë me planifikim, sigurisht jo me 15 në ditë, por të paktën 30, ndërkohë që shumë shpejt, (jemi në tratativa) planifikimi do të bëhet në mënyrë elektronike (me vendosjen e një bankomati) ku pacienti do të vijë dhe do ta rezervojë vetë vizitën e tij dhe pacientët që do të jenë përtej kapaciteteve, do të planifikohen për një ditë tjetër.’’

Sipas rregullores, një vizitë tek mjeku specialist (në varësi të specialitetit dhe rastit) zgjat mesatarisht 10-20 minuta, ndërkohë që një mjek punon 6 orë e gjysmë në ditë (390 minuta), kompensuar kjo me punën 6 ditore në javë.

Por nëse një mjek pret 50 vizita në 390 minuta punë, vihet gjithnjë në pikëpyetje cilësia. Sa cilësor është shërbimi që merr një nga 50 pacientët e qendrave shëndetësore të kryeqytetit kur koha që i kushtuar për një vizitë është jo më shumë se 7 minuta?!

qendra-shendetesore-radha-2 qendra-shendetesore-radha-3 qendrat-shendetesore-radha

Postime të ngjashme

Ndryshim në krye të QSUT-së, Evis Sala emëron Rudina Degjonin Drejtoreshë të Përgjithshme
Këmbët e ënjtura? Ja ushqimet që ndihmojnë dhe ato që duhet të shmangni
"Shet produkte të rrezikshme"- Komisioni Europian gjobit TEMU-në me 200 mln dollarë
8 fruta me përmbajtje të ulët sheqeri
Shpërthimi i Ebolas, OBSH shpall emergjencë globale
3 gjëra që duhet të bëni për të pasur lëkrë me shkëlqim
Zakonet që do t'ju "shpëtojnë" nga fryrja e barkut
5 mite dhe të vërteta rreth sëmundjeve venoze