Bisedoi: Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”
Rubena Moisiu është drejtuese e Spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni”. Aftësitë dhe përkushtimi për punën e mbajnë ende edhe sot në krye të një institucioni shumë të rëndësishëm për jetën. E kontaktuar nga “Shëndet+”, ajo pranon me kënaqësi të flasë për jetën e saj, vështirësitë në punë dhe të qenët grua vendimmarrëse.
Prej sa kohësh jeni në krye të maternitetit “Koço Gliozheni” dhe si ka qenë puna juaj gjatë kësaj kohe?
Unë drejtoj Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” prej pothuaj 13 vitesh. Natyrisht, përgjatë kohës kam pasur mbështetjen e ndihmësve më të afërt dhe kolegëve të mi. Tek ne punohet në ekip, prandaj edhe vështirësitë që dalin përgjatë punës janë më të kalueshme.
Drejtimi në sistemin tonë shëndetësor nuk është asnjëherë i lehtë, sepse edhe GDP për shëndetësinë është nga më të ulëtat në rajon, problem i cili ngre vështirësi financiare gjatë vitit.
Çfarë konsideroni arritje në këto vite pune?
Jemi përpjekur të gjithë si staf të mos ketë mangësi në furnizimin me medikamente, materiale mjekimi, ngrohje, ujë etj, të domosdoshmë këto për mirëfunksionimin e një spitali. Por është punuar edhe për përmirësimin e shërbimit ndaj pacientit, dhe për këtë kemi marrë shpesh falënderime nga pacientët.
Lindjet janë rreth 4500 në vit, por institucioni ofron edhe shërbime të tjera si 1500 operacioneë gjinekologjike, 236 ndërprerje vullnetare, 447 aborte spontane, rreth 12 000 vizita ambulatore etj. Të gjitha këto kanë koston e vet.
Ajo që na bën krenarë është që kemi ulur deri në 6,9 për mijë vdekshmërinë e bebeve përreth lindjes dhe kemi 0 vdekshmërinë amtare.
Keni pasur shumë vështirësi?
Sidomos fillimi ka qenë i vështirë, sepse më duhej të merresha me probleme jashtë profesionit tim, por me kalimin e kohës fillova të mësohem. Natyrisht, kjo më ka kushtuar shumë orë jashtë orarit të punës, kjo sepse unë nuk jam shkëputur nga mësimdhënia në Fakultetin e Mjekësisë, ku jap mësim që prej vitit 1992.
Kush janë më të devotshëm në punë, burrat apo gratë?
Siç e thashë, ne punojmë në grup, por unë besoj më shumë tek fakti që gratë janë më të devotshme në punë, më të përgjegjshme, nuk shpenzojnë shumë kohë kafeneve etj. Pikërisht për këtë arsye kam më shumë gra në drejtim të klinikave dhe në administratë. E thënë saktë, janë gra që drejtojnë klinikën e obstetrikës, klinikën e lehonave 1 dhe atë 2, anestezi reanimacioni, qendra e gruas, laboratori, financa, personeli dhe edukimi në vazhdim, prokurimet.
Mendoni se është e vështirë për një grua të bëjë karrierë?
Shoqëria shqiptare mbetet maskiliste dhe sidomos për të bërë karrierë për gratë mbetet sfidë e vështirë. Në këtë pikë meshkujt bëhen bllok dhe vështirë të çahet.
Po ju jap një shembull: në Fakultetin e Mjekësisë gratë përbëjnë përqindjen më të lartë ndër studentët, por ata që drejtojnë, shefat e shërbimeve, janë dukshëm më shumë burra, rreth 80%. Një grua paragjykohet në punë edhe për formën e vetullave, thua se aty varet aftësia për punë. Gjithashtu, një grua duhet të punojë 10% më shumë për të arritur atë që meshkujt e arrijnë më lehtë. Nga 10 drejtorë që ka pasur Materniteti ndër kohë, vetëm 2 kanë qenë gra.
Nuk mohohet dot edhe ndihma e dhënë nga burrat gjatë këtyre viteve në drejtim, sidomos e nëndrejtorëve të mi, të cilët kanë qenë edhe bashkëpunëtorët më të ngushtë. Por edhe pjesa tjetër e stafit gjithashtu ka qenë bashkëpunuese, megjithëse duhet të keni parasysh që më shumë se 80% e stafit në Maternitet përbëhet nga gra.
Cila është figura mashkullore më domethënëse për ju?
Figura mashkullore më domethënëse për mua ka qenë, është dhe do të jetë babai im, i cili edhe më ka mbështetur fort gjatë këtyrë viteve, edhe në momentet më të vështira më ka mësuar të mos dorëzohem, sepse më dëshirë e vullnët nuk ka gjë që nuk arrihet.
Po nga bashkëshorti çfarë mbështetje ju jepet?
Me bashkëshortin jemi shokë, miq dhe kolegë njëkohësisht. Kjo na ka bërë që të diskutojmë gjerësisht mbi të gjitha problemet që unë kam hasur dhe ka qenë edhe këshillues i mirë në shumë raste. Mbështetje e tij është shumë e çmuar në çdo aspekt, përfshirë këtu edhe oraret e zgjatura të punës.
Ju përkrahin burrat?
Jo gjithmonë gjej përkrahjen e duhur. Burrave nuk para u pëlqen të drejtohen nga gratë. Megjithëse mund të them që tanimë janë mësuar me këtë fakt për hir të viteve. Unë do t’i kërkoja botës mashkullore të mos na shohin vetëm si burim vezësh dhe fabrikë lindjeje, por të na shohin edhe aftësitë e tjera, të cilat për mua shumë gra i kanë më të spikatura se burrat, pavarësisht vlerësimit.
***
Fatmir Prifti: Gratë drejtuese, më pak të korruptuara
Bashkëshorti i Rubena Moisiut është gjithashtu mjek dhe punon në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë si anestezist. Për gazetën “Shëndet+” ai thotë:
“E quaj fat që unë dhe Rubena jemi të një profesioni. Profesioni i mjekut ka një problem, sidomos në fillimet e veta. Një mjek i mirë punon edhe jashtë orarit, ia detyron puna. Kur ishim të rinj, kur fëmijët tanë i pyesnin se çfarë ju punojnë prindërit, thonin: roje te spitali. Se kështu e kishin dëgjuar: “Jam sonte roje”. Dhe kjo “sonte” ishte kthyer në një rutinë për të dy. Ne e kemi kuptuar njëri-tjetrin.
“Gratë në poste drejtuese janë më pak të korruptuara, më të devotshme për të përmbushur detyrat”.





