Keida Ushtelenca: Suksesi i Stelës, meritë e stafit të kualifikuar

Keida Ushtelenca.

Bisedoi: Elona Tereziu

Kampionati Kombëtar i Notit për Fëmijë, i zhvilluar përgjatë kësaj jave në kompleksin e pishinave tek ”Aquadrom Tirana”, konfirmoi edhe njëherë se “Te Stela” është e vetmja akademi noti në Shqipëri që di të ”prodhojë” kampionë. Me numrin më të lartë të notarëve pjesëmarrës, 36 rekorde të thyera dhe dhjetëra vende të para, “Te Stela” rrëmbeu kupën e fitores edhe në këtë aktivitet.

Keida Ushtelenca, anëtare e bordit drejtues të Federatës Shqiptare të Notit, e lidh suksesin e kësaj akademie me stafin e kualifikuar dhe punën e palodhur që trajnerët bëjnë me këta fëmijë, për të arritur në këto rezultate. Gjithashtu ajo foli edhe për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Lojërat Olimpike  RIO 2016, duke e konsideruar si një sukses për Federatën e Notit, e cila këtë vit do të përfaqësohet nga dy notarë.

Si ishte pjesëmarrja e notarëve të vegjël në këtë aktivitet?

Niveli i pjesëmarrjes, por dhe rezultatet, ishin mjaft të kënaqshme. Morën pjesë rreth 130 fëmijë(50 vetëm të Stelës) nga 12 ekipeve të ndryshme (Tiranën, Teutën, Uillson, Nobis, Partizanin, Vlorën, Vllazni,  Saranda, TDS, Tradita Ana, Shoqata e Sporteve Ujore) të ndarë në tre kategori A, B dhe C për moshat 7-14 vjeç.

Një gjë që vlen për t’u përmendur është fakti se Federata e Notit ka dhe numrin më të lartë të fëmijëve dhe të rinjve, krahasuar me federatat e tjera, dhe ne jemi shumë të lumtur që ky numër sa vjen dhe shtohet. Një gjë të tillë e ka mundësuar edhe hapja e klubeve private, të cilat në një farë mënyre kanë kontribuar duke e kthyer sportin e notit në një ”trend”.

Nisur nga shifra e lartpërmendur, pse Stela përfaqësohet më kaq shumë notarë krahasuar me ekipet e tjera?

Po sepse “Te Stela” është e vetmja akademi noti private në Shqipëri e cila e zhvillon këtë sport në formën e shkollës. Ato kanë një staf shumë të kualifikuar. Ka trajnerë me eksperiencë si Sadik Mema. Ka vajza dhe djem të rinj, si Mario Koxhaku, Jani Kongjini, Xhuljana Islami etj, që punojnë fort me këta fëmijë dhe duhen vlerësuar, pasi falë tyre ekipi i Stelës rrëmben gjithmonë pjesën më të madhe të medaljeve.

Gjithashtu të pasurit dy pishina dimërore me të gjitha parametrat ndërkombëtare, për sa i përket përmasave, sigurisë dhe higjienës, e bën të jetë një nga ekipet më të lakmuara nga prindërit për fëmijët e tyre.

Kampionat_Stela

Zhvillimet më të fundit nga Federata?

Muajin që kaloi kemi çuar 18 sportistë dhe 4 trajnerë në Itali, të cilët falë bashkëpunimit me Federatën Italiane janë stërvitur dhe trajnuar  për një periudhë 10 ditore  në Qendrën Olimpike të Romës. Kjo është diçka shumë e rëndësishme për t’u thënë, pasi jo çdo federatë ka mundësi të çojë sportistë dhe trajnerë për t’u stërvitur jashtë. Këta sportistë i kemi përzgjedhur në bazë të rezultateve dhe jemi munduar të kemi një gjithëpërfshirje të ekipeve dhe qyteteve.

Aktualisht po përgatitemi për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike që do të mbahen në Rio de Janeiro, nga data 5-21 gusht 2016. Në këtë aktivitet, ku marrim pjesë për herë të dytë, do të përfaqësohemi nga dy notarë, Sidni Hoxha dhe Nikol Merizaj, dy sportistë të rinj dhe shumë të talentuar, që duhen përgëzuar për rezultatet e dhëna dhe punën e palodhur.

Federata të tjera që do çojnë sportistë janë atletika dhe peshëngritja, kështu që në ndihemi shumë të lumtur që Noti do të përfaqësohet në evenimentin më të madh sportiv RIO 2016.

Një mesazh?

Do të doja që prindërit t’i angazhonin fëmijët sa më shumë me aktivitete sportive, sidomos në sportin e notit. Nuk e them këtë sepse unë jam pjesë e Federatës, por sepse vërtet noti është një ndër sportet më të bukura. Është shumë i rëndësishëm si për shëndetin fizik ashtu edhe atë mendor.

Angazhimi me një sport i mban fëmijët larg jetës sedentare, mbipeshës dhe obezitetit. Fëmijë të tillë bëhen më të fortë dhe më të shëndetshëm, gjithashtu edhe më social, pasi të qenit pjesë e një kolektivi i mëson të respektojnë njëri-tjetrin, të jenë bashkëpunues dhe më tolerant.

Por edhe kushton ama. Edhe sot, këta kampionë po garojnë në një ambient të marrë me qira nga federata.

Nuk e mohoj këtë. Kjo vjen si pasojë e mungesës së pishinave, të cilat në Shqipëri numërohen me gishta. Absolutisht edhe ne nuk do të donim të ishim në këtë situatë, pasi kjo është diçka që nuk e favorizon sportin e notit, por fondet janë mjaft të limituara. Me këtë rast, në emër të Federatës, do u bëja një lutje Qeverisë në mënyrë që edhe Federata të ketë një pishinë. Këta fëmijë e kampionë meritojnë shumë më tepër se kaq./ https://shendeti.com.al/

Për çdo interesim në lidhje me këtë artikull apo personat e përfshirë, ju lutemi të kontaktoni “Te Stela Sport Center” në 067 20 333 10 , sport-estetike@testela.al ose në Facebook: “Te Stela”

 

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Cilat ushqime ndihmojnë shëndetin e syve?
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Angjinarja: Perimi i pranverës që forcon kockat dhe zemrën