Kërkohet kontroll më i ashpër për të parandaluar humbjen e jetës së minatorëve

Shoqata “Together for Life”, përmes njoftimeve në media është njohur me dy ngjarje me pasoja të rënda të ndodhura në dt. 13 dhe dt. 14 Prill  2018, në minierat e Klosit dhe të Bulqizës, ku humbën jetën minatorët me inicialet P.M. dhe A. Sh. Bëhet e ditur se, këto dy ngjarje kanë ndodhur për shkak të përdorimit të lëndëve plasëse gjatë procesit të nxjerrjes së mineraleve, ndërsa Policia e Shtetit po heton mbi shkaqet dhe personat përgjegjës.

Humbja e jetëve të minatorëve që sigurojnë jetesën përmes punësimit në minierat e kromit është kthyer në një fenomen që dekadat e fundit ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra punonjësve, duke rënduar edhe më tepër gjendjen sociale dhe ekonomike të familjarëve të viktimave.

Mbrojtja e jetës së shtetasve, pavarësisht pozitës apo punës së tyre, garantohet në nenin 21 të Kushtetutës dhe në nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në mënyrë të posaçme, Ligji nr. 135/2016, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë, emergjencat dhe shpëtimin në veprimtarinë minerare dhe në punimet  nëntokësore në veprat hidroenergjetike” garanton sigurinë e jetës dhe mbrojtjen e shëndetit të punëmarrësve e të personave të tjerë, që kryejnë punë në veprimtarinë minerare.

Subjektet private të pajisura me leje shfrytëzimi minerare kanë detyrim ligjor[1] të marrin masat e nevojshme për të siguruar e garantuar sistemin dhe pajisjet e sinjalizimit, për çdo vend pune që paraqet rrezik për jetën e shëndetin e punëmarrësve, që punimet të zhvillohen në përputhje të plotë me projektet teknike dhe pasaportat teknologjike, për të plotësuar kërkesat e parashikuara në rregulloret e sigurimit teknik e të mbrojtjes në punë, të marrin masat e nevojshme që punimet në miniera, pajisjet dhe lënda plasëse të mirëmbahen në një nivel të tillë që të plotësojnë kërkesat e sigurisë në punë, si dhe të informojnë dhe formojnë punëmarrësit me njohuritë e duhura për rreziqet që përmban përdorimi i tyre.

Në mënyrë të veçantë, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, kur vlerëson prezencë të rreziqeve serioze për jetën e punëmarrësve, shkelje të rënda të ligjit e të rregullave teknike për sigurinë dhe shëndetin në punë ka kompetenca ligjore të vendosë sanksione me gjobë ose të pezullojë tërësisht ose pjesërisht veprimtarinë prodhuese të subjektit privat.

Me qëllim parandalimin e ngjarjeve të ngjashme që prekin një të drejtë themelore siç është e drejta për të jetuar dhe për të siguruar që këto veprimtari zhvillohen duke respektuar rregullat e sigurisë në punë, Shoqata “Together for Life” i bën thirrje organeve shtetërore përgjegjëse, si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera që, në përputhje me përgjegjësitë e tyre ligjore, të ushtrojnë kontrolle të thelluara dhe efikase si dhe të penalizojnë sipas ligjit, çdo subjekt që kryen shkelje të këtyre rregullave.

[1] Nenet 9-12, 18 e vijues, të Ligjit nr. 135/2016

 

Postime të ngjashme

Vdes në moshën 97-vjeçare James Watson, shkencëtari që zbuloi ADN dhe deshifroi kodin e jetës
3 gjëra që i ndodhin trupit tuaj nëse hiqni dorë nga sheqeri
“Kam takuar pacientët e Onkologjikut pa zhurmë dhe media” – Ministrja e Shëndetësisë: Është rialokuar fond 200 mln lekë për barnat
Indeksim vjetor të pagave, Rama: Në shëndetësi do nisë edhe llogaritja e vjetërsisë në punë
Raporti i OBSH: “Epidemia” e obezitetit në Shqipëri, 1 në 3 fëmijë mbipeshë
Pamje alarmante/ Fëmijët mbledhin sasi të mëdha barnash nga koshi i plehrave pranë spitalit
Ngacmoi s*ksualisht pacienten, lirohet nga detyra mjeku
Ushqimet që do të përmirësojnë funksionin e trurit tuaj