Bota është në mes të pandemisë COVID-19. Ndërsa OBSH dhe partnerët punojnë së bashku për përgjigjen, gjurmimin e pandemisë, këshillimin për ndërhyrjet kritike, shpërndarjen e furnizimeve jetike mjekësore për ata që kanë nevojë, ata po garojnë për të vendosur dhe zhvilluar vaksina të sigurta dhe efektive.
Vaksinat shpëtojnë miliona jetë çdo vit. Ato funksionojnë duke trajnuar dhe përgatitur sistemin imunitar të trupit, për të njohur dhe luftuar viruset dhe bakteret që synojnë. Pas vaksinimit, nëse trupi më vonë ekspozohet ndaj mikrobeve që shkaktojnë sëmundje, trupi është menjëherë gati t’i “luftojë” ato, duke parandaluar sëmundjen.
Ka disa vaksina të sigurta dhe efektive që parandalojnë njerëzit të sëmuren ose të vdesin nga COVID-19. Kjo është një pjesë e menaxhimit të COVID-19, përveç masave kryesore parandaluese për të mbajtur distancë të sigurt nga të tjerët dhe për të shmangur turmat, mbajtjen e një maske të përshtatshme që mbulon gojën dhe hundën, mbajtjen e hapësirave të brendshme të ajrosura mirë, pastrimin e duarve rregullisht, duke mbuluar kollën dhe teshtitjen.
Që nga 12 janari 2022, OBSH ka vlerësuar se vaksinat e mëposhtme kundër COVID-19 kanë përmbushur kriteret e nevojshme për sigurinë dhe efikasitetin:
AstraZeneca/Oxford
Johnson and Johnson
Moderna
Pfizer/BionTech
Sinopharm
Sinovac
COVAXIN
Covovax
Nuvaxovid
Merrni fillimisht çfarëdo vaksine që ju vihet në dispozicion, edhe nëse keni kaluar tashmë COVID-19. Është e rëndësishme që të vaksinoheni sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të mos prisni. Vaksinat e miratuara për COVID-19 ofrojnë një shkallë të lartë mbrojtjeje kundër sëmundjes së rëndë dhe vdekjes nga sëmundja, megjithëse asnjë vaksinë nuk është 100% mbrojtëse.
Kush duhet të vaksinohet?
Të gjitha vaksinat kundër COVID-19 janë të sigurta për shumicën e njerëzve 18 vjeç e lart, duke përfshirë ato me kushte para-ekzistuese të çdo lloji, duke përfshirë çrregullimet auto-imune. Këto gjendje përfshijnë: hipertensionin, diabetin, astmën, sëmundjet pulmonare, të mëlçisë dhe veshkave, si dhe infeksione kronike që janë të qëndrueshme dhe të kontrolluara.
Grupi Këshillimor Strategjik i Ekspertëve i OBSH-së (SAGE) ka arritur në përfundimin se vaksina Pfizer është e sigurt për t’u përdorur për moshat 5 vjeç e lart dhe vaksina Moderna mund të përdoret për ata të moshës 12 vjeç e lart. Kërkohet një dozë më e vogël për fëmijët sesa për të rriturit. Fëmijëve dhe adoleshentëve që janë në rrezik të lartë të COVID-19 të rëndë mund t’u ofrohen këto vaksina krahas grupeve të tjera prioritare për vaksinim.
Fëmijët dhe adoleshentët priren të kenë sëmundje më të lehtë në krahasim me të rriturit, kështu që nëse nuk janë pjesë e një grupi me rrezik më të lartë të COVID-19 të rëndë, prioritet duhet të jetë vaksinimi i plotë i të moshuarve, atyre me sëmundje kronike shëndetësore dhe punonjësve shëndetësorë.
Provat e vaksinave për fëmijët janë në vazhdim dhe OBSH do të përditësojë rekomandimet e saj kur provat ose situata epidemiologjike të kërkojnë një ndryshim në politikë.
Çfarë duhet të pres pas vaksinimit?
Qëndroni në vendin ku jeni vaksinuar për të paktën 15 minuta, në mënyrë nëse keni ndonjë reagim të pazakontë, punonjësit e shëndetësisë t’ju ndihmojnë.
Kontrolloni kur duhet të merrni dozën e dytë, nëse është e nevojshme. Shumica e vaksinave të disponueshme janë vaksina me dy doza. Kontrolloni me mjekun tuaj nëse duhet të merrni një dozë të dytë dhe kur duhet ta merrni atë. Dozat e dyta ndihmojnë në rritjen e përgjigjes imune dhe përmirësimin e sistemit imunitar.
Në shumicën e rasteve, efektet anësore të vogla janë normale. Efektet anësore të zakonshme pas vaksinimit, të cilat tregojnë se trupi i një personi po krijon mbrojtje ndaj infeksionit COVID-19 përfshijnë:
Dhimbje krahu
Ethe
Lodhje
Dhimbje koke
Dhimbje të muskujve ose kyçeve
Kontaktoni mjekun e familjes nëse keni skuqje apo dhimbje të vazhdueshme që rriten edhe pas 24 orëve, ose nëse efektet anësore nuk largohen pas disa ditësh.
Efektet anësore më serioze ose afatgjata ndaj vaksinave COVID-19 janë të mundshme, por jashtëzakonisht të rralla. Nëse keni vështirësi në frymëmarrje, dhimbje gjoksi, konfuzion, humbje të të folurit ose lëvizshmërisë sw krahut pas vaksinimit, kontaktoni menjëherë mjekun. Vaksinat monitorohen vazhdimisht për aq kohë sa janë në përdorim për të zbuluar dhe reaguar ndaj ngjarjeve të rralla anësore.
Ju nuk duhet të vaksinoheni nëse keni një histori të reaksioneve të rënda alergjike/anafilaksi ndaj ndonjë prej përbërësve të vaksinës COVID-19, ose nëse keni një reaksion alergjik ndaj dozës së parë.
Edhe pasi të jeni vaksinuar, vazhdoni të merrni masa paraprake
Vazhdoni të merrni masa për të ngadalësuar përhapjen e virusit, edhe pasi të jeni vaksinuar:
Mbani distancë të sigurt nga të tjerët dhe shmangni grumbullimet masive;
Mbani maskë të përshtatshme që mbulon gojën dhe hundën;
Kur jeni brenda me të tjerët, siguroni ajrim të mirë, si p.sh. duke hapur një dritare;
Pastroni duart shpesh;
Mbuloni kollitjen ose teshtitjen me bërrylin e përkulur.
Shoqata Together for Life, për të rritur ndërgjegjësimin ndaj vaksinimit për COVID-19, në kuadër të fushatës “Le të flasim për vaksinat”, mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Shqipëri – WHO Albania.


