Këshilla për Ethet e Nilit Perëndimor

Si transmetohet infeksioni nga virusi i Nilit Perëndimor?

Infeksioni te njeriu është kryesisht rezultat i pickimeve nga mushkonjat e infektuara, të cilat infektohen kur ushqehen me zogj të infektuar. Virusi qëndron në natyrë nëpërmjet një cikli transmetimi mushkonja-zogj-mushkonja. Zogjtë janë rezervuarët bartës të virusit. Kuajt, njësoj si njerëzit, janë bartës që pavaresisht se ata infektohen, nuk e përhapin direkt infeksionin. Deri më sot, nuk ka ndodhur asnjë transmetim i virusit nga njeriu tek njeriu përmes kontaktit rastësor apo nepermjet mushkonjave, dhe nuk është raportuar asnjë transmetim i virusit të Nilit Perëndimor te punonjësit e kujdesit shëndetësor kur janë zbatuar masa parandaluese standarde të kontrollit të infeksionit.

Çfarë shenjash ka infeksioni nga virusi i Nilit Perëndimor?

Infeksioni me virusin e Nilit Perëndimor është pa shenja në rreth 80% të njerëzve të infektuar. Vetëm rreth 20% e njerëzve të infektuar me virusin e Nilit Perëndimor zhvillojnë sëmundjen. Kur shfaqen shenjat ato përfshijnë: ethe, dhimbje koke, lodhje, dhimbje trupore, të përziera, të vjella, herë pas here skuqje të lëkurës dhe fryrje të gjëndrave limfatike.

Shenjat e sëmundjes së rëndë (si encefaliti, meningiti ose paraliza flakside akute) përfshijnë: dhimbje koke, temperaturë të lartë, ngurtësim të qafës, mpirje, çorientim, gjendje kome, dridhje, konvulsione, dobësi muskulore dhe paralizë.dhe shfaqen vetem ne 1% te personave te infektuar.

Forma të rënda të sëmundjes mund të shfaqen te njerëzit e çdo moshe, por personat mbi moshën 60 vjeç dhe personat me imunitet të ulët janë më të rrezikuar. Periudha e inkubacionit është zakonisht 3 ditë deri në 14 ditë.

Si vendoset diagnoza?

Virusi i Nilit Perëndimor mund të diagnostikohet me një sërë testesh duke analizuar lëngun e trunoshpinor,urinen, gjakun apo mostrat e serumit të marra nga pacientët e infektuar nga virusi i Nilit Perëndimor, në periudhën kur paraqesin shenja klinike.

Trajtimi

Nuk ka trajtim specifik për pacientët me sëmundjen që prek sistemin nervor, shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor. Trajtimi është vetëm mbështetës dhe simptomatik.

Parandalimi

Kufizimi i rrezikut të infektimit te njerëzit

Në mungesë të një vaksine, e vetmja mënyrë për të zvogëluar infektimin e njerëzve është rritja e ndërgjegjësimit mbi faktorët e rrezikut, dhe edukimi i njerëzve për masat që duhet të ndërmarrin për të zvogëluar ekspozimin ndaj virusit.

Kontrolli i mushkonjave

Parandalimi efektiv i infeksionit nga virusi i Nilit Perëndimor te njeriu varet nga programet e kontrollit të integruar të mushkonjave në zonat ku ndeshet virusi.

Parandalimi i infeksionit në mjediset e kujdesit shëndetësor

Punonjësit e kujdesit shëndetësor që kujdesen për pacientët që dyshohet ose që konfirmohet se kanë infeksion të virusit të Nilit Perëndimor, ose që trajtojnë mostra prej tyre, duhet të zbatojnë masat e pergjithshmetë kontrollit të infeksionit.

Parandalimi i transmetimit të virusit në kuaj dhe zogj.

Meqenëse shpërthimet e virusit të Nilit Perëndimor në kafshë i paraprijnë infektimit të rasteve në njerëz, krijimi i një sistemi mbikëqyrës të shëndetit të kafshëve për zbulimin e rasteve të reja në zogj dhe kuaj, është thelbësor për paralajmërimin e hershëm të autoriteteve të shëndetit publik dhe veterinar./ Ministria e Shëndetësisë

Postime të ngjashme

Studimi: Vaksina kundër kancerit mund të zhdukë plotësisht tumoret
"Shet produkte të rrezikshme"- Komisioni Europian gjobit TEMU-në me 200 mln dollarë
8 fruta me përmbajtje të ulët sheqeri
Shpërthimi i Ebolas, OBSH shpall emergjencë globale
“Sterilizimi”/ Shtyhet gjyqi për ish-ministrin Ilir Beqaj, ja kur do të mbahet seanca e radhës
Asambleja e OBSH, ministrja Sala prezanton prioritetet e Shqipërisë në shëndetësi
'Çohu o dreq mos bëj si e sëmurë'/ Infermierja te Psikiatria keqtrajton pacientët, reagon QSUT: Rast i papranueshëm, janë marrë masa për punonjësen
Mashtronin njerëzit me ilaçe false për sëmundje të rënda, goditet rrjeti kriminal që operonte në 15 shtete të Europës