Rolina Naço
Gjatë festave është e rëndësishme ngrënia në sasi të kontrolluar. Gjithashtu ajo që do të ndihmonte, do të ishte edhe pak aktivitet fizik. Në fakt, se sa kilogramë do të marrim, ndikohet nga çfarë do të gatuajmë dhe sasia. Ndaj mbani mend:
Nëse e gatuani me kujdes, është ushqim mjaft i lehtë. Ziejeni një natë më parë gjelin dhe lëngun vendoseni në frigorifer. Në këtë mënyrë yndyra e gjelit ngrin në sipërfaqen e lëngut. Para se të përdorni lëngun e gjelit, pastrojeni nga yndyra që ka ngrirë në sipërfaqen e tij. Në këtë mënyrë shija mbetet dhe kilet tona largohen.
Përdorni vetëm vaj ulliri dhe pas sa për aromë, gjalp nëse nuk mundeni pa të.
Rëndësi ka dhe me çfarë do të jetë mbushja e gjelit. Evitoni sasinë e madhe të kulaçit ose të ushqimeve të tjera, si gështenja, oriz etj. Shoqërojeni me pak fruta të thata, si: arra, bajame etj dhe shtoni perime të ndryshme.
Sasia është e rëndësishme. 150-200 gramë gjel deti është një racion normal dhe 2-3 lugë gjellë mbushje. Kështu mund të keni “vend” të shijoni edhe ushqimet e tjera.
Mishi i lepurit
Një alternativë shumë e shijshme dhe mjaft e shëndetshme. Mund ta mbushim lepurin në vend të gjelit për ta përdorur atë për Krishtlindjet nëse i festojmë. Mishi i lepurit ka pak kalori krahasuar me mishin e kuq, shumë më pak yndyrë dhe kolesterol.
Peshku është gjithashtu një zgjedhje e mirë për ata që dinë ta shijojnë. Nëse nuk jeni mishngrënës të betuar, për të festuar mund të zgjidhni një peshk që keni qejf me një recetë më speciale se zakonisht. Është mjaft i lehtë për t’u tretur meqenëse do të hani mjaft vonë. Ka pak kalori dhe yndyrë të dobishme për shëndetin. Preferojeni të pjekur dhe jo të skuqur.
Mishi i kuq!
Për ata më tradicionalët, do të duhet të zgjedhin mishin e viçit ose të gicit me sa më pak dhjamë të dukshëm. Mishi i qingjit ose i kecit janë më të dhjamosur ndaj dhe janë alternativa e fundit që rekomandohet. Gjithsesi, mundohuni të zgjidhni pjesët më me pak dhjam.
Qoftet
- Janë mjaft të shijshme, por duhet të tregohemi të kujdesshëm:
- Mos i skuqni dhe automatikisht përgjysmohet sasia e yndyrës dhe kalorive.
- Zgjidhni mishin që do të grihet, të jetë tule. Mund të përdorni dhe mish pule nëse ju pëlqen, ka 30% më pak yndyrë.
- Shtoni perime, si karrotë, spinaq, qepë, kungull etj, të grira për të rritur vlerat ushqyese, për të ulur kaloritë dhe për të shtuar shije. Provojeni!
Proshuta
Është shumë herë më mirë të preferojmë ato krudo, pasi është mish viçie tymosur dhe nuk ka mjaft përzierje në lëndë konservuese, përmirësues shije, ngjyrues etj. Nëse duam të mos marrim shumë kalori, të preferojmë krudo në vend të pançetës së tymosur. Një alternativë shumë e mirë është dhe proshutë pule ose gjeli deti që është e zier.
Mundohuni që në pjatë gjysma të ketë perime në formën që ju dëshironi dhe më pas gjysmën tjetër ndajeni në ushqime proteinike për të cilat folëm më lart dhe ushqimet me përmbajtje amidoni (sheqerna komplekse)! Sheqerna komplekse mund të jetë (preferojmë atë integrale), mbushja e gjelit, patate furre, byrek, krepa, pica, makarona. Sigurisht më pas mund të shijojmë me masë alkool dhe ëmbëlsira. Nëse nuk e teprojmë, atëherë mund të festojmë edhe më pas.



