Ketrin Gjocaj, e shëndetshme në mënyrë natyrale

Producentja dhe gazetarja e njohur rrëfen për “Shëndet Plus” kujdesin ndaj shenëdetit dhe ushqimet e preferuara

Prej më shumë se 30 vjetësh Ketrin Gjocaj është bërë pjesë e pandashme e programacionit të kanalit publik, TVSH. Për ata që e njohin prej kohësh duket sikur për Ketin koha ka ndalur në vend. Por cili është sekreti i kësaj rinie? Keti thotë se nuk ka ndonjë sekret të madh, ajo thjesht ha në mënyrë të shëndetshme, shëtit, dhe nuk harron të shkojë te mjeku. Në intervistën e mëposhtme do të gjeni ushqimet e preferuara të saj, mendimin për operacionet plastike dhe marrëdhënien me sportin.

Ketrin Gjocaj (4)

 Cilat janë ushqimet që pëlqeni më shumë?

Më pëlqejnë shumë brumërat. Byrek, petulla, pilaf etj. Mishi nuk më pëlqen shumë. Nuk është se jam vegjetariane por preferoj të konsumoj pak.

Kush gatuan në familjen tuaj?

Mamaja ime. Për fat kam mamanë që gatuan. Unë gatuaj rrallë, për shkak edhe të punës e cila zë një pjesë të madhe të ditës.

Specialiteti juaj në guzhinë?

Spageti. I gatuaj shumë mirë dhe i preferoj. Mund të them që e “qaj” (qesh).

Keni mbajtur ndonjëherë dietë apo mbani aktualisht?

Nuk kam mbajtur ndonjëherë dietë dhe as kam ndërmend të mbaj. Nuk jam pro dietave por jam pro kujdesit që duhet të ketë çdo njeri për shëndetin e tij.

Sa e kujdesshme jeni ndaj kalorive?

Kam kujdes, sidomos në marrjen e racioneve. Jam dakord me atë që duhet të hash shpesh dhe nga pak.

Cili është ushqimi apo pjata që nuk mungon asnjëherë në tavolinën tuaj?

Nuk kam ndonjë gjë të përcaktuar. Por nëse do më duhet të zgjidhja do të thosha që sa herë ha jashtë nuk mund të rri dot pa verë të kuqe ose pa birrë. Nuk ha dot ndryshe. Jo se jam pijetare e madhe, një gotë ose dy konsumoj, jo më shumë.

Çfarë marrëdhënie keni me sportin?

Dikur, (më vjen keq që po them dikur), merresha me palestër, dy herë në javë. E mbajta këtë ritëm për 7 vjet apo diçka më shumë, por kam rreth tre vjet që nuk i frekuentoj më palestrat. Por kam shumë dëshirë t’i rikthehem prapë pasi është me të vërtetë një gjë shumë e dobishme.

Do të bënit ndërhyrje kirurgjikale për të përmirësuar imazhin tuaj?

Absolutisht jo. I kam shumë frikë ndërhyrjet dhe nuk do t’i përdorja kurrë. Në shumicën e rasteve nuk realizon më shumë se një fytyrë pa shprehje, asgjë më shumë. Këto ndërhyrje të njerëzit i shoh si ekzagjerime. Çdo gjë që është në portretin e një njeriu, është eksperiencë, mendoj se nuk duhet ndryshuar.

Si është një ditë e juaja, ku fillon dhe ku mbaron ajo?

Gjëja që bëj çdo ditë, është bashkëbisedimi me vajzën e cila jeton në Gjermani. Përveç punës, gjërat që bëj janë kafet me miqtë, ndonjë shëtitje që ndodh rralë, pasi unë çdo ditë eci shumë.

Po fundjava juaj?

Gjatë fundjavës nuk më pëlqen të rri në shtëpi dhe zgjedh ndonjë vend jashtë Tiranës ër ta kaluar. Më pëlqen shumë jugu i Shqipërisë. Shpesh më pëlqen të dal në orët kur nuk ka njerëz në rrrugë, janë bosh. Më pëlqen të shëtis në rrugët bosh të Tiranës.

Ku preferoni ti kaloni pushimet tuaja?

Përveç plazhit, më pëlqejnë edhe pushimet malore.

Sa kohë kaloni me vajzën tuaj?

Më shpesh shkoj unë se sa vjen vajza në Shqipëri. Kur shkoj atje jam gjatë gjithë kohës me ta. E lodhshme, por shumë e bukur.

Fruti juaj i preferuar?

Qershia. Është fruti që më pëlqen më shumë, pasi ka lidhje edhe me ditëlindjen time e cila është në qershor. Frutat i pëlqej shumë, por qershia “më zë”.

Ju pëlqen të hani jashtë apo në shtëpi?

Nuk më pëlqen të ha jashtë, por më ndodh shpesh. Për shkak të shoqërisë apo angazhimeve. Por nuk është një gjë që e bëj me qejf.

Cili është raporti juaj me mjekun, sa shpesh shkoni për vizita?

Kam kujdes ndaj shëndetit, por nuk jam maniake. Kam pak frikë analizën e gjakut se më bie shpesh të fikët (qesh), por shkoj te doktori shpesh. Për fat deri tani kam qenë e shëndetshme por kjo nuk do të thotë që duhet të neglizhojmë  vizitat te mjeku. Një thirrje që doja tu bëja lexuesve të kësaj gazete është që nuk ka gjë më të rëndësishme se shëndeti. Duhet të kenë shumë kujdes ndaj tij. Jo vetëm shëndetit fizik, por edhe atij mendor. Në kohët që po jetojmë, ku ka shumë stres, duhet të kujdesemi shumë për largimin e tij.

Kur keni ndonjë dhimbje apo shqetësim, e kaloni apo merrni një antibiotik?

Një mjek gjerman që kam takuar, më ka thënë “nëse të dhemb diçka, mos e lër të të dhëmbë”. Kur kam dhimbje koke apo shqetësime të këtij lloji, marr ndonjë qetësues, por jo shpesh pasi nuk dua të bëhem e varur ndaj tyre.

I besoni mjekësisë popullore?

I besoj, por për çdo gjë që përdor  këshillohem një herë me mjekun.

Një aktor i njohur në holliëod, ka ndërtuar një dhomë hiperbarike për të mbajtur lëkurën të re. Ju do të bënit diçka të tillë për të ngadalësuar plakjen?

Jo, nuk rrezikoj dot. Është dhe një rast i një aktoreje greke e cila për të qenë gjithmonë në formë eksperimentoi me një sërë medikamentesh dhe në fund humbi jetën si pasojë e përdorimit të tyre. Unë nuk do rrezikoja asnjëherë për tu dukur më e re dhe e freskët.

Keni përdorur apo do përdorni ndonjëherë antidepresivë?

Nuk kam përdorur dhe nuk do të përdor kurrë. Mendoj se janë shumë të rrezikshëm. Edhe në ato momentet e vështira që kam pasur në jetë, nuk kam ndjerë nevojën e përdorimit të tyre.

Ju pëlqen të bëni masazhe dhe sa shpesh bëni?

I dua shumë masazhet  dhe sa herë kam mundësi i praktikoj. Shkoj shpesh për masazhe apo në qendra estetike.

Po përsa i përket meditimit?

Më pëlqen shumë dhe meditimi. Kohët e fundit në vendin tonë po përhapet shumë dhe është një gjë e mirë. Mua më pëlqen “tingulli i heshtjes”. Por më pëlqen ta bëj në mënyrë të natyrshme, pa lexuar apo marrë instruksione të shumta.

 

Postime të ngjashme

“Është makth”- Gazetarja Mira Kazhani tregon betejën me kancerin e gjirit
11 personazhe të famshëm që kanë folur hapur për çrregullimet e tyre të tiroides
Aktori Stanley Tucci flet për efektet e rënda anësore të trajtimit me rrezatim për kancerin
Papa Françesku ka një infeksion polimikrobik të rrugëve të frymëmarrjes. Çfarë është dhe sa serioze është?
Mirela Kuka, nga Shqipëria në San Raffaele: Drejtoj një ekip kërkimor mbi sistemin imunitar, në Itali realizova ëndrrën time
Kate Middleton përfundon seancat e kimioterapisë dhe publikon një video-mesazh emocionues
Mjeku shqiptar 25 vjet kardiokirurg në Itali: E vështirë të lësh vendin, por rezultati i karrierës sime më dha të drejtë
“Do të zvarritem…”/Celine Dion flet sëmundjen e rrallë neurologjike në dokumentarin e ri dhe jo vetëm!