Kirurgjia estetike? Meshkujt, të fiksuar për buzët e hundën

Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”

Ndërhyrjet estetike janë pronë e të dyja gjinive. Tanimë dëshira për t’u dukur bukur nuk është vetëm e femrave, por edhe e meshkujve. Këta të fundit kanë nisur që ta sfidojnë seksin tjetër edhe në pamje. Kirurgia estetike Silvana Vishaj, në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet Plus” tregon se si ka evoluar perceptimi i njerëzve për ndërhyrjet estetike, cila është marrëdhënia me të rinjtë të dhënë pas këtyre ndërhyrjeve, marrëdhënia me prindërit. Vishaj flet për diferencën shtet-privat, si dhe “rregullat” brenda privatit. Kirurgia vë theksin te rëndësia e njohjes së kirurgut që i besojmë pamjen tonë.

Silvana Vishaj (1)

Kirurgia estetike Silvana Vishaj në intervistë për gazetën “Shëndet+”

Si ka evoluar perceptimi i njerëzve për ndërhyrjet estetike?

Mendoj që është e nevojshme pak histori. Kirurgjia estetike ka filluar që në Egjiptin e lashtë, me mënyra primitive, jashtëzakonisht popullore. Ekzistonin dalta dhe vegla të tilla që përdoreshin për të rregulluar portretin femëror, por edhe atë mashkullor, të mbretërve, të princërve. Që në atë kohë janë përdorur trajtimet estetike me bimë medicinale të ndryshme, gjaku i gjarpërinjve, si dhe shumë e shumë metoda të tjera që përdoreshin si metoda zbukurimi për elitën e asaj kohe.

Përsa i përket kohëve të sotme, sigurisht që kirurgjia estetike ka evoluar jashtë mase. Është kthyer në trend botëror ku çdo person, edhe ata me ekonomi mesatare, shkojnë për të bërë ndërhyrje.

Kujtojmë se dikur kirurgjia ishte privilegj i njerëzve të pasur, i aktorëve të Hollivudit, i njerëzve të skenës, i njerëzve të ekranit, i personave të famshëm. Ndërkohë sot ajo është kthyer në një trend të njerëzve të thjeshtë. Trend i njerëzve që kanë nevojë të ndihen mirë me imazhin e tyre. Është e drejta e tyre për të qenë akoma më të mirë, akoma më perfekt në mënyrë që ata të arrijnë diçka më shumë në shoqëri, në lidhje me partnerin, në lidhje me ambjentin e punës, të japin më shumë rezultat e të jenë më shumë produktivë e kreativë.

Dëshira për t’u ndjerë mirë me veten duket se nuk është më dëshirë vetëm e femrave. Përvoja po tregon që edhe meshkujt kanë dëshirën për t’u dukur bukur. Si qëndron raporti meshkuj femra në drejtim të ndërhyrjeve estetike?

Mund të them që 5-vjeçarin e fundit trendi gjinor i kirurgjisë estetike është barazuar. Për të mos thënë që ka raste kur meshkujt i kanë tejkaluar edhe femrat. Sidomos përsa i përket kirurgjisë së hundës. Meshkujt kërkojnë një hundë perfekte. Domethënë kanë arritur dhe kërkojnë jo vetëm hundën, por ka edhe nga ata që punojnë model apo në televizion që kërkojnë të bëjnë edhe buzët, të rimodelojnë edhe buzët. Kështu që nuk ka më ndarje gjinore. Kirurgjia plastike është një fushë që u përket të dyja gjinive. Është pronë e të dyja gjinive.

modelPërpiqen të tregohen të fshehtë, veçanërisht në rastin e personave të njohur?

Mendoj që kjo pjesë është kapërcyer. E para, nuk mund të fshehësh një ndërhyrje që është evidente. Së dyti, është kthyer në trend, në modë të kohës, në mënyrë të jetuari. Njerëzit që kurohen, janë njerëz të këndshëm, janë të pranueshëm për shoqërinë, njerëz që ndiqen nga të gjithë në rrjetet sociale. Kështu që nuk janë të prirur ta mbajnë të fshehtë, është kënaqësi.

Më mirë të jetosh me një ndërhyrje apo me një kompleks?

Mendoj që këto ndërhyrje dhe veçanërisht ndërhyrje të tilla, si veshët që krijojnë goxha komplekse, është mirë që të përmirësohen që në moshën e vogël. Atëherë kur ndërhyrja e veshëve është e lejueshme. Kështu shmangim etiketimet. Nuk mendoj që është mirë që njerëzit të jetojnë me komplekse. Të jetuarit me kompleks nuk të bën të ndihesh mirë me veten, nuk të bën as konkurrent. Në jetë njeriu ka nevojë të ecë përpara, ka nevojë që të sfidojë. Sigurisht që pamja e ndërthurur me inteligjencën, është një kombinim absolut.

Duket se njerëzit, edhe pse bëhet fjalë për çmime shumë herë më të larta, zgjedhin privatët, pse?

Sepse në shtet nuk gjejnë infrastrukturën e nevojshme për të kryer këtë ndërhyrje. Dihet mirë se çfarë kushtesh, çfarë higjiene, çfarë veglash, çfarë përgatitje jekanë mjekët. Nëse flas për veten, jam një person që kam investuar gjithë jetën për këtë gjë, kam ndjekur çdo kongres botëror që ka lidhje me kirurgjinë estetike, investim që shpesh mjekët në shtet nuk e kanë bërë.

Sa e thjeshtë është t’i shpjegosh pacientit se hunda e Angeline Jolie është e bukur vetëm në fytyrën e saj?

Nuk janë të paktë pacientët që na vijnë me foto në duar. Por asnjë profesionist nuk duhet ta pranojë këtë. Nuk duhet të pranojë kur një pacient i shkon me një foto duke i thënë që dua këto buzë, dua këtë hundë. Mund të bëhet, por pacienti në përfundim do të duket qesharak. Pas operacionit ti je i zbukuruar, je i përmirësuar, por nuk mund të jesh kurrë një tjetër njeri. Anatomia e çdo njeriu është e tillë që prishja e një elementi në dukje aq i vogël ekzagjerimi, e shëmton njeriun.

A ka diferencë midis një mjeku ORL dhe një kirurgu estetik?

Mjeku ORL është edhe kirurg estetik. Mjeku ORL është kirurgu estetik i fytyrës. Sepse otorinolaringologji do të thotë hundë, vesh, qafë, komplet portreti. Pra, nuk janë vetëm patologjitë. Kirurgët ORL janë edhe profesionistët më të mirë të kirurgjisë estetike, sepse është fusha e tyre. Dhe vetëm një kirurg ORL mund ta bëjë këtë, nuk mund ta bëjë një kirurg i djegieve që nuk njeh as anatominë e hundës.

Cilat janë gjërat që duhet të dinë njerëzit para se të bëjnë një ndërhyrje estetike?

Normalisht gjëja e parë është që t’i kërkojnë ndërhyrjet në kohën e duhur, në moshën e duhur. Sigurisht, varet nga lloji i ndërhyrjes. Vijnë vajza në moshën 20 vjeç dhe kërkojnë botoks, tërheqje fytyre,  që në fakt para moshës 28 vjeç nuk mund/duhet të përdoret. Apo zmadhimi i buzëve nuk mund të përdoret para moshës 18-vjeçare. Një mjek i mirë duhet t’ia thotë pacientit.

Çfarë e zhgënjen një pacient dhe a vijnë pacientë të zhgënjyer?

Sigurisht që vijnë pacientë të zhgënjyer. Mund të kenë ikur të zhgënjyer dhe nga unë. Pritshmëritë e njerëzve janë pak të çuditshme. Njerëzit pas një viti e harrojnë portretin e tyre. Por është një fat i madh që ruhen ca foto, 50 para, 50 mbrapa, dhe që dëshmojnë që ti ke patur problem. Më vjen pas një viti e më thotë: Të ishte më ashtu apo më kështu. Një moment! E ke harruar se kush ke qenë. Zhgënjimi është edhe pjesë e kulturës. Çdo njeri duhet të jetë realist për pamjen e vet. Nuk mund të ndërhyhet pa masë, pa kriter anatomik, sepse dëmton. Dëmton nervat, dëmton enët e gjakut, dëmton indet, ka një kufi anatomik për gjithçka.

Adoleshentët sa të prirur janë për ndërhyrje estetike?

Nga pikëpamja ime si nënë dhe si profesioniste, në atë moshë femra është në momentin e formimit. Të presin që ta arrijnë pikun e tyre të zhvillimit dhe pastaj të ndërhyhet. Qoftë edhe një defekt minimal i vogël nuk bie në sy, sepse janë jashtëzakonisht të freskët dhe të mirë.

Marrëdhënia me prindërit? Sa kërkues janë ata?

Ekzistojnë dy kategori prindërish. Prindër që nuk duan që fëmija t’i nënshtrohet një ndëryrjeje dhe të tjerë që janë më maniakë se fëmijët e tyre dhe kërkojnë ndërhyrje pas ndërhyrjeje. Bëhen të varur dhe prindërit. Kërkojnë ndërhyrje duke luajtur edhe me jetën e fëmijës. Vjen mami, e dua hundën dhe një milimetër më lart, dhe një milimetër më poshtë kur ajo nuk ka më hundë.

Postime të ngjashme

Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele