Përgatitur nga ekipi mjekësor i “Spitalit Villa Maria”
Laparoskopia është një teknikë kirurgjikale mini-invazive që realizohet me anë të hapjeve të vogla në abdomen, përmes të cilave vendosen instrumentet e caktuara që mundësojnë pamje të organeve, si dhe realizimin e operacioneve të caktuara. Sot përdorim një teknologji të avancuar me kamera endoskopike moderne, monitorë të fuqishëm, sonda ekografike laparoskopike, sistemin e prerjes me ultrazë, autosuturat dhe instrumentet e tjera të adaptuara qëllimisht për laparoskopi.
Të gjitha këto instrumente të përdorura nga kirurgët me përvojë mundësojnë realizimin e operacioneve të rëndësishme me anë të hapjeve 3,5 dhe 10 mm.
Që nga fillimi i aplikimit (vitet ‘80) e deri më sot kirurgjia laparoskopike ka pësuar shumë modifikime si në mënyrën e veprimit, por dhe në instrumentet e punës dhe ka hapur edhe portat e reja në kirurgji siç është kirurgjia me një hapje, kirurgjia përmes hapjeve (vrimave) natyrore e deri tek kirurgjia robotike.
Laparoskopia ka një gamë të gjerë të aplikimeve. Në sajë të avantazheve që ofron për pacientët dhe në sajë të aspektit praktik, kjo teknikë shndërrohet në një procedurë normale për shumë indikacione në kirurgjinë abdominale, urologji dhe gjinekologji. Në sajë të laparoskopisë kemi një zvogëlim të traumatizmit parietal dhe stabilitet të forcës imunitare dhe e gjithë kjo zvogëlon rrezikun nga komplikimet infektive dhe dispersionin tumoral. Disa punime shkencore konfirmojnë gjithashtu se laparotomia (kirurgjia me hapje) rrit në masë të dukshme, faktorët e rritjes tumorale tek shtazët në krahasim me laparoskopinë.
Kjo kirurgji mund të realizohet për qëllime:
- Diagnostike
- Terapeutike
Operacionet që mund të realizohen me anë të laparoskopisë janë:
Kirurgjia e kolonit dhe rektumit
Sëmundjet inflamatore, CROHN, rektokoliti ulcero-hemoragjik, polipoza familjare, sëmundjet divertikulare, sigmoditi, kanceri i kolonit dhe rektumit, prolapsusi rektal . Apendiksi.
Kirurgjia e zorrës së hollë
Divertikulet, okluzioni intestinal, tumoret etj.
Kirurgjia e mëlçisë, kolecistës dhe rrugëve biliare;
Kirurgjia e shpretkës, gjendrës mbiveshkore, kistës së pankreasit;
Kirurgjia e stomakut dhe ezofagut
Sëmundjet e refluksit, hernia hiatale, akalazia, vagotomia, tumoret e ezofagut dhe stomakut.
Kirurgjia e parietit abdominal
Hernia inguinale, hernia ombilikale, laparocela
Kirurgjia e obezitetit
Unaza gastrike
Gastrektomia vertikale
Avantazhet e kirurgjisë laparoskopike:
Duke zvogëluar madhësinë e incizionit, laparoskopia zvogëlon karakterin invaziv dhe morbiditetin e procedurave kirurgjike dhe përmirëson rezultatin kozmetik në krahasim me kirurgjinë e hapur dhe shkakton më pak adherenca.
Vizualizimi i strukturave anatomike, fokusimi në fushën operatore dhe diseksioni me saktësi të lartë e rrisin dukshëm efikasitetin e një operacioni dhe zvogëlojnë sasinë e humbur të gjakut gjatë operacionit.
Më pas, duke zvogëluar karakterin invaziv dhe morbiditetin zvogëlon dhimbjen, zvogëlon rrezikun e komplikacioneve dhe infeksioneve. Në mënyrë sinjifikative zvogëlohet edhe kuantiteti i substancave analgjezike dhe shkurtohet koha e qëndrimit në spital dhe kthimi më i shpejtë në aktivitetet e përditshme.
Kundërindikimi për laparoskopi
Intoleranca kardiorespiratore, çrregullimet e koagulimit, anomalitë e organeve dhe operacionet paraprake abdominale mbesin edhe më tutje shkaktarët kryesorë për mosrealizimin e laparoskopisë.
Disavantazhet e laparoskopisë
Laparoskopia kërkon formim të posaçëm dhe të gjatë
Kohëzgjatja e operacioneve është më e madhe
Çmimi i lartë materialeve dhe instrumenteve laparoskopike
Pra, për të bërë një përmbledhje për sa më sipër, Laparoskopia është një qasje kirurgjike me avantazhe të shumëfishta. Ajo sot paraqitet si rezultat i kërkimeve të shumta në kirurgjinë mini-invazive që duhet të vazhdohet edhe në të ardhmen, sepse kjo ofron në të njëjtën kohë një kirurgji të sigurt dhe konfort shumë më të lartë për pacientin. Me anë të teknologjisë informatike është e mundur të krijohen imazhet në 3D nga një imazheri radiologjike e pastaj të duken strukturat anatomike të kërkuara.
E gjithë kjo e kombinuar me laparoskopi dhe në superpozicionim në imazhet e CT ose IMR në preoperator mundëson të dirigjohet operacioni në mënyrë efikase nga ana e kirurgut. Trajtimi i imazhit më informatikë, qoftë si realitet virtual ose robotik janë sfidat e ardhshme të zhvillimit të laparoskopisë që ndoshta edhe më tepër do t’i zhvendosin kufijtë e kësaj kirurgjie që me të drejtë quhet “revolucioni i dytë francez”.


