Kryefaqja Femrat Kistet e vezoreve, trajtimi me kirurgji

Kistet e vezoreve, trajtimi me kirurgji

0
Shpërndaje

Elton Peci, obstetër-gjinekolog

Kisti është një hapësirë e mbushur me likid (fluid). Ata mund të formohen në çdo hapësirë të trupit. Kistet e vezoreve formohen në vezore. Kistet më të shpeshta të vezoreve janë kistet funksionale të cilat formohen gjatë një cikli menstrual.

Jo të gjithë kistet e vezores meritojnë trajtim kirurgjikal.

Një pjesë e mirë e tyre mund të zhduken vetvetiu ose përmes trajtimeve medikamentoze (me tableta). Megjithatë ka kiste të cilat duhet të trajtohen menjëherë me intervent kirurgjikal. Gjithashtu edhe kistet të cilat pavarësisht se duken të thjeshta në fillim, meritojnë trajtim kirurgjikal në qoftë se persistojnë në kohë (në qoftë se nuk zhduken pas trajtimit medikamentoz).

Përgatitja para interventit

Gjithnjë gjinekologu juaj do t’ju përshkruajë hapat e interventit në mënyrë që ju të keni informacionin e duhur. Megjithatë, në qoftë se ju keni sërish pyetje edhe pas shpjegimit, mos hezitoni t’i bëni. Asnjë pyetje nuk është e vogël dhe e parëndësishme.

Trajtimi kirurgjikal

Trajtimi kirurgjikal përfshin 3 alterantiva:

Heqja e kisteve me laparoskopi – është teknika më e preferuar në kohët moderne. Laparoskopia quhet ndryshe edhe kirurgji e mbyllur pasi interventi kryhet pa hapur barkun. Në këto raste aspekti estetik është perfekt pasi nuk lë shenja në bark. Në këto raste pacientja mund të qëndrojë e shtruar në spital vetëm për 24 – 48 orë, pasi rikuperimi post operator është shumë i shpejtë gjatë laparoskopisë. Pacientet janë të afta për punë pas 1 jave pasi edhe shërimi është shumë i shpejtë.

Heqja e kisteve me laparotomi – është teknika klasike kirurgjikale. Quhet ndryshe edhe open surgery (kirurgji e hapur) pasi për të kryer interventin (heqjen e kistit) duhet të hapet barku (zakonisht përmes një linje transversale në pjesën e poshtme). Jo gjithnjë kistet mund të hiqen përmes laparoskopisë. Në këto raste laparotomia është teknika e duhur (kur kistet janë të mëdha, kur ka dyshime për kancer, kur ka hemorragji etj).

Interventi kryhet nën anestezi të përgjithshme. Shërimi është më i gjatë se në rastin e laparoskopisë.

Aspirimi i kisteve – është një teknikë e cila përdoret rrallë.

Arsyeja është se kërkohet 100% siguri që nuk kemi të bëjmë me një rast kisti malinj dhe sepse janë shumë të paktë ata mjekë që mund ta aspirojnë kistin.

Zakonisht kisti aspirohet përmes një age të montuar në ekon transvaginale. Nën drejtimin e ekos agia drejtohet në brendësi të kistit dhe aspirohet përmbajtja e tij. Aspirimi zakonisht rezervohet në kistet e thjeshta folikulare apo kistet e vogla të endometriozës përpara Fertilizimit In Vitro. Procedura është e njëjtë me aspirimin e vezëve gjatë fertilizimit in vitro, ndaj edhe mjekët që mund ta kryejnë këtë procedurë janë vetëm ata që merren me Fertilizim In Vitro./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here