Kryefaqja Vip-Shendet Klodian Hoxha: Zbuteni zemërimin, nuk ju duhet krenaria!

Klodian Hoxha: Zbuteni zemërimin, nuk ju duhet krenaria!

0
Shpërndaje

Klodian Hoxha

Bisedoi: Elena Beta, “Shëndet+”

“Zbutja e Kryeneçes” ka qenë kryefjala e muajve të fundit për të gjithë ata që adhurojnë teatrin dhe jo vetëm. Ndaj “fytyra” e Hortencios, prezantuar nga aktori karizmatik Klodian Hoxha ka qenë jo pak e përfolur këto ditë.

Në fokus të rubrikës “Vip Shëndet” të gazetës “Shëndet+”, aktori na njeh më shumë me “Klodin” përtej teatrit, përtej roleve, ashtu si ai jeton në përditshmëri. Ai flet për kujdesin që tregon për pamjen, trupin, “pasionin” për gatimin, për “sekretet” e zbutjes së kryeneçeve të ditëve të sotme, si dhe opinionet e një aktori mbi fenomenet që na rrethojnë çdo ditë…

Klodi, çfarë është shëndeti për një aktor?

Shëndeti për mua është gjëja më e domosdoshme. Nëse nuk ke shëndet, nuk ke as produktivitet në fusha të tjera, përfshirë këtu edhe artin. Siç ka thënë dhe Dalai Lama: “Njeriu sakrifikon shëndetin e tij për t’u pasuruar. Pastaj sakrifikon paratë për t’u shëruar. Dhe pastaj, ai është aq në vështirësi për të ardhmen, saqë nuk e shijon më të tashmen; duke çuar në atë që (ai) njeriu nuk jeton më në të tashmen, por të ardhmen; jeton si të mos kishte vdekje dhe pastaj vdes sikur të mos kishte jetuar”.

Ke luajtur ndonjë rol mjeku? Nëse do të të duhej ta luaje, si do ta realizoje? Si do t’i joshje njerëzit të bënin vizita mjekësore?

Nuk më ka rastisur kurrë të marr rolin e një mjeku. Nëse do të më duhej ta luaja atë rol, në radhë të parë do të përballesha me një mjek të vërtetë, do të mësoja më shumë se si i pret pacientët, si sillet me ta, çfarë mjeku është, do të përpiqesha të hyja brenda personazhit në mënyrë që ta realizoja rolin ashtu si duhet. Do t’i joshja me mënyrën e të sjellurit. Pse jo, do t’i ftoja për një vrap në natyrë (qesh). Gjithsesi, kur ta bëj rolin e mjekut mund të realizojmë një intervistë tjetër ku mund të flas më shumë për detajet (qesh).

Shpesh, për shkak të roleve, ndodh të shohim aktorët të bëjnë ndryshime drastike në trup (Rasti i aktores Anne Heathway që humbi 12 kile për rolin e saj tek filmi “Të mjerët”). Të ka ndodhur të bësh sakrifica të tilla? Nëse do ta propozonin, do ta pranoje?

Momentalisht po punoj për një rol ku më duhet të bëj një ndryshim të tillë, drastik, por është akoma surprizë, nuk dua të zbuloj më shumë. Ndodh shpesh që aktorët mund të shtojnë apo të humbasin peshë për shkak të roleve, unë e kam pranuar me kënaqësi. Në fund të fundit, e kam marrë parasysh kur kam vendosur ta zgjedh aktrimin si profesion. Puna e aktorit është të përshtatet me rolin.

Gatimi konsiderohet si një “art më vete”… Di të gatuash?

Mundohemi ndonjëherë (qesh). Spageti, rizoto, vezët i bëj të ziera (qesh). Pjata që di të gatuaj më mirë, është rizoto.

Na e jep pak recetën?

Është e thjeshtë! Çdo gjë me masë, varet për sa veta gatuaj, zakonisht 3 gota ujë dhe 1 gotë e gjysmë oriz, pasi uji shteron pak, shtoj perimet e ndryshme (sipas preferencës, brokol, kungull, lulelakër, karrota) dhe i le të ziejnë derisa të shterojë i gjithë uji. E shoqëroj gjithmonë me fileto pule.

Sa e nevojshme është palestra për ty?

Tani, në këtë moment e konsideroj tepër të rëndësishme, pjesë të programit të jetës sime. Kjo për faktin se e shikoj si një mënyrë për të shkarkuar ndjesitë dhe emocionet negative. Mendoj se palestra duhet të konsiderohet si kulturë edhe në Shqipëri, ashtu si në të gjithë botën. Jashtë vendit, palestrat janë shumë të lira dhe ti mund të bësh abonime 1-vjeçare duke shkuar 3 herë në javë, në këtë mënyrë jeton shëndetshëm dhe njëkohësisht mban trupin në formë.

Po për metodat e reja të dobësimit dhe tonifikimit (me elektroda) çfarë mendon?

Absolutisht nuk i preferoj. Unë nuk dua të bëj trup, dua thjesht të qëndroj në formë duke u ushtruar, jo artificialisht. Mund të them gjithashtu se nuk i rekomandoj. Çdo gjë artificiale të bën keq…

Vitet e fundit njerëzit po priren shumë drejt kirurgjisë estetike. Mendon se një aktor i pashëm ka më shumë mundësi apo fama varet nga karakteri?

Për aktorët është gabim i madh nësë ndërhyjnë në portretin e tyre. Duhet të ruajnë origjinalitetin. Operacionet janë më shumë për modelet apo njerëz të televizionit, të cilët mund ta kenë të nevojshme të bëjnë ndonjë ndërhyrje në hundë apo veshë për t’u dukur më estetikë në ekran. Nuk jam kundër, por për një aktor nuk janë të nevojshme. Nëse ti bën një ndërhyrje në portret, edhe mimika nuk reagon ashtu si duhet, sidomos hunda. Hunda është karakteri i njeriut. Nëse ti ndërhyn në hundë, ti bëhësh një person tjetër dhe nuk ke më lidhje me rolin që mund të të ofrohet, pasi ti përzgjidhesh për mimikën që ke, sidomos për një aktor që është i afirmuar.

Sa e nevojshme është përkujdesja për pamjen e jashtme në jetën e përditshme? Je mik me produktet kozmetike?

Nuk jam i fiksuar. Përdor hidratues për fytyrën, antidjersë, depilimet. Jemi më të hapur tani drejt këtyre gjërave (qesh)

klodi 2

“Zbutja e Kryeneçes” është kryefjala e njerëzve që adhurojnë teatrin këto ditë. Sa mendon se ia keni dalë të tejkaloni Katerinën dhe Petruçon e Yllka Mujos dhe Artan Imamit?

Nuk dua të bëj një krahasim për një shfaqje që është vënë në skenë para 20 vitesh dhe një shfaqe që vihet tani në 2016, pasi janë kohë komplet të ndryshme. Përsa i përket asaj shfaqjeje, ajo ka pasur bujën e vet, suksesin e vet, ndërsa shfaqja e ditëve të sotme, ka regji tjetër, vjen komplet ndryshe.

Mënyra e të sjellurit, mënyra e aktrimit, kjo është një shfaqje dinamike, nuk është statike siç ka qenë në atë kohë, nëse bëj një paralelizëm. Gjithsesi, gjithsecila ka vlerat e veta. Unë mund të them që kjo shfaqje është pritur mjaft mirë nga publiku, është realizuar me shumë dashuri dhe përkushtim nga i gjithë stafi me në krye regjisoren Elma Doresi.

Ne jemi munduar të punojmë mirë dhe i kemi marrë benefitet mbrapsht, pasi është hera e 16-të që po jepet shfaqja dhe të gjitha biletat janë shitur. Ky është një tregues i rëndësishëm që dëshmon sukses.

Në komedinë “Zbutja e kryeneçes” Shekspiri vendos përballë vlerat e dashurisë me martesat dhe kompromiset. Deri ku mendon se duhet të arrijë kompromisi në një lidhje?

Tani, varet sa ta lejon partneri kompromisin (qesh). Kompromis duhet të ketë gjithmonë në lidhje, po nuk pati kompromis nuk do të funksionojë. Të flasim me përqindje, të paktën 60% kompromis i bën mirë një lidhjeje.

Të ka ndodhur të zbutësh ndonjë “kryeneçe”?

(Qesh) Jemi të rrethuar nga shumë kryeneçe, sidomos në Shqipëri. Tani ne mundohemi t’i zbusim nga pak, por sa ia kemi arritur nuk e dimë asnjëherë, pasi në mendjen tonë themi se i zbutëm, por se çfarë kemi bërë pastaj, mbetet gjithmonë enigmë. Duhet marrë përgjigjja nga kryeneçet, përgjigje që nuk ta japin kurrë.

Cili është sekreti për të zbutur kryeneçet?

Unë nuk isha në rolin e zbutësit, megjithatë mund të them se mesazhi i fabulës është që nuk zbutet kurrë ajo kryeneçja, por ne na u duk sikur e zbutëm, kjo ka rëndësi, u kënaqëm (qesh).

Mesazhi që komedia përcjell për të gjitha kryeneçet është: zbuteni zemërimin, nuk ka për çfarë ju duhet krenaria!

Sipas teje, çfarë vlera duhet të kesh që të quhesh aktor i mirë? Si e vlerëson të ardhmen e artistëve dhe artit të mirëfilltë në vendin tonë?

Të jesh artist do të thotë të jesh i gjithanshëm. Në radhë të parë duhet të jesh njeri, të kesh një bekgraund të caktuar. Aktor i mirë konsiderohet dikush që ka talent, ka të dhëna shumë të mira për t’u bërë dikush në skenë.

Përsa i përket të ardhmes së artit dhe artistëve, mendoj se nuk mund të parashikosh të ardhmen në Shqipëri, kur këtu nuk parashikohet asgjë. Mendoj se duhet të ketë më shumë mbështetje nga ana e shtetit, pasi arti ka filluar të ecë, ka disa vite që ka më shumë afrim drejt teatrit, drejt filmit.

Duhet vëmendja e shtetit, ai duhet të motivojë artistët, t’i përkrahë ata, t’i krijojë kushte aktorit. Pallati i teatrit gjithashtu ka nevojë për rregullim, sepse publiku po vjen, ka interes, por nuk ka kushte të mira. Të paktën teatri kombëtar duhet të ofrojë më tepër kushte, një prapavijë shumë të madhe dhe një staf më të madh aktorësh.

Një mesazh për lexuesit e “Shëndet+”

Çfarë mendojnë të tjerët për ty nuk është puna jote…

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here