Kokrrat kundër shtatzënisë, a po keqinformon ministria?!

Në fletushkat e shpërndara në gjimnaze rezulton se pilulat e emergjencës mund të përdoren “pas çdo marrëdhënieje të pambrojtur seksuale”. Në të kundërt, gjinekologët thonë se ato duhet të përdoren sa më rrallë

FletushkatÇështja se kur duhen përdorur kokrrat e urgjencës është vendosur në një pikëpyetje të madhe. Kjo për faktin se në broshurat që qarkullojnë nëpër gjimnaze dhe që mbajnë vulën e Ministrisë së Shëndetësië, thonë se ato mund të përdoren pas çdo marrëdhënieje seksuale të pambrojtur.

E pyetur nga gazeta “Shëndet+”, mjekja e një prej gjimnazeve të Tiranës thotë se nuk është e vërtetë që këto kokrra mund të përdoren vetëm dy herë në vit. Sipas saj, ato mund të përdoren më shpesh, pas çdo marrëdhënieje seksuale të pambrojtur, pa pasur probleme. Gjithashtu edhe në fletushkat që mbajnë vulën e Ministrisë së Shëndetësisë, nuk thuhet asgjë as për efektet e tyre anësore.

Por çfarë thonë mjekët gjinekologë?

Lidhur me një deklaratë të tillë, por edhe me fletushkat që qarkullojnë nëpër gjimnaze, gazeta “Shëndet+” vendosi të kontaktojë me dy mjeke gjinekologe dhe të marrë mendimin e tyre, nëse informacioni i dhënë nga ministria është apo jo i vërtetë.

Rubena Moisiu

Dr. Rubena Moisiu

Rubena Moisiu, drejtoreshë e maternitetit “Koço Gliozheni”:

Pretendimi i mjekëve të shkollave apo fletushkës që ju thoni, nuk është i drejtë. Përkundrazi është gabim total, pasi përdorimi i shpeshtë i kokrrave të urgjencës sjell një çrregullim total të aksit hormonal. Nuk po e kufizojmë përdorimin vetëm dy herë në vit, por duhet të jemi të kujdesshëm dhe të kufizuar në përdorimin e tyre, pasi sjellin çrregullime të ciklit, si dhe një sërë problemesh të tjera shëndetësore, të rënda për femrat.

Doktoresha Kozeta Mustafaraj

Doktoresha Kozeta Mustafaraj

Kozeta Mustafaraj, obstetër-gjinekologe:

Kontracepsioni i urgjencës nuk duhet përdorur në mënyrë të rregullt si metodë kontraceptive, për shkak të efikasitet të ulët dhe shkallës së lartë të dështimit si metodë. Marrja e vazhdueshme e tyre jep çrregullime të ciklit menstrual.

Këto pilula kanë edhe efekte anësore, si: infeksion, flakja nga organizmi apo përforacioni (çarja e mitrës). Përdorimi i pilulave të urgjencës mund të shoqërohet me të përzjera, të vjella, ndryshime në ardhjen e ciklit, dhimbje të gjoksit, lodhje, dhimbje koke, dhimbje barku. Nëse efekti i tyre dështon, nuk përjashtohen mundësitë për barrë jashtë mitre.

Problemi

Në fakt, është e rëndësishme që të gjithë të rinjtë të marrin një mendim nga mjeku gjinekolog në lidhje me përdorimin e kokrrave të urgjencës. Studimet më të fundit tregojnë se adoleshentët sa vijnë e përfshihen më shpejt në marrëdhënie seksuale duke rritur kështu, përveç të tjerash, edhe rrezikun për sëmundje seksualisht të transmetueshme. Në një studim të kryer së fundmi në Greqi, u ngrit problemi se adoleshentet i pinë kokrrat e urgjencës si “karamele”, duke i shkaktuar kështu vetes probleme të mëdha shëndetësore. Po për rastin në fjalë, kush e mban fajin?

Nëse i vetmi shqetësim qëndron në faktin se adoleshentet nuk duhet të mbeten shtatzëna, a ka ndonjë përgjegjësi për faktin se edhe kur të bëhen gra ato mund të mos lindin fëmijë?

Postime të ngjashme

Nobeli i Mjekësisë shkon për “çelësin e dritës” që ndez dhe fik neuronet
Gjashtë fëmijë të një kopshti përfundojnë në spital në Korçë, dyshohet për helmim
829 raste të reja me kancer gjiri në 2025, ISHP: Ulet vdekshmëria, ja qarqet me incidencën më të lartë
Vitamina D3: Përfitime për shëndetin dhe si ta merrni në mënyrën e duhur
Uri fizike apo emocionale? Endokrinologia shpjegon si ta kuptoni pse po hani
Dërgonin pacientë me kancer në klinikat private, SPAK mbyll hetimet për Onkologjikun
Fruthi rikthehet fuqishëm në SHBA, 5 viktima në Pensilvani/ Mbi 3,650 raste gjatë vitit 2026
Mjekja: Obeziteti te moshat pediatrike, kambanë alarmi