Për Gazeta Shëndet Plus, Manjola Liko, kardiologe
Kolesteroli është një substancë e dylltë që gjendet tek yndyrat (lipidet) në gjak. Kolesteroli I nevojitet trupit për të prodhuar qeliza të shëndetshme, por, nivelet e larta të tij mund të rrisin rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës.
Kolesteroli i lartë shkakton zhvillim të depozitave dhjamore në enët e gjakut, duke vështirësuar transportimin e gjakut në arterie. Si pasojë, zemra nuk mund të marrë mjaftueshëm gjak të pasur me oksigjen, duke rritur kështu rrezikun për zhvillimin e atakut në zemër. Furnizimi i pakët me gjak në tru gjithashtu mund të shkaktojë goditje në tru.
Hiperkolesterolemia (kolesteroli i lartë) është pra pikërisht ajo gjendje e cila i referohet shifrave të rritura të nivelit të kolesterolit në gjak dhe mund të vijë për dy arsye: 1. Si pasojë e një stili jetese të pashëndetshëm dhe 2-Për shkak të çrregullimeve gjenetike.
Simptomat
Kolesteroli i lartë nuk shfaq simptoma. Prandaj, mënyra e vetme për të zbuluar nëse vuani nga kolesteroli i lartë është analiza e gjakut.
Kur duhet të paraqiteni te mjeku
Konsultoheni me mjekun e familjes nëse duhet të bëni një analizë të kolesterolit. Në varësi të moshës bëhen edhe rekomandimet për kryerjen e kontrollit të kolesterolit. Nëse rezultatet nuk janë brenda vlerave të dëshiruara, rekomandohet të bëni kontrolle më të shpeshta. Rekomandohet teste më të shpeshta edhe nëse keni ndonjë histori familjare me kolesterol të lartë, sëmundje të zemrës ose faktorë të tjerë rreziku, si duhanpirja, diabeti ose tensioni i lartë i gjakut.
Shkaqet
Kolesteroli transportohet bashkë me gjakun, duke u bashkuar me proteinat. Bashkimi i proteinave me kolesterolin quhet lipoproteinë. Mund të keni dëgjuar për lloje të ndryshme të kolesterolit, në varësi të llojit të kolesterolit që lipoproteinat përmbajnë. Ato janë:
Lipoproteina me densitet të ulët (LDL). LDL, ose kolesteroli i “keq” transporton grimca të kolesterolit në të gjithë trupin. Ato ngjiten pas mureve të arterieve, duke i forcuar dhe ngushtuar.
Lipoproteina me densitet të lartë (HDL). HDL ose kolesteroli i mirë, rikthen kolesterolin e tepërt në mëlçi.
Faktorë si pasiviteti, obeziteti dhe një dietë e pashëndetshme, çojnë në rritjen e niveleve të kolesterolit LDL dhe uljen e niveleve të kolesterolit HDL.
Faktorët e rrezikut
Faktorët që mund të rrisin rrezikun për zhvillimin e hiperkolesterolemisë (kolesteroli i lartë) janë:
Dieta e varfër ushqimore:Yndyrat e ngopura dhe trans, të gjendura tek produktet shtazore dhe biskotat, mund të rrisin nivelet e kolesterolit. Ushqimet e larta në kolesterol, si mishi i kuq apo produktet e qumështit (djathi, gjalpi), mund të rrisin gjithashtu nivelet në total të kolesterolit.
Obeziteti: Indeksi i lartë i masës trupore është një tjetër faktor rreziku për kolesterolin e lartë.
Perimetri i madh i belit. Burrat me perimetër të belit mbi 102 cm dhe gratë me perimetër të belit mbi 89 cm janë më të rrezikuara.
Pasiviteti – Aktiviteti fizik ndihmon në rritjen e nivelev të kolesterolit të “mirë” HDL, ndërkohë që rrit madhësinë e grimcave që formojnë kolesterolin e “keq” LDL, duke i bërë ato më pak të dëmshme.
Duhanpirja. Pirja e duhanit dëmton muret e enëve të gjakut, duke rritur akumulimin e depozitave yndyrore. Duhanpirja mund të ulë gjithashtu nivelet e kolesterolit të “mirë” HDL.
Diabeti
Nivelet e larta të sheqerit në gjak kontribuojnë në rritjen e niveleve të kolesterolit të keq LDL dhe uljen e niveleve të kolesterolit të mirë HDL.
Komplikacionet
Kolesteroli i lartë mund të shkaktojë arterosklerozë, një akumulim i rrezikshëm i kolesterolit dhe depozitave të tjera në muret e arterieve. Këto depozita (pllakë bakteriale) mund të ulin rrjedhjen e gjakut nëpër arterie, duke shkaktuar komplikacione të tilla si:
Dhimbje të kraharorit. Nëse preken arteriet që furnizojnë zemrën me gjak (arteriet koronare), mund të keni dhimbje të kraharorit (angina) dhe simptoma të tjera të sëmundjes së arteries koronare.
Atak në zemër. Nëse pllaka bakteriale çahet ose këputet, në vendin e çarë mund të krijohet mpiksje e gjakut, duke bllokuar rrjedhjen e gjakut. Nëse ndalohet furnizimi me gjak në arteriet afër zemrës, mund të pësoni atak në zemër.
Goditje në tru. Ashtu si ataku në zemër, nëse bllokohet furnizimi me gjak në një pjesë të trurit, mund të pësoni goditje në tru.
Parandalimi
Për të parandaluar kolesterolin e lartë, duhet të:
- Konsumoni një dietë të pasur në fruta, perime, drithëra dhe kufizoni kripën.
- Kufizoni yndyrat shtazore dhe përpiquni që t’i zëvendësoni me yndyrat bimore (vaj ulliri).
- Humbisni kilet e tepërta dhe mbani një peshë normale të trupit.
- Hiqni dorë nga duhani
- Kryeni aktivitet fizik të paktën 30 minuta çdo ditë.
- Kufizoni alkoolin (konsumojeni me masë).
Diagnoza – Vlerat e dëshiruara të kolesterolit në gjak
Një analizë e gjakut për matjen e niveleve të kolesterolit – quajtur ndryshe paneli lipid – tregon për:
- Kolesterolin në total
- Kolesterolin LDL
- Kolesterolin HDL
- Trigliceridet
Për rezultate më të mira, rekomandohet që mos të hani apo pini asgjë për 9 deri 12 orë para se të merren mostrat e gjakut.
Kolesteroli i “keq”
- 100 – Normal
- 101-129 – Afër normales
- 130 – 159 Në kufi të të lartit
- 160 – 189 I lartë
- 190 Shumë i lartë
Pjesa më e madhe e kolesterolit në gjak transportohet nga proteinat e quajtura lipoproteina me densitet të ulët (LDL) – që njihet ndryshe si kolesteroli i keq sepse bashkohet me substanca të tjera dhe shkakton bllokim të arterieve. Një dietë e lartë në yndyra të ngopura dhe trans rrit nivelet e koelsterolit LDL. Për shumicën e njerëzve, nivelet poshtë 100 të LDL-së janë normale, ndërkohë që shumë njerëz me sëmundje të zemrës duhet të marrin mjekime për të ulur nivelet e LDL-së.
Kolesteroli i “mirë”
- 60 – Normal
- 40 – I ulët për burrat
- 50 – i ulët për gratë
Më shumë se 1/3 e kolesterolit në gjak transportohet nga lipoproteinat me densitet të lartë ose HDL. Quhet koelsteroli i mirë sepse ndihmon të larguar kolesterolin e keq, duke parandaluar kështu formimin e pllakës bakteriale në arterie. Sa më të larta të jenë nivelet e larta të kolesterolit HDL, më mirë. Konsumimi i yndyrave të shëndetshme, si vaji i ullirit, mund të ndihmojë në rritjen e niveleve të kolesterolit HDL.
Trigliceridet
Trupi i konverton kaloritë e tepërta, sheqerin dhe alkoolin në trigliceride, një lloj yndyre që ruhet në qelizat dhjamore në trup. Njerëzit që janë mbipeshë, pasivë, duhanpirës ose abuzojnë me alkoolin, janë të predispozuar të kenë nivele të larta të triglicerideve, ashtu si ata që konsumojnë një dietë shumë të pasur në karbohidrate. Nivelet më të larta se 150 të triglicerideve ju rrezikojnë nga sindroma metabolike, që lidhet me sëmundjet e zemrës dhe diabeti.
Kolesteroli total
Nivelet e LDL-së, HDL-së dhe VLDL-së (lipoproteina me densitet shumë të ulët) të kombinuara së bashku formojnë nivelet në total të koelsterolit. VLDL është pararendës i LDL-së, kolesteroli i keq. Niveli total i kolesterolit duhet të kontrollohet bashkë me faktorët e tjerë të rrezikut për sëmundjet e zemrës./ Shendeti.com.al


