Prof. Asoc. Dr. Ilir Kajo
Koliti Spastik, ose ndryshe Sindromi i Zorrës së Irrituar, është një nga patologjitë më të shpeshta që ndeshet në të sëmurët ambulatorë në shërbimin e gastoenterologji hepatologjisë. Është një sëmundje e cila nuk jep dëmtime të organeve të hapësirës së barkut ose organeve të tubit tretës, ku futen stomaku, zorra e hollë, zorra e trashë, mëlçia dhe pankreasi.
Përpara çdo doktori që ndeshet me Sëmundjen e Sindromës së Zorrë së Irrituar, ose Kolitin Spastik, objektivi kryesor është që të ndajë nëse këto ankesa që ka i sëmuri janë ose jo të ndonjë sëmundje të kërcënueshme për jetën.
Por, kush janë ankesat që e çojnë mjekun gastoenterolog që të ndajë dhe të veçojë këtë sëmundje nga sëmundjet e tjera?
Kryesorja është një trijadë ankesash, që shoqërohet nga:
- dhimbja abdominale
- çrregullimet e jashtëqitjes
- fryrja e barkut
Organizatat e profesionisteve e kanë ndarë atë në sëmundje të Zorrës së Irrituar me predominim kapsllëkun, me predominim diarrenë ose një formë të tretë që i ka të dyja. Kjo do të thotë se një i sëmurë që ka dhimbje dhe fryrje barku, mund të ketë ose kapsllëkun si element, ose diarrenë ose të alternuara të dyja.
Çfarë do të kuptojmë me kapsllëk dhe diarre
Me kapsllëk kuptohet kur mënyra e jashtëqitjes është një herë në ditë me shumë vështirësi dhe sforcim, ose një herë në 2-3 ditë apo edhe më tepër.
Me diarre kuptohet kur i sëmuri del mbi 3-4 herë në ditë, por duhet dalluar që persistenca e këtyre simptomave të jetë afatgjate, mbi 3-4 muaj, që doktori të vendosë diagnozën dhe (triada e ankesave) të jetë e pashoqëruar me simptoma të tjera të cilat, nëse ekzistojnë, e bëjnë doktorin ta heqë vëmendjen nga Koliti Spastik dhe të dyshojë për sëmundje të tjera.
Kush janë këto simptoma që nuk shkojnë për Sindromën e Zorrës së Irrituar
- Gjakderdhja. Nëse një i sëmurë thotë dal kaps, kam dhimbje dhe fryrje barku (tri elementet kryesore të sëmundjes), dhe kapsllëku është i shoqëruar edhe me gjak, atëherë nuk kemi më të bëjmë me Sindromën e Zorrës së Irrituar, por duhet të kërkojmë burimin e hemorragjisë, që mund të jetë nga një sëmundje e thjeshtë inflamatore, deri në tumorale. Prandaj është detyrë e doktorit që në raste të tilla Kolitin Spastik ta kalojë në plan të dytë dhe të përqendrohet për të përjashtuar sëmundje të tjera.
- Temperatura. Ankesë tjetër që nuk shkon për Sindromën e Zorrës së Irrituar është temperatura. Koliti Spastik nuk shoqërohet me temperaturë. Nëse i sëmuri t’i thotë këto tre ankesa, dhe të shton edhe temperaturën, atëherë doktori e lë të fundit Sindromën e Zorrës së Irrituar ose Kolitin Spastik dhe kërkon të gjejë një shkak tjetër.
- Rënia në peshë. Rënia e theksuar në peshë nuk është gjithashtu tipar i Sindromës së Zorrës së Irrituar.
Përpara çdo të sëmuri me Sindromën e Zorrës së Irrituar, përveç diagnozës paraprake klinike që bazohet tek të dhënat që theksuam më lart, për vendosjen e një diagnoze përfundimtare do të mbështetemi tek një sërë ekzaminimesh klinike, ku më kryesori është ekzaminimi kolonoskopik (me sondë), i cili përshkruan pothuajse gjithë gjatësinë e zorrës së trashë. Në varësi të gjykimit që i bën doktori rastit, mund të bëhen edhe ekzaminime të tjera imazherike.
Trajtimi i Kolitit Spastik
Trajtimi i Kolitit Spastik është individual dhe ndryshon shumë nga individi në individ, në varësi të simptomave që ai prezanton. Një rol mjaft të rëndësishëm në trajtimin e Kolitit Spastik luan mënyra e të ushqyerit dhe të jetuarit.
Rëndësia e dietës dhe stili i jetesës
Mënyra e të ushqyerit ka të bëjë me një rregull të caktuar ngrënie, orare fikse, një përtypje të mirë dhe evitim të atyre produkteve që shtojnë fryrjen e barkut, diarrenë ose kapsllëkun.
Në përgjithësi tek këta të sëmurë duhen evituar ushqimet pikante, erëzat, ushqimet e konservuara, bishtajoret, ushqimet e shpejta, të skuqurat, mishi i kuq, qumështi etj. Zakonisht ne i orientojmë këta pacientë të hanë më tepër fruta, perime dhe zarzavate, sigurisht gjithmonë të përtypura mirë. Mund të përdorin peshkun dhe mishin e pulës, por asnjëherë të skuqura në vaj të nxehtë, vetëm në furre ose të ziera. Kosi është gjithashtu një produkt shumë i mirë pasi, veç vlerave ushqimore, shërben edhe si probiotik që rregullon florën bakteriale të tubit tretës.
Një rol po kaq të rëndësishëm në trajtimin e kësaj sëmundje ka edhe tipi psikologjik i individit. Ka persona që shkallën e përjetimit të fryrjes së barkut e kanë shumë të madhe. Disa të tjerë edhe një dhimbje me nivel minimal e bëjnë alarmante. Kjo kërkon një durim të madh nga mjeku për të shpjeguar sëmundjen, për të shpjeguar parrezikshmërinë e saj dhe me anë të një psikoterapie duhet që mjeku dhe i sëmuri të kenë besim reciprok, në mënyrë që i sëmuri të mos ketë dominante përjetimin e sëmundjes.
Tek ata persona që nuk arrijnë ta bëjnë këtë gjë, atëherë përdoret terapia mediakmentoze, që ka të bëjë kryesisht me sedativët, qetësuesit e sistemit nervorë, antispastikët që ulin kontraksionet /ngërçet e tubit tretës, si dhe antimeteorikët që janë kundër uljes së presionit të ajrit në zorrë.
Terapia medikamentoze jepet në varësi të intensitetit të ankesave dhe gjithmonë mbahet një lidhje e ngushtë me doktorin për vijueshmërinë e sëmundjes, dozat dhe kohëzgjatjen e saj.
Njëkohësisht për këta pacientë rekomandohet të evitohen qëndrimet në lagështi, në të ftohtë ose përballë kondicionerëve, sepse të gjithë këta faktorë e fusin tubin tretës në një gjendje spastike./ Shendeti.com.al


