Kryefaqja Aktualitet Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, seancë dëgjimore me rastin e...

Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, seancë dëgjimore me rastin e Ditës Botërore Kundër Kancerit

0
Shpërndaje

Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë zhvilloi sot, një seancë dëgjimore me rastin e ditës botërore kundër kancerit,ku fokusi i diskutimeve ishte sëmundja e kancerit dhe lufta kundër “një fokus ky shumë i rëndësishëm për shëndetin e pacientëve në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë” e cilësoi kryetarja e komisionit znj. Grida Duma. Mbledhja u zhvillua me pjesëmarrjen e institucioneve shtetërore dhe grupeve të interesit.

Të ftuar në komision ishin znj. Mira Rakacolli zëvendësministre në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Silva Çeliku Shefe Shërbimi në QSUT, si dhe përfaqësues nga grupet e interesit nga OJF që shërbejnë në gjithë Shqipërinë.

Znj. Rakacolli në fjalën e saj e konsideroi një nga sfidat më të mëdha të shëndetësisë përballjen me këtë sëmundje. Në informacionin që solli përpara komisionit, zëvendësministrja foli për garantimin dhe mbulimin e linjës së parë dhe të dytë të medikamenteve për sëmundjet tumorale në spitale, duke përfshirë edhe terapi inovatore apo të targetuara për këto sëmundje.

“Lista e Barnave të Rimbursueshme është zgjeruar me 29 barna të reja për mbulimin e sëmundjeve tumorale. Nga kjo paketë kanë përfituar mbi 7.500 pacientë, që i përkasin një spektri prej 31 patologjive tumorale, të cilëve u garantohet falas trajtimi. Financimi për terapitë me barna për sëmundjet tumorale është mbi 21 milion euro ose 150% më shumë se 8 vite më parë” raportoi znj. zëvendësministre.

“30 deri në 50% të kancerave mund të parandalohen duke shmangur faktorët e rrezikut dhe duke zbatuar strategjitë ekzistuese, parandaluese të bazuara në fakte dhe në evidencë. Gjithashtu barra e kancerit mund të zvogëlohet përmes zbulimit të hershëm të tij, trajtimit dhe kujdesit të duhur të pacientëve që zhvillojnë kancer. Kur indentifikohet herët ka më shumë gjasa që ti përgjigjet trajtimit dhe probabiliteti I mbijetesës është më I madh, sëmundshëmria më e ulët dhe trajtimi më pak I kushtueshëm.

“Në Shqipëri duke u bazuar në Regjistrin Kombëtar të Kancerit që funksionon që prej vitit 2015 pranë Insitutit të Shëndetit Publik evidentohen mesatarisht 6000 raste të reja kanceri në vit. Kancerat më të shpeshta, ashtu si edhe në botë janë kanceri i gjirit, kanceri i mushkrive, kanceri i lëkurës, megjithëse rrezikshmëria e tyre është më e vogël. Në Shqipëri këto 3-4 kategori kancerash që u përmendën më lart përbëjnë rreth 40% të të gjithave rasteve të reja të raportuara në sistemin tonë shëndetësor” tha znj. Rakacolli në Komision.

Pjesmarrës në Komisionin e SHëndetësisë për të raportuar lidhur me situatën e pacientëve me sëmundje të rënda, sa i takon aksesit në medikamente dhe shërbime shëndetësore ishin edhe përfaqësues të Shoqatës Together for Life. Znj. Denisa Canameti menaxhere e programit të Shëndetësisë në këtë organizatë, u ndal tek ndikimi që pati pandemia covid-19 në programet e depistimit të kancerit.

“Mes shërbimeve specifike për sëmundjet jo të trasmetueshme depistimi i kancerit duket të ketë qenë më i prekuri nga pandemia. Gjatë periudhës së karantinës në 2020, pati rënie te shërbimeve të depistimit për kanceret:

  • Programi i depistimit të kancerit cervical, në periudhën janar- prill 2020, në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë, depistimet ranë me 65%
  • Programi i mamografisë lëvizëse, në periudhën janar- prill 2020, në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë, depistimet ranë me 50%
  • Programi i depistimit të kancerit kolorektal- në periudhën janar- prill 2020, në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë, depistimet ranë me 50%

“Kufizimi i ndërhyrjeve jo urgjente gjatë pandemisë, ulja e kontrolleve bazë, reduktimi i trajtimeve për të sëmurët kronikë, ulja e konsultave periodike, si dhe reduktimi i depistimeve për tumoret rrezikojnë në të ardhmen përkeqësim të gjendjes klinike dhe rritje të fataliteteve edhe pas pandemisë për personat me tumor, probleme në zemër, veshkat dhe hypertension.

“Sëmundjet kanceroze kanë një barrë ekonomike të konsiderueshme si në sistemin shëndetësor, ashtu edhe në ekonominë familjare, për këtë arsye, derisa jemi në fazën e hartimit të strategjive të reja, të parashikohen format e menaxhimit të programeve të kancerit në periudha emergjence shëndetësore” tha Canameti

Together for life prej disa muajsh po bën përpjekje avokuese me institucionet shëndetësore, që sëmundjet jo të transmetueshme, përfshirë edhe kancerin, të jenë të ezauruara në dokumentin strategjik të shëndetësisë ku të jenë të parashikuara format e menaxhimit në çdo situatë të jashtëzakonshme, duke marrë parasysh faktin që në situata pandemie/epidemie, këta të sëmurë janë kontigjenti më i rrezikuar për të pësuar vdekje apo paaftësi të mëtejshme.

Ky artikull u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e saj është përgjegjësi e vetme e projektit “Mbro Shëndetin, Menaxho Sfidat – MSHMS”, i zbatuar nga Shoqata Together for Life me mbështetjen e Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit si pjesë e projektit “Dialog për zhvillim politikash gjithëpërfshirëse në Shqipëri-ideAL” dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here