Komplikacionet më të shpeshta te fëmijët, bronkitet dhe bajamet

bronkit 2

Gëzim Shehu
Mjek pediatër
Ndryshimet e theksuara të temperaturave të këtyre ditëve të fundit kanë shtuar ndjeshëm problemet te fëmijët, që janë kontigjenti më i ndjeshëm ndaj faktorëve të jashtëm të mjedisit. Shqetësimet më të hasura kanë qenë virozat, të cilat komplikojnë në rinofaringitet dhe tonsilitet (bajamet). Mjeku pediatër, Gëzim Shehu, jep disa këshilla se si mund të mbrohen të vegjlit gjatë stinës së ftohtë:
Doktor, ditët e fundit janë shtuar rastet e virozave të fëmijët. Pse kjo grupmoshë është kontingjenti më i ndjeshëm ndaj ndryshimeve të temperaturave?
është e vërtetë që ndryshimet e temperaturave ndikojnë në sëmundshmërinë e fëmijëve, duke favorizuar kështu shfaqjen e gjendjeve virale, të cilat mund të japin komplikacione, ku më të shpeshtat janë rinofariongiteve dhe tonsilitet.
Fëmijët janë më të predispozuar për t’u prekur nga këto probleme, sepse jetojnë në kolektiva dhe shpesh këto viroza transmetohen nga njëri fëmijë te tjetri. Sigurisht në shfaqjen e këtyre problemeve ndikon dhe gjendja e sistemit imunitar, që te fëmijët është më i dobët sesa tek një i rritur.
Nga se shkaktohen këto viroza?
Shkaqet janë ndryshimet e menjëhershme të temperaturave,luhatjet e theksuar të temperaturës, lagështia, ndotja e ambientit, të cilat krijon kushte të favorshme për shfaqjen e virozave.
Mund të flasim për epidemi?
Nuk mund të them se bëhet fjalë për epidemi, por nga numri i rasteve që po paraqiten, nuk përjashtohet që mund të bëhet fjalë për fillim të një epidemie gripi.
Cfarë ankesash shfaq fëmija?
Forma më e fundit e virozave shfaqet me temperaturë të lartë që mund të shkojë deri në 39, skuqje të lehtë dhe djegie fyti, rrufë, por mund të shoqërohet shpesh herë edhe me të vjella, diarre, dobësi trupore dhe mungesë oreksi.
Çfarë komplikacionesh mund të japin nëse nuk trajtohen si duhet?
Në mosha disi më të rritura virozat mund të kalojnë në sinozit, otit, ose në komplikacione që prekin rrugët e poshtme të frymëmarrjes: bronshite, bronkopneumoni, sidomos te fëmijët që janë të predispozuar për t’u prekur nga infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.
Kush janë më të predispozuar të shfaqin komplikacione?
Kontigjent i rrezikuar për të shfaqur komplikacione janë fëmijët alergjikë, ose ata astmatikë, të cilët për shkak të këtyre luhatjeve të temperaturës mund të shfaqin kriza. Por nuk përjashtohen dhe ata fëmijë që shfaqin shpesh ulje të rezistencës së sistemit imunitar.
Si mund të parandalohen këto probleme?
Parandalimi konsiston në ruajtjen e fëmijës nga korrentet e ajrit, një regjim i mirë, sidomos të atyre që janë të predispozuar për të pasur të tilla probleme. Mbajtja në kontrollin e mjekut, në fazën e shfaqjes së shqetësimeve të para, por dhe një veshje e përshtatshme, që është një element mjaft i rëndësishëm në parandalimin e problemeve të tilla. Po ashtu nuk duhet të lihet mënjanë një regjim ushqimor me sa më shumë lëngje të freskëta, fruta-perime të pasura me vitamina, proteina që rrisin rezistencën e organizmit. Këshillë tjetër është bërja e vaksinës anti-grip, sidomos te fëmijët që janë kontingjent risku.
Pavarësisht se vaksina mund të përmbajë antitrupa për një virus, që nuk është shpërthyes i epidemisë së gripit, ndikon në forcimin e sistemit imunitar dhe ndihmon që gripi të përballohet më lehtë nga fëmijët.
Kur duhet t’i drejtohemi mjekut?
Nëse fëmija ka temperaturë të lartë për 2-3 ditë, nëse ka dhimbje fyti, kollë, që nis të ndryshojë, apo kur pas qetësimit në dukje simptomat rishfaqen, atëherë duhet drejtuar te mjeku. Kjo sepse mbi virozën mund të mbivendoset një infeksion, i cili mund të kalojë deri poshtë në bronke dhe të japë komplikacione, që kërkojnë një trajtim më të gjatë.
Në rastin kur shfaqen problemet, çfarë mund të bëhet në kushtet e shtëpisë?
Gjithmonë virozat kërkojnë vetëm trajtim sintomatik. Kështu, për temperaturën, përveç analgjezikëve dhe suposteve, mjaft të mira janë dhe banja me ujë të ngrohtë. Ndërsa për rrufën mund të përdoren avujt e mentolit, dafinës ose dhe kamomilit, sepse forcojnë mukozat e hundës dhe aparatit të frymëmarrjes.
Këshillë tjetër është një rregjim ushqimor i pasur me lëngje të pasura me vitaminën C, që ndikon në forcimin e sistemit imunitar.
Gjithsesi, pavarësisht këshillave të mësipërme, prindërit duhet të qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm me mjekun pediatër, për të eliminuar komplikacionet e mundshme.
shenjat

  • Fëmija mund të shfaqë:

temperaturë (që shkon deri në 39.5 gradë)

të vjella

diarre

kollë

dhimbje fyti

skuqje bajamesh

dhimbje veshi

mungesë oreksi

dobësi të përgjithshme trupore

dhimbje barku

 

 

Postime të ngjashme

Miopia - pandemia e shekullit 21! Okulisti: Alarmante tek fëmijët, ja shkaku
Si ndikon koha para ekranit në zhvillimin e trurit të fëmijëve
9 gjërat që çdo prind i ri duhet të dijë, sipas mamive
Autizmi virtual, fëmijë me vonesa në zhvillim e të folur për shkak të “celularit në dorë”
Studimi: Kujdes me antibiotikët te fëmijët e vegjël, shkaktojnë edhe obezitet!
A kanë fëmijët dhimbje koke nga migrena? Çfarë duhet të dinë prindërit
Terapia e Aerosolit, mund të shkaktojë takikardi tek bebet
4-vjeçarja humb ndjenjat, ekspertët ngrejnë alarmin për rreziqet që sjellin pijet "slushy"