Kryefaqja Aktualitet Koncesionet malinje fundosin buxhetin e shëndetësisë

Koncesionet malinje fundosin buxhetin e shëndetësisë

0
Shpërndaje

Pagesat për katër koncesionet me PPP të shëndetësisë dolën jashtë parashikimeve dy vitet e fundit. Më 2018, Fondi i Sigurimeve akumuloi 5 milionë euro detyrime ndaj koncesionit të sterilizimit, e njëjta situatë është edhe këtë vit. Më 2020, pagesat për PPP do të zënë 20 % të fondeve në dispozicion për shërbimin spitalor, nga më pak se 1 % që ishin në vitin 2014. Kontratat pa studime të qarta fizibiliteti lënë të hapura shtigjet për financime shtesë. Kjo ka ndodhur me shërbimin laboratorik në vitin e parë të nisjes së punës. PPP po thithin me shpejtësi fondet për shëndetësinë, duke lënë spitalet pa investime dhe mjekët pa rritje pagash. KLSH zbulon absurditetin se PPP-ve u faturohet TVSH-ja në një kohë që shërbimet në shëndetësi përjashtohen nga ky tatim.

Blerina Hoxha

Pagesat buxhetore për koncesionet në shëndetësi, ato për Check Up, sterilizimin, shërbimin laboratorik në spitale dhe dializën do të arrijnë në vitin që vjen në 4.5 miliardë lekë. Kjo shumë është sa 20 % e fondit që iu akordua shërbimit spitalor këtë vit, ose 36 % e të ardhurave që pritet të mblidhen nga kontributet e sigurimeve shëndetësorë vitin që vjen. Pagesat për PPP në shëndetësi do të zënë në vitin që vjen 10% të totalit të fondeve publike që janë planifikuar për sektorin e shëndetësisë më 2020. Gazmend Koduzi, i cili punoi në pozicione të larta drejtuese në Fondin e Detyrueshëm të Sigurimeve Shëndetësore, një institucion që menaxhon buxhetin në sektorin e shëndetësisë, tha se deri në vitin 2014, kostoja buxhetore për shërbimet që ofrojnë koncesionet sot ishte e papërfillshme.

Situata do të rëndohet më tej, për shkak se kontratat koncesionare janë lidhur pa studime të qarta fizibiliteti dhe në këtë mënyrë, lënë shtigje të hapura për rritjen e financimeve në periudhat e mëvonshme. Për shembull, kur u lidh kontrata për koncesionin e sterilizimit, u mor në konsideratë numri i operacioneve të zhvilluara para vitit 2014. Me plakjen e popullsisë dhe rritjen e sëmundshmërisë, nevoja për shërbime kirurgjikale është rritur. Vitin e kaluar, në të gjithë vendin, u kryen rreth 90 mijë ndërhyrje kirurgjikale në qendrat spitalore. INSTAT raportoi se në vitin 2018 u bënë rreth 8 mijë operacione më shumë se në vitin 2017. Për pasojë, pagesat ndaj kompanisë koncesionare, Sani Servise vitin e kaluar arritën mbi 2 miliardë lekë, ose rreth 4 milionë euro më shumë se parashikimi vjetor 1.5 miliardë lekë. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka pohuar se janë akumuluar mbi 5 milionë euro detyrime ndaj kompanisë që ofron sterilizimin me PPP. Zoti Koduzi thotë se e njëjta situatë pritet të përsëritet edhe në koncesionin e laboratorit, pasi projeksionet për analizat dhe financimet janë të gabuara.

Ministria e Financave raportoi në buxhetin e vitit 2020 një vlerë 32 për qind më të lartë për financimin total të katër kontratave koncensionare në shëndetësi se dy vite më parë. Vlera e tyre raportua 34.2 miliardë lekë në buxhetin e vitit 2018, ndërsa në projektbuxhetin e vitit 2020  për të njëjtat PPP u raportuan 45.4 miliardë lekë ose 11.2 miliardë lekë më shumë (rritje 25%).

E gjendur në këtë situatë, pa mundur të zhbëjë kontratat PPP, të cilat i ka lidhur me shpejtësi dha pa treguar përgjegjësinë e duhur, qeveria po përdor disa instrumente që bien në kurriz të shëndetit të popullatës. Vitin e kaluar, FDSKSH shkurtoi shpenzimet kapitale, nuk dha bonusin për mjekët specializantë dhe fondet e kursyera i kanalizoi si pagesa për koncesionin e sterilizimit. Rritja e shpenzimeve përtej çdo parashikimi e vuri Ministrinë e Shëndetësisë në pozita të vështira e cila vitin e kaluar pezulloi disa operacione të lehta jo të domosdoshme në QSUT. Por, edhe me këtë kufizim, rritja e operacioneve ka vijuar me ritme të larta edhe në vitin 2019. Fondi dhe Ministria e Shëndetësisë kanë urdhëruar të gjitha qendrat spitalore rajonale që të shkurtojnë me të paktën 20 % operacionet, duke orientuar vetëm në operacionet e emergjencave. Shpenzimet për koncesionin e sterilizimit zunë mbi 5 % të buxhetit në sektorin e shëndetësisë gjatë vitit të kaluar. Ritme të ngjashme, edhe më të larta, priten edhe këtë vit pasi i gjithë fondi vjetor i planifikuar për koncesionin e sterilizimit është konsumuar që në muajin shtator.

Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj interesimit të “Monitor” për tejkalimin e kostove dhe për faturimin me TVSH të koncesioneve, ndërkohë që mallrat dhe shërbimet e lidhura me shëndetësinë janë të përjashtuar me ligj nga TVSH.

Shpenzimet e paplanifikuara të koncesionit të sterilizimit dhe nisja e financimit për shërbimin laboratorik do të vënë para një presioni edhe më të fortë financat e shëndetësisë. Në vitin 2020, për herë të parë, asnjë funksion në sektorin e shëndetësisë nuk do të ketë rritje pagash, edhe pse vendi është në presionin e largimit të masiv të stafit mjekësor nga vendi edhe për këtë shkak.

Por situata me koncesionet në shëndetësi është disi më e ndërlikuar në drejtim të kostos, pasi qeveria i faturon shërbimet e tyre me gjithë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, teksa ligji i TVSH i përjashton furnizimet e mallrave dhe shërbimeve në shëndetësi nga fatura e TVSH-së. P.sh., çmimi i një vizite në spitalet private nuk faturohet me TVSH, por buxheti i shtetit i paguan faturat e katër koncesionarëve me TVSH. Eksperti ligjor, Artan Kodheli, komentoi se ky është një absurditet tjetër që shoqëron kontratat koncesionare. Njohës i legjislacionit, në veçanti atij shëndetësor, ai tha se, koncesionet në sektorin e shëndetësisë janë përtej çdo logjike ekonomike dhe ligjore.

Pasojat

Shpenzimet e paplanifikuara të koncesionit të sterilizimit dhe nisja e financimit për shërbimin laboratorik do të vënë para një presioni edhe më të fortë financat e shëndetësisë. Në vitin 2020, për herë të parë, asnjë funksion në sektorin e shëndetësisë nuk do të ketë rritje pagash, edhe pse vendi është në presionin e largimit të masiv të stafit mjekësor nga vendi edhe për këtë shkak.

Burimi:Monitor

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here