Shqipëria është cilësuar në disa gazeta apo media botërore si perla e pazbuluar e Ballkanit. Kjo vjen si rezultat i nënës natyrë, që e ka bekuar me një pozitë gjeografike tepër të favorshme për zhvillimin e florës dhe faunës.
Një “Perlë” e spikatur ndër të tjera është edhe Qarku i Dibrës, i cili shtrihet në pjesën verilindore të Shqipërisë, në zonën qendrore malore në dy anët e lumit Drini i zi dhe në luginën e Matit. Dy lumenjtë që e përshkojnë si edhe burimet e shumta nëntokësore e bëjnë qarkun e Dibrës ndër të tjera një pasuri ujore. Shtrirja gjeografike është e favorshme që kjo zonë të ketë një flora tejet të zhvilluar me përafërsisht 66% pyje duke e kthyer në potencial të rëndësishëm mjedisor dhe ekonomik, ku vlera më e madhe janë shfrytëzimi bimëve mjekësore. Elemente kryesorë të një flore të zhvilluar janë fushat dhe pyjet, ku ndër të tjera dallojnë pyjet e ahut, pishës dhe bredhit, të cilat kanë vlerë të shtuar ekonomike, përpos të tjerave. Relievi dhe klima e favorshme mundëson që në këtë zonë të ndodhen të gjitha katet bimore të vendit tonë: nga shkurret tek livadhet alpine. Fondi pyjor në Rrethin e Dibrës ka livadhe e kullota që arrijnë në 34,193 HA si dhe sipërfaqe prodhuese deri në 12,899 HA.
Qarku i Dibrës ka gjithashtu pasuri nëntokësore si kromi, gipsi, polimetale, argjila, gëlqere, mermeri dhe guri gëlqeror.
Edhe pse në dukje qarku i Dibrës ka të gjitha pikëpamjet e një zone natyrore të zhvilluar, dëmtimet nuk mungojnë. Kjo vjen si pasojë e mbishfrytëzimit të resurseve që kjo zonë ofron. Shumë nga pyjet janë dëmtuar për shkak të prerjeve ilegale për shfrytëzim individual, material ndërtime apo edhe dru zjarri.
Për këtë arsye është thuajse imponuese nevoja për administrim, konservimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e tyre me qëllim përmirësimin ekonomiko-shoqëror në këto zona si fillim.
Për të mbrojtur dhe ndihmuar në zhvillimin e mëtejshëm të këtyre zonave është tejet e nevojshme të kemi përkufizime legjislative:
- “Zona të mbrojtura” shpallen territore tokësore, ujore, detare e bregdetare të caktuara për mbrojtjen e diversitetit biologjik, të pasurive natyrore dhe kulturore, bashkëshoqëruese, të cilat menaxhohen me rrugë ligjore dhe me metoda shkencore bashkëkohore. (neni 3 pika 1)
- “Monument natyror “1. Formacioni natyror (përfshirë edhe dru të veçantë), me sipërfaqe deri 50 ha, formacioni i veçantë gjeologjik dhe gjeomorfologjik, një depozitë mineralesh ose një habitat i një lloji të rrallë e të kërcënuar ose me rëndësi e vlerë të veçantë shkencore dhe estetike, shpallet monument natyror.
- Në një monument natyror zbatohet shkalla e parë e mbrojtjes.
- Në pajtim me shkallën e mbrojtjes së zonës Ministri i Mjedisit, në bashkëpunim me Ministrin e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit dhe Ministrin e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, miratojnë rregulla të veçanta për kalim vizitorësh (turistë), për afate të shkurtra kohore. (neni 7)
Nga ana tjetër këto përkufizime ligjore nuk ndikojnë negativisht në zhvillimin e veprimtarive qe ndihmojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë zhvillimin ekonomiko-kulturore. Thjeshtë, këto veprimtari zhvillohen nën ndikimet legjislative për të konservuar dhe mirë menaxhuar qoftë për veprimtari ekonomike, shoqërore, turistike apo kërkimore. Përkundrazi, duke e cilësuar si më lart, organet qendrore dhe pushtetet vendore nxisin dhe përkrahin nisma e projekte qe synojnë edukimin, zhvillimin si dhe përmirësimin e zonave të mbrojtura, gjithmonë brenda parametrave ligjore.
Për të konkluduar, konservimi dhe menaxhimi i monumenteve natyrore duke u bazuar në ligje ndërkombëtare është një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e këtyre zonave, në disa aspekte; qoftë këto ekonomike, kulturore, turistik, etj. Besojmë se mund ta mbajmë epitetin e mirëvendosur nga media botërore, por kjo kërkon edukim, sensibilizim dhe administrim lokal për te arritur standarde bashkëkohore./ Shendeti.com.al


