Konstatohet rast tjetër i diskriminimit të pacientëve me sëmundje të rëndë mendore

Me Vendimin nr. 46, dt. 28.03.2019, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka konstatuar diskriminimin e drejtpërdrejtë për shkak të “përkatësisë në një grup të veçantë” dhe “aftësisë së kufizuar” të shtetasit A.N. nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ndaj këtij shtetasi, gjykata ka dhënë masën mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor” pasi, në kushtet e sëmundjes së rëndë mendore ka kryer veprën penale “Prishje të rendit dhe qetësisë publike”.

Ky është rasti i dytë brenda 4 muajve i ndjekur nga Shoqata Together for Life, për të cilin Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka konstatuar diskriminim dhe shkelje të të drejtave themelore të pacientëve me sëmundje të rënda mendore.

Sipas Vendimit të mësipërm, trajtimi aktual i këtyre pacientëve bie ndesh me Ligjin nr. 44/2012, “Për shëndetin mendor”, i cili ka në thelb të tij mbrojtjen dhe promovimin e shëndetit mendor, parandalimin e problemeve që lidhen me të, garantimin e të drejtave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për personat me çrregullime të shëndetit mendor. Situata e rëndë e shkeljes së të drejtave të pacientëve mendorë që padrejtësisht mbahen në burgje është konfirmuar edhe nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, e cila, në muajin Mars 2019 ka rrëzuar padinë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për shfuqizimin e vendimit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Vendimet e mësipërme të institucioneve të pavarura dhe gjyqësore përbëjnë shtysa të forta për institucionet përgjegjëse shtetërore për vënien në funksionim të ambienteve psikiatrike në IEVP Lezhë, si zgjidhje e përkohshme por edhe ngritjen dhe funksionimin e një spitali të posaçëm psikiatrik për trajtimin e 280 pacientëve me sëmundje të rënda mendore, si zgjidhje afatgjatë që përmbush standardet ligjore. Paraprakisht, është e nevojshme të miratohet edhe vendimi i Këshillit të Ministrave, për garantimin e sigurisë së këtyre shtetasve, në bazë të ligjit të mësipërm, që ende nuk është miratuar.

Ngritja e funksionimi i një spitali të posaçëm psikiatrik për këta pacientë do të garantonte të drejtat e tyre themelore, në respektim të detyrimeve kushtetuese si dhe rekomandimeve të Komitetit të Parandalimit të Torturës të Këshillit të Evropës, të Avokatit të Popullit, të shoqërisë civile, etj, në përputhje me rrugëtimin Evropian të vendit./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni