Konsumi për shëndetësinë, vetëm 40% e BE-së; gjysmën e faturës e paguajnë familjet, rekord në Europë

Shqipëria vijon të mbetet shumë larg Bashkimit Europian për burimet që shkojnë në shëndetësi. Diferenca është e madhe jo vetëm në euro, por mbetet e thellë edhe pasi eliminohet efekti i çmimeve më të ulëta në vend.

Krahas nivelit shumë më të ulët të konsumit real për frymë, sistemi shqiptar karakterizohet edhe nga një barrë shumë më e madhe financiare që bie drejtpërdrejt mbi familjet, që detyrohen të financojë nga xhepi gati gjysmën e shpenzimeve shëndetësore, si rrjedhojë e shpenzimeve të ulëta të qeverisë.

Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2025, konsumi individual për shëndetësinë në Shqipëri llogaritet në 662 euro për banor, kundrejt 3,675 eurove mesatarisht në BE.

Në vlerë nominale, Shqipëria arrin kështu vetëm në 18% të mesatares europiane të shpenzimit për banor. Nivelet më të uëlat në Europë janë në Maqedoninë e veriut (390 euro).

Në total, sipas Eurostat konsumi për shëndetësinë në Shqipëri në vitin 2025 ishte 1.56 miliardë euro. Kjo shumë përfaqëson 7.7% të konsumit individual aktual, ndërsa në BE shëndetësia zë 13.4%. Në rajon, kryesimin e mban Serbia, me 11.5%, ndërsa niveli më i ulët është në Maqedoninë e Veriut, me 5.8%.

Ky tregues nuk përfshin vetëm pagesat që qytetarët bëjnë drejtpërdrejt nga xhepi. Sipas metodologjisë së Eurostat, “Konsumi aktual individual” llogarit mallrat dhe shërbimet që konsumohen nga individët, pavarësisht nëse financohen nga vetë familjet, nga shteti apo nga institucione të tjera. Për këtë arsye, te shëndetësia përfshihen edhe shërbimet e financuara nga fondet publike.

Diferenca nominale me Europën ndikohet nga çmimet. Niveli i çmimeve të produkteve dhe shërbimeve shëndetësore në Shqipëri në 2025 ishte vetëm 44.6% e mesatares së BE-së. Si rrjedhojë, 662 euro në Shqipëri blejnë më shumë shërbime sesa e njëjta shumë në një vend mesatar të BE.

Megjithatë, edhe pas korrigjimit për diferencat e çmimeve, hendeku mbetet i thellë. I shprehur në standardin e fuqisë blerëse, konsumi për shëndetësinë arrin në rreth 1,500 PPS për banor në Shqipëri, kundrejt rreth 3,700 PPS në BE. Pra, volumi real i mallrave dhe shërbimeve shëndetësore të konsumuara për person në Shqipëri është vetëm rreth 40% e mesatares europiane.

Si rrjedhojë, diferenca nuk mund të shpjegohet vetëm me faktin që mjekët, analizat, barnat apo shërbimet e tjera kushtojnë më pak në Shqipëri. Edhe kur krahasimi bëhet me çmime të barazuara, shqiptarët kanë në dispozicion një volum dukshëm më të ulët shërbimesh dhe produktesh shëndetësore.

Edhe treguesit e përgjithshëm të financimit të sistemit japin të njëjtën tablo. Sipas bazës së të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të publikuara edhe nga Banka Botërore, shpenzimet korrente për shëndetësinë në Shqipëri ishin 7.05% e PBB-së në vitin 2023. Në Bashkimin Europian, në të njëjtin vit, ato arritën në 10% të PBB-së.

Shqiptarët paguajnë shumë më tepër nga xhepi

Përveçse shpenzimet për shëndetin në tërësi janë të ulëta, problemi bëhet edhe më i dukshëm kur shihet mënyra si financohet kujdesi shëndetësor. Në Shqipëri, 48.27% e shpenzimeve korrente për shëndetësinë në 2023 u paguan drejtpërdrejt nga familjet, sipas të dhënave nga Banka Botërore. Praktikisht, pothuajse një në çdo dy euro të shpenzuara për shëndetin del drejtpërdrejt nga xhepi i qytetarëve.

Ky është niveli më i lartë në Europë. Në vend të dytë është Maqedonia e Veriut (39.6%) e ndjekur nga Bullgaria (35.5%). Në rajon, pagesat më të ulëta nga xhepi janë në Mal të Zi (26.3)

Në BE, pagesat direkte të familjeve përbënin vetëm 14.9% të shpenzimeve shëndetësore.

Dallimi lidhet me rolin shumë më të madh që ka financimi kolektiv në vendet e BE-së. Në vitin 2023, 52.3% e shpenzimeve shëndetësore në BE financoheshin nga skemat e detyrueshme të sigurimit dhe 28.2% nga skemat qeveritare. Së bashku, këto burime mbulonin 80.6% të faturës së shëndetësisë. Në Shqipëri, burimet publike vendase financonin rreth 49.6% të shpenzimeve korente për shëndetësinë në 2023./monitor

Postime të ngjashme

Mjekja shpjegon pse rënia në peshë nuk është gjithmonë në dorën e pacientit
Si të zgjidhni pastën e duhur të dhëmbëve?
Çfarë do të thotë të jesh i pashëndetshëm? Mjekja shpjegon faktorët që ndikojnë në shëndet
hipertensioni
Nga hipertensioni te diabeti, sëmundjet që mund të shkaktojë obeziteti
Rama për protestuesit: Kanë nevojë për psikolog dhe trajtim
"Vijnë me plagë që kërkojnë qepje"- Klinikat private në ndihmë të protestuesve të lënduar, mjeku: Kemi ambulancë në terren
Kirurgu: Plumbat e gomës mund të invalidizojnë, policia të ndërpresë përdorimin e tyre
Udhëzimet e reja mjekësore: Terapia hormonale rekomandohet për lehtësimin e simptomave të menopauzës