Përshtati në shqip për “Shendeti.com.al“: Fize Smailaj
Shpeshherë është diskutuar rreziku që mund të ketë mbi fëmijën konsumimi i kafeinës nga nënat shtatzënë. Si drogë që është, kafeina ka efekte psikologjike te përdoruesit e saj, efekte këto që kalojnë nga nëna te fëmija me anë të placentës. Pyetja që ngrihet në këtë rast është së deri në ç’masë mund të shkaktojë dëm konsumimi i kafeinës gjatë shtatzënisë?
Ekzistojnë shumë teori në lidhje me rreziqet që mund t’i shkaktojë fetusit kafeina. Le t’i hedhim një sy këtyre rreziqeve të mundshme, dhe studimet e kryera për t’i vërtetuar ose jo ato.
Kafeina gjatë shtatzënisë shkakton abort?
Shumë mjek obstetër dhe gjinekologë i këshillojnë nënat shtatzënë që të heqin dorë plotësisht prej kafeinës, pasi konsumimi i saj gjatë shtatzënisë rrit rrezikun e abortit. Shumë studime kanë treguar se ka shumë shanse që të ndodhë abort te gratë shtatzëna, të cilat konsumojnë sasi të pakontrolluar kafeine.
Një studim i vitit 2002 tregoi se gratë që konsumonin 8 ose më shumë kafe në ditë (më shumë se 800 mg kafeinë) rrezikonin ta humbnin fëmijën para javës së njëzetë të shtatzënisë.
Një tjetër studim tregoi se nënat shtatzënë që konsumonin 600 mg ose më shumë kafeinë në ditë, rrezikonin ta humbnin fëmijën pas javës së njëzetë të shtatzënisë.
Një studim i kryer në Kaliforni tregoi se, nënat që konsumonin më shumë se 300 mg kafeinë në ditë, rrezikonin të abortonin gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë.
Nga një studim i vitit 2002 u dol në përfundimin se konsumimi i rregullt ditor i 200 mg kafeinë dyfishonte rrezikun e abortit.
Një studim i vitit 2016 tregoi se si gratë ashtu edhe burrat që përpiqeshin të kishin fëmijë dhe konsumonin të paktën dy pije në ditë me përmbajtje kafeine, kishin shumë shanse që shtatzënia e tyre të përfundojë në abort.
Kafeina pengon rritjen e fetusit?
Gjithashtu besohet se kafeina pengon rritjen e fëmijëve dhe bebeve ende të pa lindura. Për sa i përket pengimit që mund t’i shkaktojë rritjes së fëmijëve, nuk ka shumë prova, por janë kryer shumë studime që e mbështesin këtë teori për foshnjat e pa lindura.
Një studim i vitit 2008 tregoi se gratë shtatzëna që konsumonin 100 ose më shumë mg kafeinë në ditë, rrezikonin më shumë të pengonin rritjen e fetusit. Ndërsa një studim i vitit 2013 tregoi se gratë që konsumonin kafeinë kishin më shumë rrezik të lindnin fëmijë nënpeshë.
Kafeina gjatë shtatzënisë krijon hiperaktivitet tek fëmijët?
Disa doktorë mund t’i paralajmërojnë nënat e ardhshme se përdorimi i kafeinës gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë hiperaktivitet te fëmijët e tyre. Por studimet e kryera mbi këtë tezë nuk e mbështesin një teori të tillë. Fëmijët e ekspozuar ndaj kafeinës kur janë në mitër, nuk janë më të rrezikuar nga hiperaktiviteti në krahasim më ata që nuk kanë qenë të ekspozuar ndaj saj.
Kafeina shkakton lindje të parakohshme?
Shumë njerëz besojnë se nënat që konsumojnë kafeinë gjatë kohës së shtatzënisë kanë shanse më të larta për lindje të parakohshme. Por a është e vërtetë kjo?
Studimet e kryera mbi këtë temë tregojnë që jo.
Një studim i vitit 2012, i kryer në Norvegji, tregoi se nuk ekziston asnjë lidhje midis konsumimit të kafeinës dhe lindjes së parakohshme. Dhe një studim i kryer në vitin 2010 nga Shoqata Amerikane për Ushqyerjen doli në të njëjtin përfundim.
Kafeina ka lidhje me leuceminë te fëmijët?
Një studim i kohëve të fundit tregoi se fëmijët, nënat e të cilëve pinin më shumë se 2 filxhan kafe në ditë, ishin më të rrezikuar për tu prekur nga leucemia.
Ata zbuluan se gratë shtatzëna që pinin :
- Pak kafe e rrisnin rrezikun e prekjes së fëmijëve të tyre nga leucemia me 20%.
- Më shumë se 2 filxhan kafe (rreth 300 mg kafeinë) , e rrisnin rrezikun te fëmijët e tyre me 60%.
- 4 ose më shumë filxhanë kafe (rreth 600 mg kafeinë) e rrisnin deri në 72 % rrezikun e prekjes së fëmijës tyre nga leucemia.
Besohet se kafeina ndryshon ADN e fetusit dhe e bën atë më të prekshëm nga leucemia.
Kafeina, shtatzënia dhe obeziteti tek fëmijët.
Një studim i kohëve të fundit e lidh konsumimin e kafeinës nga nënat shtatzënë me rritjen e obezitetit tek fëmijët.
Studimi 15 vjeçar zbuloi se fëmijët e lindur nga nëna që kishin vazhduar të pinin kafe edhe gjatë shtatzënisë, kishin 89% më shumë shanse për tu bërë obezë në krahasim me fëmijët, nënat e të cilëve nuk pinin kafe. Rezultatet varen edhe nga sasia e kafeinës që nëna konsumon, sa më shumë të konsumojë, aq më i madh është edhe rreziku që fëmija të preket nga obeziteti.
Shkencëtarët besojnë se kjo ndodh sepse:
Është vërtetuar se truri ka një rol të rëndësishëm në rregullimin e oreksit dhe të proceseve të tjera të metabolizmit. Kafeina (një stimulues neutral) mund të prekë zhvillimin e trurit duke prekur edhe funksionet e neuroneve që janë themelore për funksionimin e trurit dhe të metabolizmit.
Sa kafeinë duhet të konsumojmë gjatë shtatzënisë?
Kolegji Amerikan i Gjinekologëve dhe Mjekëve Obstetër thotë se 200 mg ose më pak kafeinë në ditë nuk shkakton asnjë problem te fetusi, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë i këshillon gratë shtatzënë të mos konsumojnë më shumë se 300 mg kafeinë në ditë.
Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore ka publikuar së fundmi një kërkim mbi sigurinë e kafeinës. Ata dolën në përfundimin se nuk ka mjaftueshëm prova për të treguar se fëmijët rrezikojnë nga doza me më pak se 200 mg kafeinë.
Një tjetër studim i “Spitalit Mbarëkombëtar të Fëmijëve” tregoi se nuk ka prova se konsumimi i kontrolluar i kafeinës ka efekt negativ në zhvillimin e sjelljeve të fëmijëve gjatë jetës. Në studim u analizua niveli i kafeinës në kampionet e gjakut të marra tek nënat shtatzënë nga viti 1959 deri në 1974. Ato u krahasuan me të dhënat e sjelljeve dhe nivelin e inteligjencës tek fëmijët.
Edhe pse studimi i mësipërm tregon rritje të rrezikut vetëm kur sasia e kafeinës së konsumuar të është mbi 200-300 mg, disa studime të tjera tregojnë se rreziku ekziston edhe kur sasia e konsumuar është edhe më e ulët.
Kur bëhet fjalë për konsumimin e kafeinës nga gratë shtatzëna, do të ishte më mirë të hiqej dorë nga ajo. Megjithatë, nëse konsumohet në raste të rralla, ajo nuk paraqet asnjë rrezik për shëndetin e fëmijës. / https://shendeti.com.al/


