Kontrolli për moshat 40-65 vjeç, qendrat shëndetësore në kushte mjerane

Denisa Canameti

A i kanë qendrat shëndetësore kushtet për të realizuar chek-up-in e premtuar nga Ministria e Shëndetësisë në kuadër të fushatës “Si je”?. Nga disa vëzhgime në disa qendra shëndetësore gazeta “Shëndet+” u ndal në Kamëz, në zonën e quajtur Frutikulturë. Kjo zonë përmbledh një numër të konsiderueshëm banorësh.

Qendra shendetesore Kamze (3)

Situata në qendrën shëndetësore të Kamzës

Në qendrën shëndetësore të kësaj zone duket qartazi (shiko fotot) që nuk ka asnjë kusht të plotësuar për të nisur chek-up-in. Mjekja e familjes pranë kësaj qendre shëndetësore shprehet se pavarësisht se mjekët janë trajnuar për këtë fushatë, nuk është e mundur që projekti të realizohet, të paktën jo në kushte të tilla.

“Nuk mund të them që nuk do të realizohet si fushatë, por në këto kushte është e pamundur, pasi ne nuk kemi asnjë aparaturë, asnjë kusht”.  E pyetur nëse ka një sistem të dixhitalizuar të dhënash për banorët e asaj zone, ajo përgjigjet se në atë qendër shëndetësore nuk flitet të ketë një kompjuter, dhe jo më sistem të dixhitalizuar të dhënash.

Përveç kësaj, mjekja shprehet se ky projekt me shumë mundësi do të zhvendoset në spitalin e Kamzës pasi aty mund të kryhen këto ekzaminime për të cilat bëhet fjalë.

Qendrat shëndetësore në përgjithësi janë në gjendje të mjerueshme edhe kur bëhet fjalë për të përballuar dhe pritur pacientë të rastit. Nuk mund të flitet as për kushtin minimal që është sistemi i ngrohjes, ku përkundrazi nga fotot duket qartazi që xhamat  e dritareve janë të thyera, pacientët presin në diell që t’u vijë radha e vizitës.

Sigurisht që, nëse projekti do të zhvendoset në spitalin e Kamzës, (pavarësisht se thuhet qartësisht që do të kryhet nga infrastruktura e qendrave shëndetësore) fluksi i pacientëve do të jetë i papërballueshëm pasi ky spital çdo ditë përballon një numër të konsiderueshëm pacientësh. Numri i popullsisë së Kamzës arrin në 90 000 banorë (2011). Numri i familjeve në Kamëz arrin afërisht 20 000.

Qendra shendetesore Kamze (1)

Qendra shëndetësore e Kamzës

Ç’do të ndodhë nëse në kushte të tilla vendos të vihet në zbatim një fushatë e tillë? “Do të bëhet miting” shprehet drejtori i spitalit të Kamzës.

Kjo panoramë e Kamzës paraqitet e njëjtë edhe në shumë qendra të tjera shëndetësore ku është menduar që të kryhen check-up-e falas. Lidhur me datën e saktë se kur do të nisë projekti, mjekët nuk kanë asnjë ide duke u shprehur se gjithçka nis pas janarit. Përpara janarit është e pamundur, sepse ende gjithçka është në kuadër të planifikimit, ndërkohë që nuk është kryer asnjë lëvizje konkrete.

Ministria e Shëndetësisë duhet të kishte bërë një inspektim të hollësishëm të gjendjes së qendrave shëndetësore për të kuptuar se në kushte të tilla është e pamundur të vihet ky projekt në zbatim. Kjo situatë fakton edhe fjalët e presidentit të Urdhrit të Mjekut, i cili vetëm para disa ditësh në një deklaratë për mediat u shpreh se nuk ka një plan apo një strategji të mirëmenduar për këtë projekt.

Qendrat shëndetësore kanë nevojë për kushte për punë konkrete duke e prekur problematikën nga rrënjët. E vetmja lëvizje konkrete që ka bërë ministri në kuadër të kësaj fushate është pedalimi i datës 20 të këtij muaji nën moton “Pedalo për jetën”. Nëpërmjet kësaj forme argëtuese ministri mendoi që të niste fushatën sensibilizuese, edhe pse situata në dukje nuk lë vend aspak për argëtim, përkundrazi është koha për të “përveshur mëngët”.

Chek-up-i falas do të kryhet vetëm në qendrat shëndetësore të lagjes, ndërsa qendrat shëndetësore të specialiteteve nuk janë të përfshira. Kështu në Qendrën Shëndetësore të Specialiteteve numër 3 në Tiranë është trajnuar vetëm një infermiere, pasi kjo qendër nuk është e përfshirë në program, edhe pse qendrat shëndetësore të specialiteteve janë të vetmet që kanë kushtet për të kryer të gjitha ekzaminimet që janë të përfshira në paketë.

Postime të ngjashme

Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore
5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet