Koronarografia, hapet qendra e hemodinamikës në “Shefqet Ndroqi”

Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” do të ketë tashmë shërbimin e vet të specializuar të Hemodinamikës. Ditën e martë, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, zhvilloi në këtë qendër spitalore universitare me rastin e vënies në punë për herë të parë përveç QSUT-së, të qendrës së dytë publike në vend për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardio-vaskulare.

Prof. Dr. Perlat Kapisyzi, njëherësh edhe drejtor i SU “Shefqet Ndroqi”, tha se vënia në funksionim e këtij shërbimi vjen në Koronarografiavazhdën e transformimeve që po bëhen në këtë spitali universitar, dikur Sanatoriumi, për ofrimin e shërbimeve më të zgjeruara dhe shndërrimin e tij nga një spital i sëmundjeve të mushkërive, në një qendër spitalore universitare të sëmundjeve të brendshme. “Hapja e shërbimit të hemodinamikës, procedurave invazive të koronarografisë dhe stent-eve, do të ngrejë më lart performancën e shërbimit të spitalit tonë”.

Gjithashtu, edhe prof. Dr. Artan Goda, i pranishëm në këtë takim, theksoi se ky është një lajm shumë i gëzuar, pasi për herë të parë diversifikohet sektori publik në disa njësi, dhe kjo është në vazhdën e konsolidimit të mëtejshëm të ndërhyrjeve koronare në vendin tonë në të dy sektorët, atë privat dhe atë publik, duke i dhënë zgjidhje këtij problemi për shqiptarët, të cilët s’kanë nevojë të shkojnë askund, pasi këto lloj ndërhyrjesh zgjidhen tërësisht në çdo element në vendin tonë.

Duke folur për zgjerimin e mundësive të financimit me para publike për krijimin e një qendre të dytë publike, e cila përtej zgjerimit të ofertës, krijon edhe mundësinë për më tepër konkurrencë profesionale dhe më shumë zhvillim, ministri Beqaj u shpreh i bindur se “ajo çfarë mund të arrijmë vitin e ardhshëm, që do të jetë viti i plotë, do të jetë plotësimi i rreth 20% të nevojave me këtë shërbim, duke marrë parasysh QSUT-në,  këtë shërbim, financimin tek privati, dhe padyshim, edhe kabinetin që do të duhet ta hapim në Spitalin Rajonal të Shkodrës”.

Me funksionimin e plotë të këtij shërbimi, pritet që vitin e ardhshëm të realizohen nga ky spital rreth 1/5 e vëllimit të ndërhyrjeve të kardiologjisë mini-invazive që do të financohen me para publike, duke plotësuar kështu, gamën e shërbimeve dhe funksioneve që ky spital universitar ofron për pacientët shqiptarë. “Hapja e këtij shërbimi, e plotëson profilin e këtij spitali, si spital universitar i përgjithshëm, jo vetëm për sëmundjet e mushkërive, siç jemi mësuar normalisht,” – tha z. Beqaj, duke falënderuar drejtuesit e spitalit që e bën të mundur fillimin e funksiopnimit të këtij shërbimi, si dhe drejtuesit e shërbimit universitar të QSUT-së për mbështetjen profesionale që i dhanë këtij procesi.

Postime të ngjashme

Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni
Medikamentet GLP-1 RA: Çfarë duhet të presin personat me obezitet nga trajtimi me këto barna?
QSUT prej muajsh pa aparaturën e Litotripsisë, pacientët me gurë në veshka pa shërbim