Korrupsion me librezat e shëndetit, inspektori i ISHSH-së i shet ato për 3 mijë lekë

Inspektori

Nëse ju duhet një librezë shëndetësore për t’u punësuar, nuk është e nevojshme të kryeni vizita dhe kontrolle mjekësore tek mjeku i familjes, por mjafton vetëm të takoni inspektorin e duhur dhe të keni 3 mijë lekë me vete.

Gazetarët e “Fiks Fare” mësuan se në Institutin Shëndetësor Shtetëror është një inspektor që kundrejt pagesës të jep në dorë librezën e shëndetit dhe çdo lloj certifikate për të cilën ka nevojë një biznes. Inspektori Elion Karaj të siguron librezën e shëndetit brenda ditës duke plotësuar edhe shënimet e mjekëve specialistë në librezë. Ky inspektor punon pranë Institutit Shëndetësor Shtetëror dhe kundrejt pagesës, ai të jep librezën me 4 firma.

Gazetarët e Fiks Fare hiqen si pronar të një lokali që duan të pajisin punëtorët me librezë shëndeti, dhe i kërkojnë inspektorit që t’i pajisë me libreza. Gjatë bisedës, inspektori ju tregon që për të dalë libreza e shëndetit ka një afat kohor prej 3 ditësh.

Pyetjes së gazetarëve  nëse ka ndonjë mënyrë tjetër dhe më të shpejtë për të nxjerrë këtë librezë , inspektori Karaj u përgjigjet: “Tashti, më i bo shkurt e shkurt, 2 libreza shkojnë 60 mijë lekë  ore”.

Pasi të dyja palët bien dakord për shumën që duhet paguar për dy librezat, inspektori i ISHSH-së kërkon të dhënat e personave për të cilët duhet të nxirren librezat e shëndetit. Ai gjithashtu u premton të interesuarve në fjalë , gazetarëve të fiksit, se brenda ditës librezat i kanë në dorë. Pas dorëzimit të shumës prej gjashtë mijë lekësh të reja në orën 12 :00 të mesditës, Karaj pohon se në orën 16:00 librezat do të jenë gati.

Por inspektori Karaj ka dyshimet e tij dhe u kërkon gazetarëve të Fiksit emrin e personit që i ka adresuar tek ai: “Kush ju adresoi ore, se po me vika çudi, ndaj po them”.

Ai tregon se është inspektor në ministrinë e shëndetësisë dhe se ka ndihmuar shumë njerëz duke iu shitur librezat e shëndetit , ndaj dhe ka frikë se mos del në “Fiks Fare”.

Pas 4 orësh, gazetarët takohen sërish me inspektorin Karaj, i cili ju dorëzon dy librezat shëndetësore në dorë të rregullta e me vulë të Autoritetit Shëndetësor Rajonal Tiranë. Gazetarët e pyesin edhe për certifikatën e DDD-së (dezinfektim, dezinsektim, deratizim) për lokalin, nëse inspektori  mund t’i ndihmojë për ta nxjerrë edhe këtë në mënyrën që nxorën librezat shëndetësore. Inspektori kërkon informacion për sipërfaqen e lokalit dhe pohon se e bën edhe DDD-në kundrejt katërmijë lekëve: “Numrin e telefonit e ke?”, pyet ai.

Pra, lëshimi i librezave personale shëndetësore për individët që kanë detyrim pajisjen me to, kompetencë kjo e Inspektoratit Shëndetësor, nuk bëhet kundrejt tarifës shtetërore prej 500 lekë të rinj për çdo librezë, por lëshohen me pagesa në dorë, duke anashkaluar ekzaminimet mjekësore që kërkohen sipas rregullores në fuqi.

Rruga ligjore për t’u pajisur me librezën shëndetësore, e cila duhet të ripërtërihet çdo vit që nga data e nxjerrjes së saj, personat duhet të jenë klinikisht të shëndoshë, gjë që vërtetohet me tre vizita që ata duhet të kryejnë, te mjeku i mushkërive, te dermatologu dhe te mjeku i përgjithshëm i familjes.

Po kështu duhet të bëhet edhe koprokultura (analizë feçe), e cila kryhet pranë Autoritetit Rajonal Shëndetësor. Me kryerjen e këtyre ekzaminimeve shëndetësore, të interesuarit duhet t’i dorëzojnë ato pranë Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, duke paguar edhe një tarifë  shtetërore 500 lekë.

Por inspektori i ISHSH-së anashkaloi të gjitha këto procedura dhe lëshoi dy libreza shëndetësore që mbajnë datat e vizitave mjekësore tek mjekët, datën e dorëzimit të analizës së koprokulturës dhe dy numra librezash 7356 dhe 7357./ https://shendeti.com.al/

Postime të ngjashme

Ndahet nga jeta doktori i njohur pediatër Edi Tushe
Trump thyen rekordet, 22 specialistë marrin pjesë në kontrollin e tij mjekësor
Dy fëmijë humbin jetën nga fruthi! Rriten rastet e infektimit në Britaninë e Madhe, ndërsa shkalla e vaksinimit bie
Projekti i shëndetësisë, Banka Botërore bën bilancin: Nga “rrëzimi” i reformës së financimit te digjitalizimi
Plotësoi skedën e vdekjes së një 85-vjeçareje, doktoresha merret nën hetim/ Reagojnë mjekët në Mamurras
Ndikimi i dezinformimit në vaksinimin e fëmijëve
Siguria ushqimore, OBSH: Rreth 866 milionë njerëz sëmuren çdo vit nga ushqimi i kontaminuar
10 ushqimet më hidratuese