Kreu i OBSH-së në Shqipëri: Qëndroni të bashkuar dhe të fortë për t’a kapërcyer këtë krizë

“Masat parandaluese që ka ndërmarrë Qeveria e Shqipërisë janë marrë herët në fillim të përhapjes së shpërthimit epidemik në vend, pikërisht atëherë kur këto masa kanë efektivitetin maksimal,” thotë Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetit dhe Drejtuesi i Zyrës së OBSh-së në Tiranë, Dr. Raúl González-Montero.

Dr. Raúl Montero, i cili drejton zyrën e Organizatës Botërore të Shëndetit (WHO) në Shqipëri që nga maji i vitit 2019, e bën këtë koment në një bisedë me “Albanian Daily News,” duke u përqëndruar në çështje që lidhen me kërcënimin nga pandemia COVID-19 dhe luftën kundër saj.

Z. Montero shprehet se autoritetet shqiptare kanë qenë transparente dhe, që në momentet e para, kanë punuar në bashkërendim të ngushtë me OBSh-në. “Në fakt, ne jemi pjesë e Task-Forcës së krijuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të luftuar COVID-19”.

Duke folur për situatën në vend, Përfaqësuesi i OBSh-së thotë se qytetarët po i përgjigjen në mënyrë shembullore jo vetëm masave të distancimit shoqëror, por gjithashtu edhe treguesve të tjerë që ndihmojnë në parandalimin e mbingarkesës së institucioneve të kujdesit shëndetësor, duke telefonuar më parë 127. Sipas tij, roli i shoqërisë civile është thelbësor, veçanërisht në rritjen e vetëdijes sociale për përmasat e këtij kërcënimi dhe parandalimin e panikut.

Dr Raúl tha se OBSh-ja po punon në vijimësi me Shqipërinë për të vënë në zbatim dhe përmirësuar planin kombëtar të gatishmërisë, si dhe për të siguruar se është në gjendje të përgjigjet. “Ne po vijojmë të ofrojmë ndihmë të posaçme në terren apo në distancë, në varësi të mundësisë për të udhëtuar në kontekstin aktual.”

Rekomandimi i tij për shqiptarët është të mposhtin frikën dhe, siç tha ai, informacioni dhe solidariteti janë barnat më të mira për ta luftuar atë. “Ndarja e shqetësimet tona me ata që duam dhe respektojmë në rrethet tona shoqërore dhe familjare është një armë e mirë në këtë drejtim. Është thelbësore të besosh tek autoritetet tona shëndetësore.”

I pyetur në lidhje me thirrjen që shqiptarët të ‘qëndrojnë në shtëpi’ si një masë parandaluese kundër përhapjes së virusit, ai tha se punonjësit e zyrës së OBSh-së janë duke punuar në distancë dhe se kanë shtyrë të gjitha takimet ballë-për-ballë. Është provuar se kjo është masa më e efektshme për të parandaluar përhapjen e COVID-19, tha ai.

“Mesazhi ynë për shqiptarët është qëndroni të bashkuar dhe të fortë për t’a kapërcyer këtë krizë,” është thirrja që Përfaqësuesi i OBSh-së dhe Drejtuesi i Zyrës së OBSh-së në Shqipëri, Dr. Raúl González Montero, i’u drejton shqiptarëve në intervistën në vijim:

Albanian Daily News (AND): Dr. Raúl, kufizimi i përhapjes së mëtejshme të COVID-19 dhe zbutja e pasojave të tij janë tanimë një përparësi kryesore për qeverinë shqiptare si kudo në botë. Sipas vlerësimit tuaj, sa efektive dhe të shpejta kanë qenë masat e deritanishme parandaluese për fuqizimin e përpjekjeve për të mposhtur epideminë e virusit në Shqipëri?

Dr. Raúl González Montero: Masat parandaluese që ka ndërmarrë Qeveria e Shqipërisë janë marrë herët në fillim të përhapjes së shpërthimit epidemik në vend, pikërisht atëherë kur këto masa kanë efektivitetin maksimal. Ne mund të shohim rezultatet e mira si rrjedhojë e pajtueshmërisë me masat e distancimit shoqëror me ecurinë e ngadaltë të rritjes së numrit të rasteve të COVID-19, dhe në këtë pike, duhet të përgëzojmë përpjekjen dhe përgjegjshmërinë e popullatës – kjo është pikërisht ajo që duam të shohim. Masat e hershme dhe rrënjësore të ndërmarra nga Qeveria shqiptare kanë qenë një shembull për nën-rajonin e Ballkanit Perëndimor.

ADN: Si janë bashkërenduar përpjekjet për të luftuar kundër COVID-19 me autoritetet shqiptare, dhe veçanërisht me institucionet e linjës, dhe a jeni të kënaqur nga ky bashkërendim?
Dr. Montero: Absolutisht. Autoritetet shqiptare kanë qenë transparente dhe, qysh në momentet e para, kanë pasur një bashkërendim të ngushtë të punës me OBSh-në. Në fakt, ne jemi pjesë e Task-Forcës të krijuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të luftuar COVID-19. Ka një komunikim të rregullt ndërmjet MShMS-së dhe Zyrës sonë Rajonale.

ADN: Ndërkohë që zhvillohet pandemia, Dr. Raúl, a mendoni se autoritetet dhe qytetarët shqiptarë po reagojnë siç duhet për të mundësuar që përpjekjet për kufizimin e përhapjes së virusit dhe përballimit të pasojave të tij në njerëz, dhe përveç kësaj, a marrin qytetarët e zakonshëm informacion të dobishëm për kërcënimin e COVID-19? Dhe në vijim, a po luajnë media dhe shoqëria civile rolin e tyre efektiv për të rritur shkallën e ndërgjegjësimit të qytetarëve për t’iu bindur zbatimit të masave parandaluese?
Dr Montero: Siç e thashë edhe më parë, qytetarët po i përgjigjen në mënyrë shembullore jo vetëm masave të distancimit shoqëror, por gjithashtu edhe treguesve të tjerë që ndihmojnë në parandalimin e mbingarkesës së institucioneve të kujdesit shëndetësor, duke telefonuar më parë 127.
Roli i shoqërisë civile është thelbësor, veçanërisht në rritjen e vetëdijes sociale për përmasat e këtij kërcënimi dhe parandalimin e panikut. Një shoqëri e informuar mirë është shumë më e përgatitur për t’u përfshirë në mënyrë aktive në këtë betejë.
Qeveria po përshkallëzon masat, jo vetëm në theksimin e masave shumë efektive dhe të nevojshme për distancimin shoqëror, por edhe në rritjen e kapaciteteve për për përgjigje, duke filluar nga linjat dhe shërbimet e thirrjeve telefonike të urgjencës, e deri në përforcimin e sistemit të kujdesit shëndetësor.

ADN: Kur flitet për ndihmë konkrete, çfarë mund të thoni për ndonjë plan mbështetës të OBSh-së për Shqipërinë, që do t’i mundësonte këtij vendi përballimin e krizës së COVID-19, duke përfshirë zbulimin e shpejtë të rasteve, ndalimin e transmetimit të virusit dhe kujdesin për të prekurit?
Dr Montero: OBSh-ja po punon në vijimësi me Shqipërinë për të vënë në zbatim dhe përmirësuar planin kombëtar të gatishmërisë, si dhe për të siguruar se është në gjendje të përgjigjet. “Ne po vijojmë të ofrojmë ndihmë të posaçme në terren apo në distancë, në varësi të mundësisë për të udhëtuar në kontekstin aktual. OBSh-ja ka hartuar mjaft udhëzime teknike në të gjitha fushat e punës: ne po mbështesim çdo vend për zhvilluimin e planeve teknike dhe zbatimin e veprimeve të përparësisë në kuadrin e një strategjie të fuqishme mbarëkombëtare.

ADN: Ndërkohë, çfarë veprimesh propozon OBSh-ja për të kufizuar rreziqet afatshkurtra për punonjësit dhe kostot afatgjata për bizneset dhe ekonominë? Dhe, së dyti, a ka ndërmarrë Zyra e OBSh-së në Tiranë ndonjë veprim konkret në këtë aspekt?
Dr. Montero: Në skenarin aktual, OBSh-ja e përqendron punën e saj në aspektet shëndetësore të shpërthimit epidemik. Në këtë fushë, ne po promovojmë punën në distancë aty ku është e mundur, ashtu siç është rekomanduar shumë herët edhe nga autoritetet shqiptare. Aspekte të tjera mjaft të rëndësishme, siç është ndikimi në ekonomi i kësaj krize shëndetësore, janë përtej mandatit tonë.

ADN: Vihet re një lloj frike dhe paniku te njerëzit, veçanërisht ndërmjet grupeve të cënueshme, siç janë fëmijët, të moshuarit dhe gratë. Si një ekspert me përvojë i shëndetësisë, çfarë do të rekomandonit për t’a përballuar këtë situatë?
Dr Montero: Frika është një ndjenjë njerëzore dhe ne nuk duhet të ndihemi fajtorë për këtë. Ajo që duhet të bëjmë është t’a mposhtim frikën që mund të na shkaktojë marrja e vendimeve të gabuara. Informacioni dhe solidariteti janë barnat më të mira për ta luftuar atë. Ndarja e shqetësimet tona me ata që duam dhe respektojmë në rrethet tona shoqërore dhe familjare është një armë e mirë në këtë drejtim. Është thelbësore të besosh tek autoritetet tona shëndetësore.

ADN: ‘Qëndro në shtëpi!’ është një nga thirrjet kryesore që u drejtohen qytetarëve. Zotëri, si keni vepruar ju dhe punonjësit e zyrës suaj në lidhje me këtë, dhe cili është mesazhi që dëshironi t’i përcillni shqiptarëve për këtë thirrje, dhe në përgjithësi, për përballjen me pandeminë që po përjetojmë?
Dr. Montero: Që nga fillimi i udhëzimeve për këtë drejtim nga Qeveria, punonjësit e agjencive të OKB-së, dhe veçanërisht zyra e OBSh-së, janë duke punuar në distancë (nga banesa). Ne kemi shtyrë të gjitha mbledhjet ballë-për-ballë. Teknologjia aktuale na lejon të përdorim këtë qasje për të qenë të efektshëm. Është provuar se kjo është masa më e efektshme për të parandaluar përhapjen e COVID-19. Mesazhi ynë për shqiptarët është qëndroni të bashkuar dhe të fortë për t’a kapërcyer këtë krizë.

Burimi: Albanian Daily News

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Cilat ushqime ndihmojnë shëndetin e syve?
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Angjinarja: Perimi i pranverës që forcon kockat dhe zemrën