Kryefaqja Box 2 Kriptorkidia, problemi që ndikon në aftësinë riprodhuese të djemve

Kriptorkidia, problemi që ndikon në aftësinë riprodhuese të djemve

0
Shpërndaje

Dëfrim Koçinaj, kirurg pediatër

 Kriptorkidia është një patologji që karakterizohet nga mungesa e një apo e të dy testeve në skrotum. Kriptorkidizmi është anomali e zakonshme gjenitale tek djemtë. Është më e shprehur te fëmijët e lindur para kohe, në rreth 30% të djemve të lindur para kohe dhe prek rreth 4% të fëmijëve të lindur në kohë.
Në shumë raste, testikujt zbresin vetë nga muaji i gjashtë i jetës. Nëse zbritja nuk ndodh, atëherë, është e rëndësishme ndërhyrja kirurgjikale, pasi kjo patologji mund të ndikojë në fertilitet më vonë ose mund të çojë në probleme të tjera shëndetësore.

Çfarë është Kriptorkidia (Kriptorkizmi)?

Kriptorkidia është mungesa e njërit ose e të dy testikujve në qesën skrotale (herdhe). Zakonisht prezantohet si dështim i testisit për të lëvizur apo zbritur, gjatë zhvillimit fetal, prej pozitës abdominale (fillimisht testisi ndodhet brenda barkut të bebit), në drejtim të qeses skrotale, ku edhe fiksohet nëpërmjet një ligamenti (gubernakulum).

Pse ndodh?

Testiset zhvillohen brenda hapësirës së barkut të fetusit dhe në muajin e tetë të shtatzënisë, nën ndikimin e stimujve hormonal dhe anatomik, ata zbresin poshtë dhe fiksohen në qesen skrotale. Çdo prishje e këtij procesi, bën që njëri ose 2 testiset të ngecin gjatë rrugës së zbritjes.

Sa e njohin njerëzit kriptorkidinë?

Prindërit janë në gjendje të vërejnë që djali i tyre ka probleme, por nuk mund ta kuptojnë me saktësi problemin. Prandaj, ata në çdo dyshim, sado të vogël, duhet t’i drejtohen mjekut të familjes ose mjekut pediatër. Nëse njëri nga këta dyshon për ndonjë problem të testiseve, atëherë duhet të konsultohet kirurgu pediatrik. Fatkeqësisht, në shtetet tona, në mungesë të një sistemi efikas shëndetësor dhe social, informatat për sëmundje të ndryshme drejt popullatës janë të mangëta. Prandaj, ndodh që herë pas here pacienti të paraqitet shumë vonë tek kirurgu pediatrik.

Sa e shprehur është në popullatë? (Sa të shpeshta janë rastet e fëmijëve që lindin me këtë problem)?

Kjo patologji është relativisht e shpeshtë. Studimet epidemiologjike thonë që është 1-2% tek fëmijët e shëndoshë, të lindur në termin. Ndërsa kjo përqindje është diçka më e lartë tek fëmijët e lindur parakohe, por që barazohet deri në moshën 1-vjeçare.

 Si diagnostikohet?

Shenjat klinike shpesh janë të mjaftueshme që ta kemi diagnozën e qartë. Në mënyrë tipike testisi nuk preket në qesën skrotale, por sipër, nën lëkurë, në rrugën natyrale të zbritjes së testisit. Qesja skrotale është pak e zhvilluar në anën përkatëse. Në raste të caktuara, kur testisi nuk preket nga ana e kirurgut pediatrik, kërkohet të bëhet Ultrazëri i këtij regjioni. Nëse edhe me Ultrazë nuk vijmë deri tek identifikimi i testisit, atëherë mund të kërkohet CT skaneri ose Rezonanca Magnetike.

A janë në gjendje prindërit që ta konstatojnë nëse mjeku nuk e bën?

Prindërit duhet të informohen sa më shumë në lidhje me problemet e ndryshme shëndetësore të fëmijëve. Kjo mund të realizohet nëpërmjet mjeteve të informimit, mediave të shkruara dhe elektronike, si dhe nëpërmjet organizimit të kurseve nga ana e mjekësisë primare. Sot informatat mund të merren me shumë detaje nga interneti. Një prind mirë i informuar, mund ta zbulojë edhe vet mungesën e testiseve në qesën skrotale. Megjithatë, konsulta e kirurgut pediatrik është e domosdoshme.

Deri në çfarë moshe është e mundur korrigjimi i kriptokidisë?

Korrigjimi i kriptorkidisë duhet të realizohet midis moshës 1 dhe 2 vjeç. Madje, qëndrimet e fundit janë që të operohen midis moshës 1 dhe 1,5 vjeç. Vonesa e operacionit pas moshës 2-vjeçare i sjell dëme testisit me 10% të funksionit të tij riprodhues për çdo vit vonese. Duhet përmendur që ndërhyrja kirurgjikale nuk duhet të realizohet para moshës 1-vjeçare, sepse një numër i rasteve të testiseve të ngecur zbresin spontanisht deri në këtë periudhë.

A është shkak i sterilitetit mashkullor?

Në bazë të studimeve të ndryshme është konstatuar që vonesa e zbritjes së testisit pas moshës 1.5-2 vjeçare, e dëmton atë në masën 10% për çdo vit të jetës. Domethënë që funksioni riprodhues i testisit të ngecur bie për 10% për çdo vit pas moshës 2-vjeçare. Megjithatë, ndikimi në aftësinë riprodhuese tek meshkujt që kanë vetëm njërin testis të ngecur e tjetrin e kanë të zhvilluar dhe të pozicionuar normalisht, është josinjifikant.

A duhet të mjekohet dhe pse?

Janë disa arsye pse duhet të mjekohet.

Së pari, plleshmëria mashkullore-testisi i  ngecur, është i ekspozuar ndaj temperaturës më të lartë trupore në krahasim me qesen skrotale poshtë, për 2-3 gradë. Kjo temperaturë dëmton indin testikular, duke ndikuar direkt në spermatogjenezë.

Së dyti, testisi i ngecur zakonisht ka keqzhvillim të indit të tij, prandaj është më i prirur për të alteruar në ndryshime malinje, më vonë gjatë jetës. Përveç kësaj, nëse zhvillohet proces malinj, tek një testis i fshehur, shanset për t’u zbuluar janë më të vogla, prandaj do të kemi vonesë të diagnostikimit dhe si rrjedhojë, prognozë më të keqe.

Së treti, testisi i ngecur është më i ekspozuar ndaj traumës. Arsye tjetër shumë e rëndësishme pse duhet të trajtohet testis i ngecur është edhe aspekti psikologjik. Gjatë periudhës së pubertetit, djemtë e eksplorojnë veten seksualisht, prandaj kur e kuptojnë që ata ndryshojnë nga shokët e tyre, fillojnë e tërhiqen. Këta e ndryshojnë sjelljen e tyre në shoqëri dhe do të mbyllen në vete. Kjo do të ndikojë edhe në sukseset e tyre të përgjithshme, si në jetën sociale, edhe atë shkollore.

Si trajtohet?

Kriptorkidia trajtohet me ndërhyrje kirurgjikale. Ndërhyrja kryhet nën anestezi të përgjithshme dhe zgjat përafërsisht një orë si total. Realizohet si kirurgji ditore (do të thotë që pacienti lirohet në shtëpi në po të njëjtën ditë kur kryhet ndërhyrja). Shërimi i plotë deri në heqjen e penjve zgjat një javë. Shumica e fëmijëve i kthehen aktivitetit normal një muaj pas ndërhyrjes kirurgjikale, ndërsa ngasja e biçikletës dhe sportet e kontaktit nuk rekomandohen deri në tre muaj pas operacionit./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here