Mark Brunga, gazeta “Shëndet+”
Ajri në rrethin e Krujës ka një nivel ndotjeje alarmante. Kjo tregohet fare thjesht përmes shifrave zyrtare të cilat flasin për 11 raste të regjistruara me kancer për shkak të lëndëve helmuese.
Fabrika e çimentos Fushë-Krujë është një ndotës alarmant i atmosferës, duke shkarkuar në hapësirë sasi të paimagjinueshme pluhurash tepër të rrezikshëm për bujqësinë dhe jetën e organizmave të gjalla.
Po ashtu edhe një fabrike tullash që ndodhet në afërsi të fabrikës së çimentos hedh në atmosferë sasi të mëdha gazrash helmuese dhe blozë. Të njëjtën gjë bëjnë edhe furrat e gëlqeres që ushtrojnë aktivitetin e tyre pa u shqetësuar. Ndonëse kjo katastrofë ekologjike ndodh para syve të pushtetarëve të të gjitha niveleve, askush nuk merr asnjë masë. E gjithë kjo ndotje vazhdon të dëmtojë, madje të shkatërrojë shëndetin e popullatës.
Vetëm në vitin 2015 janë regjistruar 11 raste me kancer në këtë rreth, e vërtetuar nga mjekësia se janë shkaktuar nga ndotja. Sezoni turistik po afron dhe turistët e parë kanë filluar të vijnë, por prezantimi i qytetit dhe gjithë rrethit me këtë ndotje skandaloze është një minus i madh me një ndikim tepër negativ për grupet e turistëve.
Stafa: Rastet me sëmundje kancerogjene, nga thithja e lëndëve helmuese
Hasan Stafa, drejtor i zyrës së ankesave të konsumatorëve të Shqipërisë, shprehet për këtë çështje: “Jemi në prag të sezonit turistik. Qyteti historik kulturor i Krujës pritet të fillojë së shpejti sezonin turistik dhe tashmë kanë filluar të vijnë turistët e parë, por problemet dhe ankesat janë të përditshme. Pikërisht ndotja e mjedisit është një nga problemet kryesore, pasi prish imazhin e qytetit tek turistët, qoftë vendas apo të huaj. Fabrikat e çimentos të cilat kanë rrethuar totalisht qytetin e Krujës, janë kthyer në probleme reale për vendasit.
“Po të shohim gjatë 3 viteve të fundit, çlirimi i lëndëve kimike nga fabrika e çimentos siç janë squfuri, karboni dhe dioksinat, kanë sjellë jo vetëm probleme me ndotjen, por edhe probleme të shumta shëndetësore.
“Në vitin 2015 dhe në fillim të vitit 2016 dihen 11 raste të diagnostikuara me sëmundje kancerogjene pikërisht nga thithja e lëndëve helmuese. Ndërsa po bëhemi gati të fillojmë sezonin, Ministria e Mjedisit nuk po merr asnjë masë. Mbetjet plastike bëjnë që situata të kthehet alarmante”.
Mjekja Varoshi: Shtimi i ndotjes së ajrit shton rastet me probleme shëndetësore
Rreziku i madh i ndotjes pohohet edhe nga Myzejen Varoshi, pneumo-ftiziatre në spitalin e Krujës: “Cilësia e ajrit që thithim, ndikon në gjendjen shëndetësore të të gjithë organizmit dhe sidomos tek rrugët e frymëmarrjes. Ndotja e ajrit ndikon në problemet e frymëmarrjes, sidomos tek personat që kanë probleme me alergjitë apo tek pacientët kronikë me sëmundje pneumonare, pasi krijon drejtpërdrejt çlirim të sekrecioneve në rrugët e frymëmarrjes e për pasjojë jep infeksione pneumonare.
“Është e rëndësishme që cilësia e ajrit që thithim të jetë brenda standardeve që duhet. Kjo ndotje ndikon tek të gjithë organizmat e gjallë, veçanërisht tek njerëzit, që janë edhe më të ndjeshëm si qenie komplekse, ku çdo gjë është në funksion të njëra-tjetrës. Shtimi i ndotjes së ajrit lidhet me shtimin e rasteve të pacientëve që vuajnë nga këto probleme”.
Çështja e ndotjes në Krujë për shkak të fabrikave rrotull vazhdon të jetë një çështje e rëndësishme për shëndetin e banorëve, gjithsesi asnjë reagim nuk ka pasur deri më sot nga autoritetet përgjegjëse.


