Përshtati në shqip për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
Shkrepja e shumë selfie-ve në ditë mund të shkaktojë plakje të parakohshme, paralajmërojnë ekspertët. Sipas dermatologëve, ekspozimi i shpeshtë i fytyrës ndaj dritës dhe rrezatimit elektromagnetik nga telefonat inteligjentë mund të dëmtojë lëkurën, duke përshpejtuar procesin e plakjes. Disa mjekë madje pretendojnë se mund ta kuptojnë se me cilën dorë e mban një person telefonin e tij vetëm duke parë se cila pjesë e fytyrës është më e dëmtuar.
Duke folur në Konferencën e Pamjes Estetike të Fytyrës, në Londër, disa ekspertë të dermatologjisë u shprehën se edhe drita blu e emetuar nga ekranet e telefonave inteligjentë mund të çojë në shfaqjen e rrudhave.
Mjekët insistojnë se valët magnetike të lëshuara nga pajisjet moderne janë po aq të dëmshme për lëkurën sa edhe ekspozimi i shumtë ndaj diellit, që shkakton shfaqjen e rrudhave.
Dr. Simon Zokaie, i cili drejton klinikën “Linia Skin” në Britani, thotë se ata që bëjnë shumë selfie dhe blogerët duhet të shqetësohen.
“Mendoj se në treg ka një boshllëk kur është fjala për produkte që mbrojnë nga ky efekt negativ i pajisjeve moderne. Unë shoh përditë njerëz dhe blogerë që pëlqejnë selfie-t, të cilët kërkojnë ndihmën time dhe kam konstatuar se procesi i plakjes është përshpejtuar”, thotë ai.
Në një intervistë të dhënë për të përditshmen “Daily Telegraph”, ai tregoi se “gjatësia e valëve të rrezatimit është e ndryshme, prandaj nuk ka asnjë krem kundra diellit që ta pengojë atë”.
Ndërsa dermatologu Zein Obagi, nga “Instituti Obagi i Shëndetit të Lëkurës”, Beverley Hills, thotë se mund të dallojë shumë qartë se me cilën dorë e ka përdorur një person telefonin vetëm nga fytyra.
“Mund të shikosh njolla të errëta në njërën pjesë të fytyrës, që nuk duken fare tek pjesa tjetër”, tregon ai.
“Kremi i diellit nuk ofron mbrojtje në këtë rast. Por nëse e lyeni me antioksidues, mund të parandaloni dëmtimin e ADN-së nga pajisjet elektronike”.
Disa mendojnë se rrezatimi elektromagnetik nga telefonat mobile plak lëkurën duke dëmtuar ADN-në.
Sipas ekspertëve, shumica e zbutësve dhe vajrave për fytyrë nuk funksionojnë në këto raste, madje e përkeqësojnë edhe më shumë lëkurën.
Burimi: Daily Mail / https://shendeti.com.al/


