Nga José Graziano da Silva, drejtori i Përgjithshëm i Organizatës së Ushqimit dhe të Bujqësisë të Kombeve të Bashkuara (FAO)
Rritja mbarëbotërore e obezitetit “rivalizon” konfliktet e armatosura dhe duhanpirjen për sa i përket barrës ekonomike globale që shkakton.
Tashmë obeziteti nuk është shqetësim vetëm i vendeve të zhvilluara e me të ardhura më të larta. Përhapja e obezitetit dhe mbipeshës është rritur në të gjitha rajonet, duke përfshirë edhe vendet me të ardhura të ulëta. Në ditët e sotme, pothuajse gjysma e të gjitha shteteve janë në përpjekje, si për kequshqyerjen nga mungesa e marrjes së lëndëve ushqyese, ashtu edhe për mbipeshën/obezitetin. Në fakt, kequshqyerja nga mungesa e marrjes së lëndëve ushqyese dhe obeziteti shpesh ekzistojnë njëkohësisht në të njëjtat komunitete – madje edhe brenda së njëjtës familje.
Transformimet ekonomike dhe sociale dhe të ardhurat më të larta, në shumë shtete të varfra dhe me të ardhura mesatare, si dhe disponueshmëria me çmime relativisht të përballueshme e ushqimeve të mbipërpunuara, kanë shkaktuar ndryshime në stilin e jetesës, përfshirë regjimin e ngrënies me dieta dhe kanë reduktuar aktivitetin fizik në mbarë globin.
Në asnjë shtet – në asnjë të vetëm – nuk është vërejtur rënie e obezitetit midis viteve 2000 dhe 2013. OBSH-ja përllogarit se ka rreth 1,9 miliardë persona me mbipeshë, nga të cilët një e treta e tyre janë obezë.
Kjo gjë përfshin kosto sociale dhe ekonomike që shoqëria e ka të vështirë t’i përballojë, kur ato i shtohet edhe kostove që vijnë nga kequshqyerja.
Në botimin e vitit 2013 të revistës së FAO-s “Gjendja e ushqimit dhe bujqësisë” (State of Food and Agriculture) theksohej se barra sociale për shkak të mbipeshës dhe obezitetit është dyfishuar gjatë dy dekadave të fundit. Sipas raportit, kostoja përmbledhëse e të gjitha sëmundjeve jo të transmetueshme, për të cilat faktorë kryesorë të rrezikut janë mbipesha dhe obeziteti, përllogaritej të ishte rreth 1,4 trilionë dollarë në vitin 2010.
Kohët e fundit, Instituti Global McKinsey ka përllogaritur se çmimi global i obezitetit – duke përfshirë rritjen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës, hipertensionit, hemorragjive cerebrale, diabetit dhe të disa tumoreve që ndikojnë në cilësinë e përgjithshme të jetës – mund të arrijë një vlerë deri në 2 trilionë dollarë në vit: i treti pas duhanpirjes (2,1 trilionë dollarë) dhe konflikteve të armatosura (2,1 trilionë dollarë)!
Ndërkohë që shifrat nuk janë të krahasueshme dhe përllogaritjet globale të kostove ekonomike të obezitetit dhe mbipeshës ndryshojnë, ato përkojnë në shkallën e tyre.
Tani mendoni se çfarë mund të bëhet për të trajtuar kequshqyerjen – urinë, mungesën e marrjes së lëndëve ushqyese, të mikroushqyesve dhe obezitetin – nëse këtë shumë parash do ta përdornim për këtë përpjekje. Rritja e financimeve është e nevojshme për të shtuar përpjekjet, por ajo duhet të jetë pjesë e një përpjekjeje më të madhe për të krijuar një strategji të re në qasjen tonë për trajtimin e kequshqyerjes në të gjitha format e saj, duke e thelluar fokusin tonë përtej shkaqeve imediate që të përfshijë dimensionet më të gjera social-kulturore, ekonomike dhe politike të ushqyerjes.
Kjo ishte një sfidë që u trajtua në Konferencën e Dytë Ndërkombëtare për Ushqyerjen (ICN2) në Romë në nëntor 2014. Në ICN2, qeveritë miratuan Deklaratën e Romës për Ushqyerjen dhe Kuadrin për Veprim për shoqërimin e saj, duke u angazhuar për të trajtuar spektrin e gjerë të kequshqyerjes – përfshirë mungesën e ushqimit, rritjen e pamjaftueshme, dobësimin, mungesën e mikroushqyesve, obezitetin dhe sëmundjet jo të transmetueshme që lidhen me të.
Arritja e progresit për këto angazhime do të kërkojë ndryshime të mëdha në mënyrën sesi e trajtojmë kequshqyerjen. Kjo përfshin kalimin nga trajtimi i efekteve negative të kequshqyerjes te parandalimi duke ofruar dieta të balancuara e të shëndetshme për të trajtuar më mirë shkaqet e kequshqyerjes dhe do të na duhet të zhvillojmë politika, strategji dhe programe të reja për ta bërë këtë.
Më poshtë jepen disa ide udhëzuese.
Së pari, të reformohen sistemet tona ushqimore për të siguruar ushqyerje më të mirë për të gjithë. Revista e FAO-s “Gjendja e ushqimit dhe bujqësisë 2013” (State of Food and Agriculture) tregoi sesi sistemet ushqimore ndikojnë në sasinë, cilësinë, llojshmërinë dhe përmbajtjen ushqyese të ushqimeve dhe sesi ato përcaktojnë disponueshmërinë, përballimin financiar dhe pranueshmërinë e ushqimeve të nevojshme për ushqyerje të mirë. Reformimi i sistemeve tona ushqimore për përmirësimin e ushqyerjes do të kërkojë prodhimin e ushqimeve të pasura me vlera ushqimore dhe garantimin e përpunimit të shëndetshëm për të minimizuar humbjen e vlerave ushqimore.
Së dyti, duhet t’u lehtësojmë konsumatorëve zgjedhjen e ushqimeve që promovojnë dietat e shëndetshme. Përveç politikave dhe strategjive efikase dhe koherente, për këtë nevojitet përkushtim politik. Do të nevojitet rritja e investimeve për promovimin e ushqyerjes dhe programet e edukimit. Do të nevojitet krijimi i shkollave, i vendeve të punës dhe i komuniteteve që lehtësojnë qasjen në dieta të shëndetshme dhe që inkurajojnë njerëzit të ushtrojnë më shumë aktivitet fizik. Do të nevojitet rritja e nivelit të informimit të konsumatorëve nëpërmjet edukimit formal dhe informal në lidhje me ushqyerjen dhe duke ofruar më shumë informacion për ushqimet që u shiten, përfshirë informimin nëpërmjet etiketimit të përshtatshëm.
Së treti, duke krijuar një vizion të përbashkët dhe një qasje multisektoriale që përfshin qeveritë, sektorin bujqësor dhe blegtoral, sektorin shëndetësor, të shitjes me pakicë dhe sektorë të tjerë përkatës publikë e privatë, si edhe shoqërinë civile. Shkaqet e shumta të kequshqyerjes, përfshirë obezitetin, kërkojnë bashkëpunim efikas: asnjë sektor apo ent nuk mund ta trajtojë i vetëm problemin në mënyrë efikase.
Së katërti, marrëveshjet tregtare dhe të investimeve duhet të hartohen në mënyrë të tillë që të ndikojnë pozitivisht në sistemet ushqimore. Me përmirësimin e disponueshmërisë dhe të qasjes në ushqim, tregtia efikase mund të luajë një rol kyç në arritjen e objektivave të ushqyerjes. Por këto marrëveshje nuk duhet të “lënë jashtë” mundësinë e zhvillimit të bujqësisë në vend. Sistemet e suksesshme bujqësore kombëtare dhe lokale jo vetëm që reduktojnë varësinë e shteteve nga importet e ushqimeve, por gjithashtu promovojnë diversitet më të madh në dieta, mund të luajnë rolin e zbutësit të çmimeve të larta në tregjet ndërkombëtare dhe të krijojnë vende pune për të ndihmuar në reduktimin e varfërisë rurale.
ICN2 ka bërë hapat e parë që të gjithë aktorët të bashkohen në kundërvënien ndaj rritjes së shpejtë të obezitetit global. Kequshqyerja, nga mungesa e ushqimit deri tek obeziteti, mund të parandalohet me kosto relativisht të ulëta nëse punojmë mirë. Le të veprojmë shpejt për t’iu kundërvënë tendencave të obezitetit dhe ta kthejmë urinë dhe të gjitha format e kequshqyerjes në diçka të së shkuarës.


