Kur duhet të konsiderojnë pacientët me obezitet trajtimin me medikamente për humbjen e peshës

Kur duhet të konsiderojnë pacientët me obezitet trajtimin me medikamente për humbjen e peshës? Mjekja endokrinologe Tea Shehu ka shpjeguar kriteret dhe rëndësinë e vendimmarrjes së përbashkët mes pacientit dhe mjekut.

Në kuadër të ciklit të podcasteve “Obeziteti, le të flasim për të”, Shehu theksoi se obeziteti dhe mbipesha tashmë konsiderohen sëmundje që kërkojnë trajtim, njësoj si hipertensioni apo diabeti. Megjithatë, ajo nënvizoi se hapi i parë mbetet ndryshimi i stilit të jetesës.

“Ne sot jemi me fat që jetojmë në një epokë ku obezitetin dhe mbipeshën po i konsiderojmë sëmundje, siç është hipertensioni apo diabeti, dhe për fat ka edhe trajtime për to. Natyrisht, linja e parë terapeutike në çdo rast është stili i jetesës: dieta, aktiviteti fizik dhe regjimi i gjumit”, tha mjekja.

Sipas saj, ndryshimet në stilin e jetesës janë të rëndësishme edhe për pacientët që nisin trajtim medikamentoz, pasi ndihmojnë jo vetëm gjatë terapisë, por edhe në ruajtjen e rezultateve nëse në të ardhmen trajtimi ndërpritet.

Megjithatë, Shehu thekson se humbja e peshës nuk është gjithmonë aq e thjeshtë sa këshilla për të ngrënë më pak dhe për të lëvizur më shumë. Për disa pacientë, faktorët gjenetikë dhe hormonalë mund ta bëjnë procesin veçanërisht të vështirë.

“E gjithë kjo situatë nuk është kaq e thjeshtë sa të thuash thjesht ‘mos ha ushqim dhe lëviz pak më shumë’. Për një pacient që e ka provuar dhe e di sa e vështirë është, që ka faktorin gjenetik apo një mjedis hormonal të pafavorshëm që nuk e ndihmon të bjerë siç duhet në peshë, natyrisht që sot kemi medikamente”, u shpreh ajo.

Në cilat raste mund të konsiderohet terapia?

Mjekja shpjegoi se, në përgjithësi, trajtimi medikamentoz mund të merret në konsideratë te pacientët me BMI mbi 30, ose te ata me BMI mbi 27, kur shoqërohet edhe me një ose më shumë sëmundje bashkëshoqëruese.

“Përgjithësisht, indikacionet janë që në BMI mbi 30, pra në Indeksin e Masës Trupore mbi 30, apo mbi 27 së bashku me një nga komorbiditetet që përmendim, këto terapi mund të konsiderohen”, tha Tea Shehu.

Në fund, endokrinologia theksoi se vendimi për nisjen e trajtimit medikamentoz duhet të merret në konsultim me pacientin dhe mjekun, pasi bëhet fjalë për një trajtim që mund të jetë afatgjatë.

“Vendimi terapeutik duhet marrë së bashku me pacientin, sepse ky do të jetë një regjim afatgjatë dhe duhet të peshohet mirë terapia që pacienti do të marrë”, përfundoi mjekja.

Postime të ngjashme

Skema e re e furnizimit me barna dhe fondet publike: Ministria “refuzon” t’i përgjigjet TFL-së për projektligjin
Nga PMOS te disa lloje kancerash: Sëmundjet që u kanosen grave për shkak të obezitetit
Mjekja shpjegon pse vajzat dhe gratë kanë oreks të shtuar para ciklit menstrual
A ndikon obeziteti në fertilitetin e grave?
Betohet ministrja e Shëndetësisë/ Klodiana Spahiu merr zyrtarisht detyrën, zëvendëson Evis Salën
Check up-i në shtet/ Operatori i Sterilizimit shpall tender 20 mln euro për blerje kitesh dhe reagentësh
Cilat shenja tregojnë mungesë pushimi dhe gjumi?
Mazhoranca voton Klodiana Spahiun si ministre të Shëndetësisë