Kuvendi miraton ligjin që mbron gratë nga dhuna, risi trajtimi psikosocial/mjekësor i dhunuesit

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin “Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje”, i cili synon parandalimin, eliminimin dhe mbrojtjen nga të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, në veprimtarinë publike, private, përfshirë dhunën në mjedisin digjital.

Në nenin 17 të këtij ligji të miratuar me 85 vota pro, 1 abstenim dhe 0 kundër, parashikohet rehabilitimi i viktimave dhe të dhunuesve, nëpërmjet programeve që synojnë ndërhyrjet e hershme parandaluese në komunitet; mbështetjen psikosociale dhe rehabilitimin e viktimave; trajtim psikosocial/mjekësor për dhunuesit.

Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i personave dhunues me probleme të shëndetit mendor është thelbësor, jo vetëm për rehabilitimin e tyre, por edhe për parandalimin e përsëritjes së dhunës. Qasja terapeutike dhe mbështetja e specializuar ndihmojnë në adresimin e shkaqeve të sjelljes së dhunshme, rritjen e kontrollit emocional dhe mbrojtjen e sigurisë së viktimave dhe të komunitetit në tërësi.

Ligji i ri shfuqizon ligjin nr. 9669, datë 18.12.2006, i cili vendoste theksin kryesisht te “dhuna në familje”, që nuk ishte e mjaftueshme për mbrojtjen nga të gjitha format e dhunës ndaj grave. Forma të tjera të dhunës ndaj grave, ndonëse të parashikuara si vepra penale, nuk kanë marrë vëmendjen e duhur në lidhje me parandalimin dhe masat e mbrojtjes civile e administrative.

Të gjitha risitë e ligjit:

  • Zgjerimi i objektit përtej mbrojtjes duke përfshirë parandalimin, mbështetjen, rehabilitimin e viktimave dhe trajtimin e dhunuesve
  • Zgjerimi i formave të dhunës dhe njohja e dhunës digjitale
  • Mbrojtje e personalizuar përmes vlerësimit individual të riskut
  • Arkitekturë e re e urdhrave të mbrojtjes dhe rol i forcuar i Policisë
  • Masa të forta për mjedisin digjital dhe përgjegjësi për platformat
  • Ndalimi i ndërmjetësimit dhe forcimi i qasjes me në qendër viktimën
  • Parandalimi, trajnimi dhe roli i aktorëve jo-publikë
  • Koordinim institucional dhe sistem i konsoliduar të dhënash
  • Zbatim i programuar dhe tranzicion i kontrolluar

Ky material është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit SMS Facility – Small Media Support in Western Balkans, i zbatuar nga SCiDEV. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e medias dhe autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet, opinionet apo vlerat e Bashkimit Evropian, SCiDEV apo projektit SMS Facility.

Postime të ngjashme

OBSH: rreziku i virusit Nipah është i ulët në Indi, nuk ka shenja përhapjeje
Virusi vdekjeprurës i përhapur në Indi rrit frikën e një pandemie tjetër! Gjithçka që duhet të dini rreth “Nipah”
Qumështi formulë APTAMIL me baktere të rrezikshme, AKU urdhëron tërheqjen nga tregu
Nuk është ai i gjirit, ja lloji i kancerit që po shkakton më shumë vdekje te moshat nën 50 vjeç
Konferenca e profesionistëve të kujdesit shëndetësor - 12 Maj 2026
Studimi: Qëndrimi zgjuar gjatë natës rrit rrezikun e sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru
Mjekja pediatre: Si ta përdorni kondicionerin në mënyrë që fëmija i porsalindur të mos sëmuret
8 ushqime që nuk duhen futur kurrë në frigorifer