Të gatuash duke humbur peshë. Duket si një oksimoron, por kuzhinieri Matteo Grandi ka arritur ta bëjë këtë, duke humbur pothuajse 90 kg në vetëm 8 muaj.
Jeta e tij e ngarkuar, orët e gjata pas sobës dhe vështirësitë për të balancuar punën me një stil jetese të shëndetshëm, e kishin çuar në akumulimin e shumë kilogramëve. Dhe kështu, i vendosur për të ndryshuar, kuzhinieri 34-vjeçar filloi të modifikonte zakonet e tij ushqimore dhe qasjen ndaj jetës. Dhe rezultati ishte i jashtëzakonshëm: përveç shëndetit të rikuperuar, ky transformim rinovoi shpirtin dhe pasionin për kuzhinën, e cila tani është më e fokusuar në cilësi dhe kombinime në tavolinë.
Kur vendosët të ndryshonit jetën tuaj?
Rreth tetë muaj më parë kuptova se isha aq i zënë me jetën dhe angazhimet sa kisha lënë pas dore veten. Nuk ishte vetëm çështje pamjeje, por edhe shëndeti. Kisha arritur në 185 kilogramë – ndoshta edhe më shumë, sepse në një moment ndalova së peshuari. Në qershor, diçka më ndriçoi në mendje: ajo që të duhet është forca e vullnetit, e gjitha tjerat vijnë vetë…
Cila ishte sfida më e madhe gjatë këtij rrugëtimi?
Më e vështira ishte të gjeja një ritëm dhe ta ruaja me përkushtim. Dietën e krijova vetë, duke u frymëzuar nga shumë dietologë me të cilët kisha punuar më parë, por pa arritur rezultate. Falë këshillave të ekspertit Luca Veronese, vendosa të ndjek një dietë të varfër në karbohidrate (low carb), dhe ajo më ndryshoi jetën.
E dija që sheqernat dhe karbohidratet ishin shkaktari kryesor i shtimit në peshë. Që kur i hoqa nga dieta, jo vetëm që rashë në peshë, por energjia ime u rrit në mënyrë të jashtëzakonshme, mendja më punon më kthjellët dhe produktiviteti më është dyfishuar. Ishte një ndryshim total.
Si ndryshoi konkretisht ushqyerja juaj?
Ndryshimi kryesor ishte eliminimi i plotë i sheqernave dhe produkteve të përpunuara, nga makaronat te produktet e brumit. Hoqa çdo lloj karbohidrati që trupi e shndërron në sheqer. Dhe efekti ishte i menjëhershëm: humba 15 kilogramët e parë, lëkura ime u përmirësua, psoriasis në bërryla u zhduk, madje edhe djersitja nuk kishte më erë. Ishte e qartë që trupi im ishte i mbingarkuar… me të vërtetë, jemi ajo që hamë.
Po stili juaj i jetesës?
Ndjek agjërimin e ndërprerë (intermittent fasting): ha vetëm në mesditë (vezë, salmon, avokado, gjoks pule…) dhe në orën 17:00 (perime jeshile, mish, peshk, butak ose karkaleca deti). Pas kësaj, nuk konsumoj asgjë tjetër, duke i dhënë trupit kohë për t’u qetësuar dhe për të mos u ngarkuar me përpunimin e ushqimeve.
Jam rikthyer edhe te aktiviteti fizik: shkoj në palestër, bëj ski, vrapoj dhe zgjohem i çlodhur e plot energji. Ndryshimi ka qenë si të dilja nga një mjegull e dendur.
Nuk konsumoni më makarona? As dy spageti?
Një herë, në Ferragosto, provova dy pirunë makarona dhe ndjeva menjëherë një lodhje të madhe. Nëse për 20 sekonda kënaqësi do të ndihesha keq për orë të tëra, atëherë çfarë kuptimi ka? Çdo gjë është çështje zakonesh: kur mësohesh me diçka të re, nuk ndjen më nevojën për atë që të dëmton.
Po të shkosh në restorant me këtë mënyrë ushqyerjeje, çfarë ndodh?
E kam ndryshuar edhe menunë e restorantit tim: kam futur pjata low carb, si dymbëdhjetë mënyra të ndryshme përgatitjeje të vezëve, të marra nga ferma me rritje të lirë. Kam përfshirë pjata pa bulmet dhe me produkte cilësore. Tani menuja jonë ka rreth tridhjetë pjata pa karbohidrate dhe pa bulmet.
Kjo është mënyra ime për të treguar që mund të ushqehemi mirë edhe jashtë shtëpisë. Shpresoj që edhe restorantet e tjera të ofrojnë alternativa të tilla. Për shembull, unë nuk ha më briosh në mëngjes, por për një mëngjes të kripur më duhet të kërkoj në 15 vende derisa të gjej një që e ofron.
Po mendoni ta ndani këtë përvojë në një libër?
“Po, sepse shumë njerëz kanë filluar të më kontaktojnë për të më pyetur se si e bëra. Dua thjesht të ndaj përvojën time dhe të ndihmoj të tjerët të ndihen më mirë.
Mendoj të shkruaj një libër ku të tregoj rrugëtimin tim dhe të ofroj receta të thjeshta e të aksesueshme për të gjithë.
Qëllimi është të tregoj se mund të arrijmë një mirëqenie më të mirë pa sakrifica ekstreme apo dieta të komplikuara. Është një rrugë që mund ta ndjekë secili prej nesh.”
Cili është synimi juaj i radhës?
Dua të humbas edhe 4-5 kilogramët e fundit, të cilët janë më të vështirët për t’u larguar. Por jam i motivuar!
Kam folur me trajneren time personale dhe kemi vendosur të marrim pjesë në qershor në Hyrox, një garë fitnesi që përfshin 8 kilometra vrap dhe 8 ushtrime funksionale, që do të mbahet në Rimini.
Nga qershori 2024 deri në qershor 2025… praktikisht një njeri i ri. Ose më saktë, më në fund, ai që gjithmonë kam qenë./ Corriere della Sera