Parlamenti francez ka miratuar një projektligj që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, duke e bërë Francën vendin e parë në Bashkimin Evropian që vendos një kufizim të tillë për platforma si TikTok, Instagram dhe Snapchat.
Presidenti Emmanuel Macron e cilësoi vendimin si një nga reformat më të rëndësishme të mandatit të tij të fundit dhe premtoi se ligji do të hyjë në fuqi që nga muaji shtator.
“Franca po udhëheq Europën në mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve tanë. Ky është një hap i madh përpara”, deklaroi Macron në një video të publikuar në rrjetet sociale, duke falënderuar deputetët për miratimin e projektligjit.
Projektligji u miratua në Asamblenë Kombëtare me 279 vota pro dhe 81 kundër, pasi kishte marrë më herët edhe miratimin e Senatit. Tashmë ai pritet të shqyrtohet nga Këshilli Kushtetues, përpara se të hyjë zyrtarisht në fuqi.
Sipas ligjit, nga 1 shtatori fëmijët nën 15 vjeç nuk do të mund të hapin llogari të reja në rrjetet sociale, ndërsa llogaritë ekzistuese të kësaj grupmoshe do të mbyllen duke filluar nga janari i vitit 2027.
Ministrja franceze për Çështjet Digjitale, Anne Le Hénanff, tha se zbatimi i masës është i realizueshëm, pasi teknologjitë për verifikimin e moshës tashmë ekzistojnë. Ajo theksoi se përgjegjësia për zbatimin e rregullave do t’u takojë platformave dixhitale.
Ligji parashikon përjashtime për platforma me karakter edukativ dhe enciklopedi online, ndërsa nuk vendos sanksione për fëmijët apo prindërit.
Vendimi vjen në një kohë kur gjithnjë e më shumë vende po ndërmarrin masa për të kufizuar aksesin e të miturve në rrjetet sociale, pas shqetësimeve në rritje për ndikimin e tyre në shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve.
Komisioni Evropian po shqyrton gjithashtu masa të ngjashme, ndërsa presidentja Ursula von der Leyen ka deklaruar së fundmi se fëmijët duhet të kenë “akses të kufizuar dhe gradual” në rrjetet sociale. Franca është ndër vendet e para që po teston edhe aplikacionin evropian për verifikimin e moshës së përdoruesve.
Në nivel global, Australia ishte vendi i parë që miratoi një ligj të ngjashëm, duke detyruar platformat kryesore si TikTok, YouTube dhe Snapchat të mbyllin llogaritë e përdoruesve nën 16 vjeç, në të kundërt do të përballen me gjoba të rënda.

