Përshtati në shqip për “Shendeti.com.al“: Blertina Koka
Gjatë viteve të fundit, studime të ndryshme kanë treguar për përfitimet e shumta të kafes. Ajo jo vetëm lufton diabetin dhe lloje të ndryshme kanceri, por mund të përmirësojë edhe kujtesën dhe largon stresin.
Dhe, sipas një studimi të publikuar tek “World Journal of Biological Psychiatry”, kafja mund të konsiderohet si shpëtimtare e jetës.
Hulumtuesit shkencorë të Universitetit të Harvardit analizuan të dhënat e 200 mijë njerëzve nga tre kombësi të ndryshme. Çdo katër vjet ata treguan sasinë e kafes dhe kafeinës që kishin konsumuar. Ata kontrolluan gjithashtu certifikatat e vdekjes së pjesëmarrësve në studim, ku zbuluan se 277 prej tyre kishin kryer vetëvrasje.
Dhe, çuditërisht, kishte një lidhje shumë të madhe midis shkaktarit të vdekjes dhe konsumimit të kafes. Njerëzit që pinin dy deri në katër filxhanë kafe në ditë ishin 50% më pak të rrezikuar të vetëvriteshin.
Personat që ishin vetëvrarë kishin konsumuar më pak kafe.
Edhe nëse ndonjë nuk është në rrezik për vetëvrasje, ky studim i fundit sugjeron se kafja mund të lehtësojë simptomat e depresionit, duke qenë se ndihmon në prodhimin e endorfinës në të njëjtën mënyrë si ilaçet kundër depresionit. Një tjetër studim i Harvardit zbuloi se femrat sidomos ishin 15% më pak të rrezikuara të vuanin nga depresioni kur pinin të paktën dy filxhanë kafe në ditë dhe 20% kur pinin të paktën katër filxhanë.
Prandaj kafja konsiderohet si një eliksir magjik.
Burimi: Glamour / https://shendeti.com.al/


