Lambliaza, çfarë duhet të dimë rreth infeksionit të rrezikshëm të zorrëve?

Dr. Migena Qato, Mjeke në Shërbimin Infektiv, në QSUT

Infeksionet parazitare kanë një prevalencë të lartë në vendin tonë, pasi kushtet klimaterike, pozita gjeografike, lëvizjet e pakontrolluara të popullsisë, problemet e infrastrukturës, thyerja në hallka të ndryshme e higjienës ushqimore, favorizojnë përhapjen e këtyre sëmundjeve në popullatën shqiptare.

Kemi dëgjuar shpesh të flitet për “lambien”, si një infeksion parazitar, pa u thelluar më tej për mënyrat e transmetimit apo dëmet që mund të sjellë ky parazit në organizëm.

Mjekja infeksioniste në QSUT, dr. Migena Qato në një përshkrim të hollësishëm të kësaj sëmundje thotë se “nëse një person i infektuar me këtë parazit lahet në pishinë, atëherë shanset që frekuentuesit e tjerë të pishinës të infektohen janë të mëdha”.

Lambliaza është një infeksion i zorrës së hollë, shkaktuar nga paraziti, Giardia intestinalis, ose i njohur ndryshe si Giardia lamblia, është shkaku më frekuent i sindromave gastrointestinale parazitare, i cili në shifra statistikore përfaqëson një prevalencë rreth 20% deri 30% në popullatën botërore.

Giardia lamblia ekziston në dy forma, forma aktive e quajtur ndryshe trofozoide dhe ajo inaktive, e quajtur forma kistike. Këto 2 forma biologjike të parazitetit gjenerojnë në mënyrë dinamike njëra tjetrën, duke siguruar në këtë mënyrë simptomatologjinë e sëmundjes (është pikërisht trofozoidi aktiv ai që dëmton enterocitet e zorrës së hollë, duke u bërë përgjegjës në këtë mënyrë për shenjat dhe simptomat e sëmundjes) dhe transmetueshmërinë apo përhapjen e infeksionit (është forma inaktive, kisti i cili ka atributin për t`i rezistuar për një kohë të gjatë kushteve mjedisore, por edhe aciditetit gastric pasi gëlltitet, duke u transformuar më pas në trofozoid). Kistet e Giardia-Lamblia janë të pranishme në feçet e personave të infektuar. Në këtë mënyrë infestimi nga ky parazit është pasojë e kontaminimit të ushqimeve ose ujit me feçe ose me rrugë direkte fekal-orale. Është evidentuar në fakt së mjaftojnë vetëm 10 kiste për të shkaktuar infeksionin. Kistet arrijnë të mbijetojnë edhe në ujërat e liqeneve apo përrenjve, (kjo e bën lambliazën sëmundjen parazitare më të zakontë, të transmtueshme me ujin, e cila nuk kursen kafshët shtëpiake apo ato të egra (edhe pse mekanizmi i transmetimit të sëmundjes nga kafshët tek njeriu nuk njihet qartë). Gjithashtu janë të njohura edhe shpërthimet e lambliazës nga ujërat e pishinave, parqeve ujore apo pishinave dimërore (kjo më tepër pasojë e personave të infektuar, se sa burimeve ujore të ndotura).

Cilët persona janë të riskuar për infektim nga Giardia-Lamblia?

Lambliaza ndodh në kushtet e higjienës së varfër apo kontrollit inadekuat të ujit të pijshëm. E parë nga ky këndvështrim lambliaza është shkaku kryesor i diarresë së udhëtarëve, një kondicion klinik kaq shumë i përhapur. Lambliaza ngelet ende shkaku me i shpeshtë i diarresë në kolektivat e fëmijëve (duke u ekspozuar fëmijët, ekspozohen gjithashtu familjarët e tyre, punonjësit e çerdheve apo kopshteve). Gjithashtu personat që aplikojnë sporte në natyrë dhe konsumojnë ujë nga liqenet apo burime të tjera natyrore janë të riskuar për t’u infektuar./ https://shendeti.com.al/

Postime të ngjashme

Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore
5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet