Denisa Canameti, gazeta Shëndet + dhe Shëndeti Online
12 Maji është Dita Ndërkombëtare e Infermiereve, e vendosur për shkak të ditëlindjes së Florence Nightingale, e cila njihet edhe si themeluesja e infermierisë në botë.
Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë me aktivitete të ndryshme e festojnë çdo vit edhe në Shqipëri. Në një bisedë të shkurtër për “Shëndet+”, Sabri Skënderi, Presidenti i Urdhrit të Infermierit tregon aktivitetet që do të shtrihen në gjithë Shqipërinë, sfidat dhe arritjet e infermierëve në vendin tonë si dhe qëndrimin e urdhrit për largimet masive nga puna.
Kjo është java e infermierit në Shqipëri, cilat janë aktivitetet e parashikuara nga Urdhri?
Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë ka shpallur si javën e infermierit në Shqipëri nga data 6 maj deri më 12 maj, që është edhe Dita Ndërkombëtare e Infermierit. Në këtë kuadër në të gjitha rrethet e vendit do të zhvillohen aktivitete trajnuese dhe promovuese. Java do të përmbyllet me një aktivitet, darkë festive, ku do të marrin pjesë për
faqësues nga të gjitha rrethet e vendit, si dhe shpresojmë edhe përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë.
Aty do të shpallet ekipi më i mirë i kujdesit infermieror dhe ekipi më i mirë në kujdesin parësor. Do të shpallet infermieri më i mirë i vitit dhe mamia më e mirë e vitit.
Urdhri i Infermierit sivjet ka menduar t’i japë një fytyrë tjetër këtij aktiviteti. Në të gjitha aktivitetet që do të bëhen, në fokus do të jetë promovimi i shembullit pozitiv nëpër rrethe, nëpër qarqe, dhe nëpër spitale. Do të jenë rreth 36 veta në të gjithë Shqipërinë që do të promovohen në këto aktivitete rajonale, përveç promovimit dhe në nivel kombëtar.
Urdhri i Infermierit të Shqipërisë është Anëtar i Këshillit Ndërkombëtar të Infermierëve, Anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Infermierëve, Anëtar i Forumit Europian të urdhrave profesionale. Gjatë kësaj javë, edhe kolegët tanë evropianë do të zhvillojnë një sërë aktivitetesh dhe ne shkojmë në një linjë si dhe ata. Që në fillim të muajit na kanë ardhur udhëzimet se ç’duhet të bëjmë në kuadër të kësaj dite.
Mbi ç’kritere do të zgjidhen “më të mirët”?
Urdhi i Infermierit ka shpallur një rubrikë në faqen e tij ku grumbullon materiale nga gjithë infermierët e Shqipërisë dhe të tjerë, të cilët promovojnë emrin e një personi ose emrin e një ekipi që tregon suksesin e tij dhe pse kërkon që ky të nominohet si ekipi më i mirë dhe infermieri më i mirë. Të gjitha këto kalojnë në Këshillin Kombëtar dhe Këshilli Kombëtar e kalon në votim, më pas shpallet fituesi.
Cilat janë arritjet që do të promovoni gjatë kësaj jave, veç sfidave?
Kemi problematika dhe sfida, por na kanë mësuar që të festojmë edhe arritjet e vogla sepse na mësojnë për të arritur të mëdhatë dhe duke menduar në këtë prizëm ne promovojmë ato arritje që ka. Midis nesh ka edhe dru të shtrembër dhe ne po përpiqemi ta luftojmë. Kemi një rritje profesionale të infermierëve dhe po shkojnë drejt atij europian. Infermierët në Shqipëri po përgatiten për të konkurruar në tregun evropian të punës. Ne kemi me dhjetëra infermierë në Itali, Gjermani, në Angli që kanë qenë ambasadorët e parë të infermierëve shqiptarë nëpër botë.
Largimet masive nga puna dhe qëndrimi i Urdhrit
Urdhri i Infermierit në punën e tij të përditshme meret dhe me këto problematika. Kohët e fundit ka qenë edhe ky një shqetësim. Edhe pa bërë bujë nëpër media ne kemi zhvilluar takime insitucionale, me infermirët, diku kemi arritur në përfundimin që duhet një sistemim, dhe të shmanget heqja nga puna dhe kemi pasur rezultate, kemi pasur drejtorë institucionesh që na kanë mirëkuptuar dhe kanë qenë të prirur që shkurtimet në strukturë të balancoheshin me emërimet e reja dhe me shtesat e reja që vinin nga shërbimi i urgjencës, check-up-i që kërkonin punësime të reja, që të largoheshin sa më pak njerëz nga puna. I kemi kërkuar takim edhe ministrit të Shëndetësisë, presim dhe një takim me të.


