Lëkura dhe i ftohti: Problemet me morthin, si t’i përballojmë

I ftohti është një nga shkaktarët kryesorë  të problemeve në lëkurë duke qenë se lëkura është pjesa më e ekspozuar e trupit ose barriera mbrojtëse ndaj të gjithë faktorëve të jashtëm dhe brendshëm

Bisedoi: Denisa Canameti

Jo vetëm problemet kardiake apo gastrointestinale, të ftohtët sjell probleme edhe për lëkurën. Në periudhën e ftohtë në të cilën jemi, uljet e temperaturave shkaktojnë dëmtime në lëkurë. Mjekja Blerta Gjoni, dermatologe pranë Poliklinikës së Specialiteteve nr.3 në Tiranë, në një intervistë për gazetën “Shëndet+”, shpjegon se cilat janë problematikat më të shprehura të lëkurës gjatë periudhës së ftohtë. Kështu, krahas lëkurës së thatë, mjekja vë theksin te rastet e shpeshta të pacientëve, lëkura e të cilëve është prekur nga simptomat e morthit. Sipas dermatologes Gjoni, zonat ku morthi shfaqet më shpesh janë ato përreth gishtave, hundës, veshëve, mjekrës dhe faqeve, sipërfaqe të cilat janë edhe në kontakt më të shpeshtë me të ftohtin. Të shumta pohohet të jenë edhe rastet e shfaqjes së morthit tek gishtat e këmbëve. Kujdesi në këto raste duhet të jetë maksimal, pasi në të kundërt kalimi i dëmtimit prek edhe shtresat më të brendshme të lëkurës. Nuk janë të pakta rastet, thotë dermatologia, kur pacientët vijnë me një lëkurë që ka krijuar plagë.

Doktoreshë, cilat janë problemet që shprehin pacientët te dermatologu gjatë kësaj periudhe kur i ftohti është në pikun e vet? Si ndikon i ftohti në lëkurë?

I ftohti është një nga shkaktarët kryesorë  të problemeve në lëkurë duke qenë se lëkura është pjesa më e ekspozuar e trupit ose barriera mbrojtëse ndaj të gjithë faktorëve të jashtëm dhe brendshëm. Në momentet që kjo barrierë është delikate, mund të shfaqen problemet e lëkurës. Një nga problemet më të shprehura të lëkurës, është lëkura e thatë. Shprehet më tepër në zonat e ekspozesë, përreth gishtave, hundës, veshëve, mjekrës dhe faqeve, sipërfaqe të cilat janë edhe në kontakt më të shpeshtë me të ftohtin. Kam pasur gjatë këtyre ditëve rastin e disa vajzave të reja që gjatë kësaj kohe të ftohtë kanë veshur xhins. Por xhinsi nuk është materiali i duhur për t’u mbrojtur nga të ftohtët. Dhe kanë ardhur me këmbë me morth.

Por, lëkurën e thatë e gjejmë edhe pas një dushi, kur qëndron për një kohë të zgjatur. Njerëzit rrinë që të ngrohen dhe zgjasin kohën që duhet, dhe ajo çon në tharje të lëkurës. Fillimisht vihet re një lëkurë e zbehtë, pa hidratim, pa elementet që do të ishin në formën natyrale. Në kushte të tilla kërkohen patjetër kremra mbrojtës, në mënyrë që t’i japësh nga jashtë atë që lëkura nuk e prodhon dot.

Veç, lëkurës së thatë, rastet e shpeshta janë të morthit. Morthi është shumë i shprehur. Nuk ka mosha favorizuese, mund të shfaqet që nga fëmijët deri te të moshuarit që nuk mbrohen nga i ftohti. Mund ta gjejmë të personat që qëndrojnë me kohë në ambjente të hapura dhe pa ngrohje, pa kushtet e duhura apo dhe personat që punojnë jashtë dhe nuk e kanë mundësinë që të kenë ngrohjen e lëkurës.

Doktoreshë, zonjat veçanërisht ankojnë këmbët e çara…

Ka disa arsye se pse çahen këmbët te femrat. Mund të ndodhë që zonjat një lëkurë të thatë ta lënë pa trajtim, pa asnjë krem për një kohë të gjatë. Me kalimin e moshës kjo tharje e lëkurës që nuk është rikuperuar herë pas here, nuk bën asgjë tjetër veçse shkon drejt një përkeqësimi, në çarje të thella që pastaj bëhen të dhimbshme. Detyrimisht do të kërkohet ndërhyrje nga ana jonë me protokoll mjekimi, që të bëhet edhe mjekim lokal, por nuk mungon edhe mjekimi sistemik.

Një lëkurë e thatë dhe me këto problematika që përmendëm më lart, a është shenjë e ndonjë problematike tjetër shëndetësore primare?

Po, lëkura mund të jetë një shenjë sekondare. Një mjek specialist duhet ta kapë menjëherë dhe të thotë: A keni kryer vizitë te mjeku specialist endokrinolog, i zemrës ose mjeku specialist i gjakut? Sepse janë shenja që tregojnë se pacienti mund të ketë probleme të tjera që reflektohen edhe në lëkurë.

Cilat janë patologjitë që janë të prirura të shprehin probleme në lëkurë?

Janë të shumta. Nëse pacienti vjen për shembull dhe ankon flokë të dobët, thonj që thyhen shpejt, nuk rriten, tregon që mund të jetë në terren të një anemie. Mund të jetë edhe në terren të një disfunksioni të tiroides, prandaj na kërkohet ndërthurja me specialitete. Ne e konstatojmë si problem, por ndërkohë i kërkojmë që të bëjë edhe konsultat me mjekun që e ka në bazë. Nëse nuk shëron sëmundjen bazë, nuk shëron dot as sëmundjen sekondare. Jo çdo lloj patologjie e flokut dhe e thonjve mund të jetë shprehje e një sëmundje primare. Mund të jetë edhe primare.

Mjeku specialist dermatolog e ndan se cila është aryseja. Mund të jetë edhe sëmundje reumatizmale. Ka sëmundje reaumatizmale që shfaqen me probleme të lëkurës dhe atje e kupton që sëmundja kryesore është reumatizma, këtë e zgjidh vetëm pas një anamneze të mirë dhe të saktë. Mjekimi është paralel.

A mund të kalojë morthi pa u kuruar?

Ka raste që e kalojnë, por ka raste që na vijnë të ulceruar.

Mosha e tretë, çfarë ankesash ka gjatë kësaj kohë?

Lëkurë të thatë, sepse dhe vetë mosha veç dimrit i pakëson elementet e prodhuesve të lëkurës dhe kruhen pa pas asnjë element.

Morthi është ngjitës?

Jo.

Flokët dhe i ftohti

Edhe floku është shumë i ndjeshëm në temperatura të ftohta. Kjo do të thotë që mund të jetë një flok i thatë apo një flok vajosës. Ka njerëz për shembull që thonë, sapo lahem të nesërmen e kam flokun tepër të yndyrosur. Atëherë rekomandojmë shampo, larës të duhur për të ribalancuar. Edhe estetikisht pacienti ndihet keq

Postime të ngjashme

3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore