Shoqata Together for Life po zbaton projektin “Lëviz për kopshtin tim “ i mbështetur financiarisht nga projekti “Lëviz Albania”.
Në kuadër të këtij projekti u organizua sot një takim midis përfaqësuesve të “Together for Life” dhe drejtoreshës së Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve ( QEZHEF) Zhaneta Beqiri. Qëllimi i takimit ishte njohja e titullarëve të këtij institucioni me natyrën e projektit që po zbaton shoqata “Together for Life”, i cili bazohet në monitorimin e 43 kopshteve publike të Tiranës lidhur me zbatimin e standardeve të infrastrukturës fizike, sigurisë dhe higjienës; bashkëbisedimin me prindërit për evidentimin e problematikave që ata kanë dhe bashkëpunimi për adresimin e disa çështjeve të dala pas monitorimit të kopshteve, referuar kompetencave që ka QEZHEF.
Drejtoresha shprehu interes kundrejt projektit në fjalë dhe siguroi mbështetjen e QEZHEF, për vënien në dispozicion të informacioneve me qëllim realizimin e një raporti sa më objektiv.
Qendra Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve, është një njësi ekonomike administrative e mirërritjes, zhvillimit dhe edukimit të fëmijëve në varësi të Bashkisë së Tiranës e krijuar në Prill të vitit 2004 me vendim të Këshillit Bashkiak, Nr.14, datë 10.03.2004, si rrjedhojë e bashkimit të Qendrës Ekonomike të Arsimit me Drejtorinë e Çerdheve.
Qendra Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve është institucion vendor, person juridik, publik, në varësi të Bashkisë së Tiranës./shendeti.com.al


