Lexoni libra për të harruar ankthin dhe stresin

Keni lënë pas 2012-n me një ndjenjë lodhjeje, të mbushur me shqetësime, ankth, madje dhe depresion? Për të luftuar këto ‘helme delikate’ që ndikojnë në jetën tonë, na vjen në ndihmë letërsia, një ‘mikeshë e çmuar’ që mjafton ta kërkojmë  dhe vihet në dispozicionin tonë.

lexoj“Letërsia përfaqëson një nga kundërhelmet më të efektshme kundër ankthit. Për të rifituar harmoninë e brendshme dhe për t’u rigjeneruar mendërisht, sugjeroj lexime të orientuara mbi mendimin pozitiv dhe mirëqenien e personit”, pohon psikologia Mariolina Palumbo për studimin “Kë ndihmon më tepër Terapia e Librit?”

Studiuesit pohojnë se të lexuarit ndihmon pikërishta ata që vijnë nga një vit i ngjeshur me detyrime dhe me kërkesa të shumta nga të tjerët dhe ndaj vetes. Gjithashtu kjo veprimtari është edhe për këdo që ka nevojë të udhëtojë, por që e ka të pamundur (si p.sh. shtëpiaket), libri të nxit fantazinë, të çon në vende të paimagjinuara. Një kategori tjetër që u këshillohen librat, janë të rinjtë dhe fëmijët përtej angazhimeve të shkollës.

Me një libër të mirë nuk ndiheni kurrë të vetmuar. Edhe sipas ekspertëve kjo është mënyra më e thjeshtë dhe më e shëndetshme për të ‘rikarikuar bateritë’ dhe për të larguar momentet e pakëndëshme dhe humorin e keq. Në fund të ditës duhet t’i lejojmë vetes kënaqësinë e ‘përkëdheljes letrare’, duke harruar kështu ritmin e ditës të ngjeshur me angazhime.

E ashtuquajtura “Book Therapy” (Terapia e Librit) është kura që këshillohet nga psikologët kur ndodheni në një gjendje emocionale jo të mirë. Me një libër mëson të udhëtosh me anë të fantazisë, të mbash mendjen të freskët dhe të stërvitur dhe të çlirosh emocionet.

Por kujdes, jo të gjitha tipet e leximeve janë njësoj ‘kurative’. Për t’u ndier mirë është më mirë të lexohen me radhë romanet me aventura, sentimentalë dhe ato me fantazi. Natyrisht, vetëm nëse janë libra cilësorë do të japin efektin e dëshiruar. Kjo është ajo që këshillojnë gjashtë ekspertë në dhjetë në një studim të udhëhequr nga faqja e internetit “Libreriamo” përmes intervistës së 110 psikologëve, sociologëve dhe profesorëve të universitetit. Ata pajtohen njëzëri në faktin se angazhimi në një letërsi cilësore krijon mundësitë për të rifituar humorin e mirë, ndihmon në largimin e mendimeve të këqija dhe stresit të përditshëm dhe në përballimin me sukses të sfidave të vitit që sapo ka nisur.

Në këtë drejtim ata këshillojnë disa gjini romanesh, p.sh., 33% e të pyeturve mendojnë se romanet me aventurë ndikojnë më shumë në humorin e një lexuesi, 28% pohojnë se janë romanet rozë, 20%  këshillojnë ato me fantazi, 19% mbrojnë librat me tematikë mirëqenien dhe 16%  esetë mbi aktualitetin.

Efekti më i shpejtë i një leximi të mirë, në këtë periudhë të veçantë të vitit është orientimi i lexuesit në shijet e duhura letrare e nëpërmjet këtyre edhe në pikëpamjet mbi jetën. Edhe pse mund të shfrytëzohet çdo hapësirë e lirë kohe, koha më e përshtatshme për takimin me një libër të mirë është pasi keni përfunduar darkën, para se të dilni në mbrëmje dhe mbi të gjitha para se të shkoni për të fjetur.

Postime të ngjashme

5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj