LDG dhe Spitali Amerikan, së bashku për mamografi falas

Lidhja Demokratike e Gruas në bashkëpunim me Spitalin Amerikan u angazhuan sot për të mbajtur premtimin e dhënë se këtë muaj mamografia do të jetë falas. Kjo fushatë e shkurtër ishte vazhdim i nismës së qeverisë për të treguar se përballë sëmundjeve dhe përballë figurës së gruas jemi të gjitha bashkë.

E para fjalën në këtë takim e mori kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas dhe njëkohësisht deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, e cila theksoi rëndësinë e bërjes së këtij ekzaminimi, si dhe rëndësinë e shtrirjes së këtij shërbimi edhe në fshatra apo në ato zona ku nuk ka mjekë specialistë apo mamografë në shërbim.

Në këtë takim gjithashtu morën pjesë edhe gra të tjera deputete, si: Mesila Doda, Majlinda Bregu, Jorida Tabaku.

Të gjitha mbajtën nga një fjalë të shkurtër përpara grave të Bathores. Jo për të folur rreth sëmundjes së kancerit të gjirit, por për të dhënë një mesazh sensibilizues. Për të treguar se as ato nuk janë të paprekshme, sikundër për të treguar se edhe ato kanë frikë apo e kanë neglizhuar këtë ekzaminim. Kështu, Majlinda Bregu në një bisedë me gratë u tregoi atyre, me nota humori se dhe ajo vetë këtë shërbim e kishte bërë vetëm para dy javësh.

Për të folur në lidhje me kancerin e gjirit, si dhe për të dëgjuar ankesat e secilit prej banorëve pjesmarrës ishin edhe specialistet e Spitalit Amerikan. Mjekët onkologë të këtij spitali iu ofruan këtyre grave mundësinë për të ndarë me ta problematika shqetësuese jo vetëm në drejtim të kancerit të gjirit. Emiljana Huti, mjeke onkologe, theksoi faktin se kanceri i gjirit është një kancer i shërueshëm dhe se të gjitha gratë duhet të përfitojnë nga kjo ofertë kaq dashamirëse e këtij spitali.

Zonjat që morën pjesë në atë takim, shprehën me zë dhe nën zë të gjitha shqetësimet e tyre. Disa prej tyre kapërcenin edhe qëllimin e atij takimi për të treguar se problemet me të cilat duhet të përballen janë kaq të mëdha, sa të kujdesen për veten nuk kanë as kohë. Përkujdesja për veten kthehet në një luks të tepruar.

“Burri im është invalid. Duke qenë se ai merr pension invaliditeti, na e kanë hequr ndihmën sociale. Rrojmë vetëm me atë pension, ku t’i marr lekët për mamografi”, shprehet nën zë një nga zonjat pjesëmarrëse, e cila është e shqetësuar për shëndetin e saj dhe se ky ekzaminim për të është shumë i rëndësishëm.

Roli i padiskutueshëm i gruas në shoqëri ishte në qendër të fjalës së secilave prej zonjave deputete dhe mjekëve të Spitalit Amerikan. Kjo është një fushatë reale sensibilizuese, dhe jo propagandë, pa premtime, por me veprim dhe shërbim konkret, theksoi në fund të këtij takimi Albana Vokshi.

Postime të ngjashme

“Sterilizimi”/ Shtyhet gjyqi për ish-ministrin Ilir Beqaj, ja kur do të mbahet seanca e radhës
Asambleja e OBSH, ministrja Sala prezanton prioritetet e Shqipërisë në shëndetësi
'Çohu o dreq mos bëj si e sëmurë'/ Infermierja te Psikiatria keqtrajton pacientët, reagon QSUT: Rast i papranueshëm, janë marrë masa për punonjësen
Mashtronin njerëzit me ilaçe false për sëmundje të rënda, goditet rrjeti kriminal që operonte në 15 shtete të Europës
Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj