Ligji i ri për Urdhrin e Psikologut shkel Kushtetutën

Av. Rita Strakosha

Pas një debati të gjatë mes grupeve të interesit, në prill u miratua ligji “Për Urdhrin e Psikologut në Shqipëri” nr.40/2016. Sipas ligjit të ri, neni 7, psikologët duhet “të kenë diplomën e studimeve të larta “Bachelor” dhe “Master shkencor” ose “Master profesional” në psikologji ose ekuivalent me të” , ndryshe nga praktika e deritanishme ku baҫelori mund të ishte nga një fushë e ngjashme.psikolog

Ky ndryshim hyn në fuqi menjëherë, pra kush ka baҫelor në fushë tjetër nuk do i jepet mundësia të hyjë në provim shteti dhe nuk do i njihet masteri. Kështu ligji i jep vetes fuqi prapavepruese, duke zhvlerësuar diploma të rregullta dhe shkelur Kushtetutën. Psikologët me këto diploma kanë investuar vite kohë, përkushtim dhe financa për t’i marrë. Ligjeve u jepen efekte prapavepruese vetëm kur nuk ka mundësi tjetër për të zgjidhur një problem madhor për shoqërinë. Problemi kryesor që kërkon të zgjidhë ligji me këtë ndryshim është cilësia e profesionistëve. Mjeti kryesor që ka shteti për cilësinë e profesionistëve është provimi i shtetit, fuqia prapavepruese nuk ishte e nevojshme. Ҫka fuqia prapavepruese arrin është kufizimi i konkurrencës mes profesionistëve: ca profesionistë heqin nga tregu ca të tjerë. Vetë shteti shqiptar ka lejuar arsimimin në master tjetër nga baҫelori në kontekstin e procesit të Bolonjës. Shqipëria ka marrë përsipër të ndajë arsimin e lartë në 3 nivele: baҫelor, master, doktoraturë, ku baҫelori do të ketë mundësi të ushtrojë profesionin, kurse masteri mund të ndiqet edhe kur baҫelori është në një fushë tjetër të ngjashme. Qëllimi i procesit të Bolonjës është që të rritet mobiliteti gjeografik i profesioneve, por dhe mobiliteti nga njëri profesion tek tjetri. Gjithë vendet e Evropës janë përfshirë në këtë proces. Shqipëria me ligjin e ri të psikologut po bën një hap mbrapa në këtë drejtim.

Mundësimi i ndjekjes së masterit për psikologji pas baçelorit në fusha të tjera është karakteristike për vendet anglisht-folëse si Anglia, SHBA-ja ku ndër psikologët më të mirë kanë ardhur nga fusha të tjera si mjekësia, filozofia, matematika, shkencat sociale etj. Vetë Frojdi, ndër themeluesit e psikologjisë, ka qenë mjek. Fusha të tjera lidhen ngushtë me psikologjinë dhe sjellin perspektiva të reja në të: pedagogjia lidhet me psikologjinë shkollore, ekonomiku me psikologjinë organizative, juridiku me psikologjinë ligjore etj. Mobiliteti mes këtyre profesioneve do të pasuronte profesionin e psikologut dhe do të lehtësonte ushtrimin e tij sidomos në zonat e rurale ku profesioni është pothuaj inekzistent. Dega e psikologjisë është ndër degët më pak të preferuara të studentëve shqiptarë, ku pragu i pikëve për pranimin është nga më të ulëtit. Megjithëse janë diplomuar mbi 1000 psikologë këto 20 vjet, klinikat e psikologëve numërohen me gishta. Duke rritur edhe më shumë kërkesat për profesionin ligji i ri i shton pengesat financiare dhe arsimore për ushtrimin e tij. Problematik do të jetë ligji edhe kur të ekuivalentohen diplomat e huaja, si ato amerikane dhe angleze, ku baҫelori mund të jetë në fushë tjetër, kurse masteri në psikologji.

Me ligjin e ri diploma e baҫelorit në psikologji nuk vlen për ushtrimin e profesionit, diploma e psikologjisë kthehet de fakto në diplomë të integruar, por pa u deklaruar si e tillë nga ligji. Ligji për Arsimin e Lartë i përcakton cilat janë degët me diploma të integruara dhe lejon Këshillin e Ministrave të shpallë diploma të tjera të integruara, ҫka për degën e psikologjisë nuk është bërë.  Sipas komunikimit me një universitet privat, personat me master profesional ose shkencor për psikologji nuk do të kenë mundësi as të regjistrohen në baҫelor për psikologji, për të plotësuar kërkesat e ligjit, sepse nuk lejohet nga shteti. Drafti i ligjit të ri nuk u publikua në faqen e Ministrisë së Mirëqënies Sociale për konsultim me publikun. Megjithë një kërkese për informacion, sipas ligjit për të drejtën e informimit, drafti nuk na u vu në dispozicion nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, me përgjigjen se së shpejti do të bëhet publik, ҫka nuk ndodhi asnjëherë. Pati debat të ashpër mes grupeve të interesit pikërisht për nenet e ligjit që nuk lejojnë ushtrimin e profesionit nga baҫelorë ne fushë tjetër. Fakulteti i Shkencave Sociale propozoi që për personat me baҫelor jo në psikologji të vendoseshin kushte shtesë për eksperiencën e punës, por jo tu hiqej mundësia për tu bërë anëtarë të urdhrit. Ky propozim nuk u mor parasysh.

Sipas neni 23 të ligjit: “Personat, të cilët në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, ushtrojnë profesionin e psikologut dhe kanë përfunduar dy cikle studimi në psikologji, dhe që kanë përvojë 5-vjeçare, pa ndërprerje nga puna, në ushtrimin e profesionit të psikologut, regjistrohen në Urdhrin e Psikologut dhe duhet të kryejnë provimin e shtetit, brenda tre vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.” Kështu psikologët e parë shqiptarë të cilët janë vetëm me mastera në psikologji, sepse këtu nuk ka pasur ende shkollë psikologjie, dhe kanë themeluar departamentet e para të psikologjisë e shkruar librat që mësojnë sot psikologët shqiptarë, do të jenë anëtarë të urdhrit. Përse ligji i diskriminon dhe nuk lejon të punojnë si psikologë edhe personat që janë regjistruar për master në psikologji përpara ligjit dhe i plotësojnë këto kushte në vijimësi? Sepse këto persona nuk kanë pasur mundësi të mbrojnë interesat e tyre kur është diskutuar ligji.

Ky zhvlerësim i menjëhershëm i diplomave master dhe doktoraturë në psikologji kur baҫelori është jo për psikologji, mund të kthehet në preҫedent për zhvlerësimin e diplomave edhe në fusha të tjera. Askush nuk do të ndjehet i sigurt se investimi që kryen në shkollim me kohë dhe financa do t’i njihet nga shteti për të punuar. / https://shendeti.com.al/

 

Postime të ngjashme

Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë
Helmohen 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, reagon AKU
Alarm në Zvicër dhe Francë, identifikohen rastet e para me Hantavirus