Kryefaqja Lajm kryesor Lindja natyrale, avantazhet për shëndetin e nënës dhe foshnjës

Lindja natyrale, avantazhet për shëndetin e nënës dhe foshnjës

0
Shpërndaje

Bisedoi: Denisa Canameti

42% e lindjeve në Maternitetin Koço Gliozheni kryhen me operacion.

Kjo e dhënë e përditësuar sipas burimeve zyrtare në këtë institucion. Një përqindje shumë e lartë, janë urgjenca që vijnë nga rrethet.

Ndërkohë, sipas një të dhëne të hershme në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, 37% e femrave lindin me operacion.

Studimet tregojnë se ka një trefishim të lindjeve me operacion në nivel global, ndërsa ky fenomen është në rritje edhe në Shqipëri. Rezulton se përgjatë vitit 2017, 40% e lindjeve janë kryer me intervent, duke pësuar një rritje me afro 2% krahasuar me një vit më parë. Listën e kryeson Librazhdi, ku 67% grave aty kanë zgjedhur operacionin dhe jo lindjen natyrale pasuar nga Saranda dhe më pas Berati.

Në një intervistë për JoTabu, Dr. Rezart Ajazi, mjek obstetër gjinekolog, flet lidhur me shkaqet që kanë çuar në rritjen e kësaj përqindje, besimet e nënave të reja që lindja me operacion është më e lehtë, si dhe barrën financiare që i shkakton spitalit.

Doktor, sipas të dhënave që raportohen nga Maternitetet, ka një rritje të numrit të lindjeve me operacion. Çfarë ka ndikuar sipas jush, pse gratë po zgjedhin lindjen me operacion?

Edhe në rastet më të selektuara një përqindje e lindjeve shkon me operacion në mënyrë të detyruar dhe kjo mund të lidhet me një përqindje rreth 15% e rasteve. Sepse janë disa patologji që e bëjnë të pamundur mundësinë e lindjes vaginale/lindjes normale. Dhe në këto raste ka disa të tjera që janë në mënyrë të diskutueshme. Mund të shtoj këtu rreth 5% të rasteve të dyshimta. Pra, 20% e lindjeve mund të përfundojnë me operacion si një mënyrë e detyruar për zgjidhje.

Po gjysma tjetër?

Pjesa tjetër, 20% diskutohet sa nga ato mund të quhen abuzive ose të preferuara. Lindje me operacion është një lindje e cila bëhet më e sigurt, sa i përket kohës që ndiqet si rast dhe shpejtësisë së manipulimit. Pra, një lindje normale mund të shkojë në kohë rreth 10 orë e më shumë. Ndjekja e nënës dhe e fëmijës që është duke lindur, për 10 orë, shoqërohet me ankth për dinamikat.

Sepse lindja është dhe një proces dinamik, kurse me operacion kjo kryhet për gjysmë ore – brenda një ore.

A është e vërtetë që është më e lehtë si ndërhyrje? Është më e lehtë të bësh një lindje me operacion?

Lindja me operacion nuk është më e lehtë, lindjet me operacion kanë rreziqet si për çdo operacion.

Cilat janë rreziqet?

Risku kryesor është që nga anestezia, mënyra se si do të ndikojë anestezia në organizmin e pacientes dhe më pas rreziku për hemorragji gjatë ndërhyrjes. Hemorragjia gjatë ndërhyrjes cezariane është dyfishe nga hemorragjia që humb në rrugë vaginale. Gjithashtu, rreziku për infeksionin, apo rreziku për trombozën operatore etj.

Kur nëna e ka më të lehtë që ta marrë vetën? Pas lindjes me operacion apo pas një lindje natyrale?

Periudha pos-operatore ose lehonia pos-operatore është më e vështirë se lehonia kundrejt lindjes vaginale, qëndrimi i detyruar shtrirë, lëvizjet e kujdesshme për të mbrojtur plagën apo rezervimet e lëvizjeve kundrejt dhimbjeve që mund të shkaktohen.

Janë gjitha vështirësi sa i përket edhe lehonisë.

Lindja me operacion, a ka kosto më të lartë qoftë për spitalin apo qoftë për pacienten?

Lindja me operacion ka kosto më të lartë dhe për spitalin dhe për organizmin e nënës. Në lindjen me operacion ka kosto, pasi përfshihen të gjithë elementët që ndërtojnë koston në sallën e operacionit. Kjo kosto është të paktën rreth 30-40% më e lartë në raport me lindjet vaginale.

Lindja vaginale ka avantazhe të shkëlqyera për organizmin e nënës dhe të bebit. Në lindjen vaginale është parë që në momentin e zbritjes dhe të daljes së bebit krijohet shtrydhja e lëngut pulmonar që ka vetë mushkëria e fëmijës së porsalindur në barkun e nënës dhe kjo shtrydhje e ndihmon atë në respiracionin (frymëmarrjen) e parë më shumë për t’u hap mushkëritë. Në lindjet me operacion cezarian kjo nuk ndodh. Gjithashtu, është parë që sasia e hemorragjisë është më e vogël, është parë që tromboza, rreziku i infeksionit e të gjitha këto janë më nominale. Dhe ushqyerja e nënës dhe lëvizshmëria e saj janë shumë normale, direkt pas lindjes natyrale e merr veten shumë më shpejt.

Ju si mjek, çfarë këshilloni?

Unë bëj pjesë tek mjekët klasik në obstetrikë me përqindjen më të vogël të numrit të operacioneve kundrejt lindjeve vetë. Stimuloj lindjen vaginale pasi është mënyra më e mirë për shëndetin e nënës dhe të bebes, sigurisht që kundrejt një monitorimi dhe vendosje të diagnozës në kohë dhe brenda kushteve aktuale që mund të kemi për monitorimin. Pasi monitorimi është shumë i rëndësishëm.

Deri në sa lindje cezariane mund të bëjë nëna, a ka një kufizim?

Një nga avantazhet, që merr prioritet lindja cezariane, është se kohët e fundit është përmirësuar teknologjia operatore, si për teknikët dhe për materialet. Kjo ka bërë që edhe numri i operacioneve të rritet kundrejt mundësive që ofron teknologjia. Pra, deri në tri lindje është rutinë po pretendohet edhe lindja e katërt. Është parë dhe mundësi përtej.

Nëse lindja e parë është bërë cezariane, e dyta a mund të bëhet natyrale?

Nëse lindja e parë bëhet në mënyrë cezariane, e dyta në një ecuri normale mund të bëhet natyrale, por e treta jo. Pra pas dy operacioneve, nuk mundet dot që një lindje e tretë të kryhet normale.

Cilat janë besimet e nënave lidhur me lindjet me operacion, përkundrejt lindjeve natyrale?

Gratë e bëjnë për lehtësi dhe nga ankthi i aktivitetit të lindjes.

Sigurisht që është dhe një pjesë e atyre që mbrojnë anën kozmetike trupore. Domethënë trupi pas lindjes normale mund të ketë disa pasoja të cilët mund të cenojnë deri diku strukturën e organit genital femëror.

Për këtë efekt kozmetik disa mund të kërkojnë dhe zgjedhin lindjen me operacion.

A jemi në një “epokë” të mirë “të lindjes me prerje cezariane”?

Këtu ka diskutime sepse dhe sot nuk flitet vetëm për të pas një fëmijë të lindur apo një numër fëmijësh në familje, po sa i sigurt është ky proces. Domethënë, kërkohet siguria në nivele sa më të mëdha, për të pas në dorë jetën e fëmijës së pacënuar, ku në këtë cenim mund të marrë pjesë edhe aktiviteti i lindjes së pamonitoruar ose problematik.

Krahas kësaj, tek mjekët është edhe presioni ligjor apo situata aktuale ligjore, kundrejt përballjeve me familjarët apo me procedurat ligjore që ndiqen, mjeku është i frustruar deri diku që të mos marrë riskun e madh përsipër. Krahas saj, vlera e punës, është një mundësi ku nuk ka stimul kundrejt raportit 10 orë me 1 orë.

Pra, për të realizuar një lindje normale do të observojmë 10 orë. Kurse operacioni cezarian realizohet brenda një ore.

Ka dhe një pretendim që vjen nga pala tjetër, se mjekët në përgjithësi edhe kur e vlerësojnë që pacienti mund të bëjë një lindje natyrale, janë më të prirur t’i çojnë në operacion, për shkak të këtij raporti që ju po flisni, vlerës që ka…

Marrëdhënia e vlerës, është akoma një marrëdhënie e parregulluar në raport me mundësinë dhe kohën që ne jemi dhe të gjithë këto janë diskutime që mund të jenë ose spontane ose paraprake midis palëve kur njihen dhe kanë besueshmëri reciproke. Por, në planin legal, për mua, do të ishte avantazh stimulimi i lindjes vaginale edhe kundrejt këtyre kushteve, pra një bazë ligjore mbrojtëse më të mirë për mjekun dhe një vlerë pune më të madhe njëkohësisht. Kjo do të ishte e mirë në raport me përqindjen dhe mundësinë që lindja vaginale. Të jetë pak a shumë në ato vlera që thashë 20-25%, kjo do ishte vlera mesatarisht e mirë, e përqindjes së lindjeve me operacion./ JoTabu.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here