Lushnjë, hirra e baxhos rrezikon shëndetin e 4.500 banorëve

Rreth 4.500 banorë të fshatrave Kemishtaj, Mërtisht dhe Goricë në Divjakë vuajnë nga ndotja e ujit të pijshëm, që sjell një baxho e cila ushtron veprimtarinë në zonë prej kohësh.

Hirra e baxhos shkakton ndotje pasi derdhet në kanalin e ujitjes dhe në rrjetin e ujit të pijshëm. Banorët janë ankuar vazhdimisht, por nuk kanë gjetur zgjidhje nga institucionet. Në këto kushte, ata i janë drejtuar emisionit “Fiks Fare”.

“Prej vitesh kjo baxho hedh hirrën në kanalin e ujitjes. Ne jemi ankuar në Bashkinë e Divjakës por nuk kemi gjetur zgjidhje. Po na dëmtohen të mbjellat”, ka thënë një nga banorët për “Fiksin”.

Më problematik banorët kanë shëndetin e tyre, pasi si pasojë e kësaj situate ata preken nga alergjia.

“Kjo hirrë që derdhet këtu më ka dëmtuar shëndetin e fëmijës. Para disa kohësh vajta ta vizitoja dhe më doli vajza alergjike. Doktoresha më tha se e ka nga bulmeti. Por pasi i shpjegova situatën më tha se e ka nga hirra”, është shprehur e shqetësuar një tjetër banore.

Në zonë ndihet era e hirrës së përhapur në mjedis, erë jo fort e këndshme. I pyetur nga gazetarët e “Fiksit”, pronari i baxhos pretendon se është në rregull me dokumentacionin.

“Unë e kam marrë lejen mjedisore. Letrat i kam në rregull. Kam vendosur dy gropa septike. Njëra është jashtë standardeve, por s’ma ka kërkuar njeri, e kam vënë vetë. Ndërsa tjetra i ka standardet ashtu siç mi ka përcaktuar Bashkia e Divjakës”, ka thënë ai.

Por ndryshe nga pretendimet e pronarit shprehet Bashkia e Divjakës. Inspektoriati i Mjedisit në këtë institucion ka deklaruar se nga inspektimet e bëra, baxhoja nuk i plotëson standardet për të vazhduar aktivitetin.

“Ne e kemi inspektuar dy herë dhe është jashtë çdo standardi. Ndot mjedisin dhe dëmton shëndetin e banorëve. Ne madje kemi kërkuar nga Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit që të inspektojnë nga afër situatën. Të gjitha këto i kemi mbajtur në procesverbale”, ka sqaruar inspektori i Mjedisit, Aleksandër Hila për redaksinë e emisionit.

Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe juristi i Bashkisë. Ai ka deklaruar se tashmë çështja është çuar në gjykatë dhe është kjo e fundit që do të vendosë.

“E kemi çuar këtë çështje në gjykatë, kemi bërë kallëzim penal dhe jemi në pritje të vendimit të organeve kompetente”, ka thënë ai.

Postime të ngjashme

Tragjedi në Spitalin e Traumës në Tiranë/ Pacienti hidhet nga kati i tretë dhe humb jetën, policia nis hetimet
Raporti i TFL: Probleme me kostifikimin e shërbimeve dhe raportimin e efektivitetit të shpenzimeve
INSTAT: Bien vizitat për fëmijët dhe nënat në konsultore në 2025! Ja arsyeja
Ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj mbërrin në GJKKO
U plagos me plumb gome në sy gjatë protestës, MSHMS: Erjon Vishkulli kalon me sukses operacionin në Romë
Check-up falas për qytetarët, por sa kushton për buxhetin e shtetit?
Minutat e errësirës dhe paniku për jetën e pacientëve! KLSH zbulon faktin e rëndë, Trauma ka vetëm 1 gjenerator në punë dhe pa servis
U lëndua në sy gjatë protestës në Tiranë, Prokuroria e Tiranës nis hetimin për Erjon Vishkullin