Kryefaqja Aktualitet Lushnjë, “zhduken” magazinat bujqësore me mbetje të rrezikshme pesticidesh

Lushnjë, “zhduken” magazinat bujqësore me mbetje të rrezikshme pesticidesh

0
Shpërndaje
Edmond Hoxhaj
 
Mbetje të rrezikshme pesticidesh, në një sasi të papërcaktuar, që gjendeshin prej dekadash të stokuara në rreth 2000 metra katrorë në magazinat bujqësore Lushnjë, në lagjen “18 Tetori” të këtij qyteti, janë zhdukur pa lënë gjurmë, ndërkohë që institucionet përgjegjëse, si ato të pushtetit qëndror, ashtu edhe ato të qeverisjes lokale, nuk japin informacion për destinacionin e tyre përfundimtar. Ndërkohë që këto mbetje janë vlerësuar se sjellin pasoja negative në mjedis dhe në shëndetin e njerëzve, askush nuk i ka njoftuar banorët e zonës ku gjendeshin magazinat për rrezikun me të cilin përballen çdo ditë, prej vitesh.
Pavarësisht se këto mbetje të rrezikshme të pesticideve janë cilësuar pesë vite më parë si një prej 14 hotspoteve më të rrezikshme në vend, të cilat kërkonin ndërhyrje të menjëhershme për të eleminuar riskun në mjedis dhe në shëndetin e njerëzve, deri tani nuk është ndërhyrë për izolimin, magazinimin apo asgjesimin e tyre, duke bërë që situata të përkeqësohet dhe rreziku pasojave negative të shtohet. Magazinat janë lënë në mëshirë të fatit derisa janë shkatërruar, ndërsa mbetjet e pesticideve janë marrë nga qytetarët e painformuar për rrezikun e tyre dhe janë përhapur në një sipërfaqe me të gjerë.  
 
Rreziku
 
Gazeta “Shëndeti +” ka hulmutuar prej rreth dy muajsh këtë situatë, ndërkohë që institucionet përgjegjëse i hedhin “përgjegjësinë” njëra-tjetrës, pa dhënë një përgjigje konkrete se cili ka qenë destinacioni përfundimtar i mbetjeve pesticide që gjendeshin të stokuara në magazinën bujqësore në Lushnjë, mbetje të trashëguara që para viteve ’90. Për shkak të mungesës së informacionit nga institucionet shtetërore, që duhej të menaxhonin këto mbetje, si edhe nga verifikimi në terren i gazetës “Shëndeti +”, ngrihen dyshime se këto mbetje të rrezikshme tashmë mund të jenë përhapur në nëntokën ku gjendeshin dikur magazinat, duke u bërë edhe më të rrezikshme, pasi është e pamundur të izolohen apo asgjesohen dhe mund të shpërndahen nga shirat apo ujërat nëntokësorë në një sipërfaqe edhe më të madhe të kësaj zone të banuar, në lagjen “18 tetori” të qytetit të Lushnjës. 
 
Hot-spoti
“Projekti i Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara(UNDP) për ‘Idenfikimin e zonave të ndotura më prioritare të Shqipërisë’ ka përcaktuar 14 hot-spotet prioritare që kërkojnë ndërhyrje emergjente për minimizimin e riskut në mjedis dhe shëndetin njerëzor. “Për këto hot-spote prioritare është kryer Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis si dhe Plani i Veprimit për Rehabilitimin nga kompanitë e kontraktuara nga projekti i UNDP”. Kështu citohet në raportin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit të vitit 2014, “Mbetjet”, ku pasqyrohet situata e të gjitha llojeve të mbetjeve në Shqipëri gjatë vitit 2013, ku mes të tjerash, si një nga 14 hostspotet e vlerësuara si më të rrezikshme për shëndetin e njerëzve dhe më emergjente për të ndërhyrë, ishte edhe Magazina Bujqësore-Lushnjë me mbetje pesticidesh, me një sipërfaqe prej 2000 m2.
 
“Zaptimi” i hot-spotit
 
Por, pavarësisht se magazinat bujqësore me mbetje pesticidesh gjendeshin në lagjen “18” Tetori të qytetit të Lushnjës, sot aty është ndërtuar godina e ujësjellësit të qytetit, ndërsa disa prej magazinave të tjera janë kthyer në banesa nga qytetarë të ndryshëm që kanë zgjedhur të jetojnë aty. Të tjerë i përdorin këto magazina për të vendosur bazën ushqimore për bagëtinë, apo i kanë rrethuar duke kultivuar perime në tokat pranë tyre. Pjesa më e madhe e banorëve që jetojnë në ambjentet e disa prej magazinave që egzistojnë ende, ose aty pranë, në kushtet e anonimatit shprehen se dikur aty gjendeshin tonelata mbetje të pesticidive të trashëguara që para viteve ’90 të cilat ose janë marë nga persona të ndryshëm, ose janë përhapur në gjithë terrenin e kësaj zone gjatë shkatërrimit të magazinave dhe godinave të tjera.
 
Verifikimi i situatës aktuale
 
Nisur nga këto fakte, “Shëndeti +” ju drejtua me një kërkesë për informim Bashkisë së Lushnjës, lidhur me situatën aktuale të hot-spotit “magazina bujqësore me mbetje pesticidesh”, si edhe për masat e mara në bashkëpunim me institucionet e tjera kompetente për eleminimin apo izolimin e këtyre mbetjeve.
Në përgjigjen e saj, Bashkia Lushnjë pranoi faktin se kishin të dhëna për stokimin e mbetjeve të pesticideve në këto magazina bujqësore, por shtoi se nga verifikimi i kryer në terren, nuk kanë gjetur diçka të tillë dhe se nuk kishin informacion mbi historikun e mëtejshëm të këtyre mbetjeve. “Nga dokumentet e trashëguara, të shprehura në Vlerësimin Strategjik Mjedisor, pjesë e Planit të Përgjithshëm Vendor, të miratuar me vendim të KKT-së, nr.04, datë 29.12.2016, mbeten të stokuara në magazinë bujqësore një pjesë pesticidesh. Nga inspektimi në terren i rajonit nr.4, ku bënë pjesë dhe lagja ‘18 Tetori’, rezulton se nuk ka magazinë që mbajnë mbetje të pesticideve
dhe nuk kemi informacion mbi historikun e mbetjeve. Për një informacion më të detajuar lutemi ti drejtohemi Agjencisë Kombëtare të Mjedisit”, citohet në përgjigjen e Bashkisë Lushnjë.
 
Pas kësaj përgjigje, më datë 7 Maj, “Shëndeti +” ju drejtua me të njëjtën kërkesë për informim edhe AKM-së, prej nga morëm përgjigje se duhej ti drejtoheshim një institucioni tjetër. “Pasi u mor në shqyrtim kërkesa juaj nga ana e personave përgjegjës, duam t’ju bëjmë me dije që, për çështjet që ju ngrini, duhet t’ia drejtoni kërkesën Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve”, citohej në përgjigjen e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. 
 
“Shëndeti +” i kërkoi informacion edhe Inspektoriatit Qendror, Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve dhe degës rajonale të këtij institucioni në Fier, por sërish në përgjigjen e marë nga ky i fundit më datë 31 maj, thuhej se aktualisht nuk kishin informacion për këtë hotspot. “Për trajtimin e kërkesës tuaj i jemi drejtuar me shkresë zyrtare për informacion të detajuar Bashkisë Lushnjë. Duke qenë se ISHMPU-ja si institucion është krijuar referuar VKM-së nr.46, datë 29.01.2014, nuk disponon asnjë dokument të trashëguar”, shkruhet në përgjigjen e parë të Inspektoriatit Shtetëror  të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave, Dega Rajonale Fier. Me anë të një përgjigje të dytë, ky institucion informoi se Bashkia Lushnjë kishte kthyer të njëjtën përgjigje që i serviri më parë gazetës “Shëndeti +”, ku pasqyrohej fakti se në bazë të dokumentacionit të trashëguar, ‘mbeten të stokuara në magazina bujqësore mbetje pesticidesh’, por se nga inspektimi në terren nuk janë gjetur këto mbetje. Ndërkohë, Inspektoriati Qendror nuk ju përgjigj kërkesës për informim.
Por, pavarësisht këtyre fakteve, sot këto mbetje pesticidesh të rrezikshme për mjedisin dhe shëndetin e njerëzve në qytetin e Lushnjës nuk dihet se ku gjenden, duke e agravuar kështu edhe më shumë situatën, me gjasa që të shfaqin pasojat në të ardhmen, pasi identifikimi, izolimi apo asgjesimi i tyre tani, duket një mision i pamundur për institucionet shtetërore.
 
 
 
 
Banorët: askush nuk na ka njoftuar se mbetjet
e pesticideve na rrezikojnë shëndetin.
 
 
Fakti i konstatuar nga projekti i Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara(UNDP) për “Idenfikimin e zonave të ndotura më prioritare të Shqipërisë”, ku si një ndër 14 hotSpotet prioritare që kërkojnë ndërhyrje emergjente për minimizimin e riskut në mjedis dhe shëndetin njerëzor, cilësohej edhe magazina bujqësore e mbetjeve të pesticideve në qytetin e Lushnjës, pasqyrohet në raportin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe në Vlerësimin Strategjik Mjedisor të Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Lushnjë. Edhe banorët e lagjes “18 Tetori” të Bashkisë Lushnjë disponojnë dhe tregojnë informacion të bollshëm për egzistencën e këtyre mbetjeve, por preferojnë të qëndrojnë anonim. Në kushtet e anonimatit, disa prej banorëve shprehen se këto magazina kanë qenë të mbushura me mbetje pesticidesh, me vegla pune dhe pajisje të tjera të cilat janë granitura herë pas here, derisa më në fund u shkatërruan. Por, një prej banoreve të zonës, pranoi të tregojë për “Shëndeti +” atë çfarë ajo dinte për mbetjet e pesticideve, një realitet mjaft të përafërt me atë çfarë përshkruhet në raportin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
“Atje kanë qenë tre magazina. Ke parasysh atë magazinën që ke parë andej prapa, ka patur pleh, pleh kimik. Që nga ’97-ta që kam ardhur unë këtu, pas ’97-ës këtu ka pasur pleh. Ujësjellësi ka dy tre vjet që është ndërtuar, nuk ka shumë. Nuk ka shumë që është bërë, se çfarë kanë bërë, ata e dinë vetë. Nuk dimë gjë se ku janë pesticidet. Një pjesë i morën njerëzit”, shprehet ajo, duke theksuar se askush nuk i ka njoftuar se këto mbetje u rrezikojnë shëndetin. “Nuk na ka njoftuar njeri që këto mbetje ishin të rrezikshme për shëndetin. Se dimë këtë gjë. E dimë që ka pasur edhe vegla pune, i morën njerëzit kur u hap kjo ’97-ta, këtë dimë ne. Nuk dimë fare që ka pasur mbetje të rrezikshme… . Ja, ju jeni të parët që po na flisni për këtë punë. Nuk ka pasur njoftim, por e dimë që ka patur helme. Para se të ndërtohej ujësjellësi… , ishte magazina, e prishën njerëzit, morën hekurat, pastaj u bë ujësjellësi këtu”, përfundon banorja e lagjes “18 Tetori” Lushnjë, e cila lë të nënkuptohet se magazinat me pesticide janë lënë në mëshirë të fatit duke u bastisur e shkatërruar nga qytetarë të ndryshëm, e duke i hapur kështu rrugën ndërtimit të ujësjellësit të këtij qyteti.  
Ky suplemet u botua në kuadër të projektit “Informim -komunikimi mbi politikat mjedisore, fokusuar mbi mbetjet urbane”, zbatuar nga  Shoqata Together for Life (Rrjeti ECIM) si pjesë e programit Senior Albania mbeshtetur nga REC Shqipëri dhe Embassy of Sweden in Tirana 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here