Manastirliu: Mjekët e familjes i bashkohen luftës kundër COVID-19

“Mjekët e familjes do të ndjekin të gjithë pacientët e konfirmuar me COVID19 që janë në kushte shtëpie me simptoma të lehta apo të moderuara”.

Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu nga Qendra Shëndetësore nr. 5 në Tiranë, e cila tha se tani luftës kundër COVID-19 do t’i bashkohen edhe 1600 mjekët e familjes në të gjithë vendin.

“Kjo është një luftë dhe të gjithë batalionet duhet të jenë në të njejtën vijë të luftës. Ashtu siç janë në vijën e zjarrit mjekët e spitalit Infektiv, mjekët e spitalit “Shefqet Ndroqi”, dhe gjithë sistemi spitalor është në luftë me këtë armik të padukshëm, e njëjta gjë është dhe për mjekët e familjes. Janë 1600 mjekë të familjes të cilët kanë fokusuar forcat e tyre, jo vetëm përsa i përket konsultave online dhe trajtimeve të pacientëve me sëmundje kronike, por gjithashtu dhe asistencës që do t’I japin pacientëve me COVID19 të cilët kanë simptoma të lehta apo të moderuara dhe trajtohen në kushte shtëpie. Ky është një rol që mjeku i familjes ka filluar ta marrë dhe do ta ketë dhe në vijim”, u shpreh Manastirliu.

Duke theksuar se mjeku i familjes do ta ketë në kohe reale informacionin për çdo qytetar të zonës së tij të mbulimit që është i prekur nga COVID-19, Manastirliu tha se në të gjithë vendin mjekët e familjes kanë kryer më shumë se 40 mijë konsulta online.

“Janë më shumë se 40 mijë shërbime nëpërmjet telemjekësisë që janë ofruar për të moshuarit, për të sëmurët kronikë dhe për ata që kanë dashur të konsultohen me mjekun e familjes për një problematikë shëndetësore apo për një tjetër. Dhe telekonsultat janë duke u kryer në të gjitha qendrat shëndetësore dhe janë duke ndihmuar me mijëra qytetarë, sidomos përsa i përket paketës së barnave të rimbursueshme ku më shumë se 28 mijë paketa të barnave të rimbursueshme kanë vajtur në shtëpitë e pensionistëve mbi 65 vjeç”, u shpreh ministrja Manastirliu.

Postime të ngjashme

Dermatologia tregon sekretin sesi të parandaloni rrudhat në zonën e qafës
Biznesi i shëndetit po rritet sërish, gati 130 mln euro në 2025-n për t’u kuruar në spitalet private
A mund të jesh obez pa komplikacione shëndetësore? Ja çfarë thotë mjekja
VIDEO/ A është obeziteti i pashëndetshëm në të njëjtën formë?
A ndihmon uthulla e mollës në dobësim? Ja çfarë thonë studimet
Pediatrja Lira Gjika: Pse nuk duhet ushqyer fëmija pas moshës 2 vjeç
7 shenja që tregojnë se jeni më të zgjuar nga sa mendoni
4 perime vjeshte që luftojnë inflamacionin