Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale Ogerta Manastirliu ka zhvilluar një takim me epidemiologët e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë, duke vlerësuar maksimalisht punën e tyre në terren për gjurmimin e rasteve të dyshuara dhe identifikimin e tyre në kohë.
Gjatë takimit me epidemiologët, Manastirliu tha se pavarësisht lehtësimit me pikatore të masave shtrënguese, duhet te vijojë respektimi i masave te vendosura për të kufizuar shpërndarjen e virusit.
“Sigurisht është bërë një lehtësim shumë me pikatore përsa i përket masave shtrënguese, duke zgjeruar dhe fashën e lëvizjes nga ora 5 e mëngjesit në orën 17:30 të pasdites në një limit prej 90 minutash. Por dua të theksoj edhe njëherë që asgjë nuk ka ndryshuar nga rregullat e mëparshme. Duhet të vijojmë të ruajmë distancimin fizik, duhet të vijojmë që të mbajmë higjienën personale dhe të moshuarit duhet të vijojnë të rrinë në banesë”, tha Manastirliu.


