Manastirliu: Vaksinim në shtëpi për të moshuarit e pamundur, të hënën vijnë mbi 14 mijë vaksina Pfizer

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bashkë me Kryetarin e Grupit Parlamentar të PS kanë inspektuar qendrën e re shëndetësore të Cërrikut, të rehabilituar me standardet më të mira.

“Në kuadër të programit të qeverisë shqiptare për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore edhe kjo qendër shëndetësore tashmë ofron kushte dinjitoze pune për mjekët, për infermierët dhe shërbime cilësore për qytetarët. Unë jam e kënaqur sepse këto kushte të cilat janë përmirësuar, kanë krijuar edhe aksesin për të ofruar jo vetëm shërbimet bazë, por për të krijuar kushtet e mira edhe për programin e vaksinimit”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se do të vijë sërish një dërgesë prej mbi 14 mijë doza të vaksinës Pfizer, teksa vijon vaksinimi i kombinuar i qytetarëve mbi 50 vjeç dhe i të gjithë punonjësve të shërbimeve kritike.

“Ditën e hënë pritet të mbërrijnë rreth 14 mijë vaksina nga Pfizer, duke e çuar në mbi 1 milion vaksinat e mbërritura në Shqipëri dhe tashmë më shumë se 926 mijë vaksina janë kryer në të gjithë vendin. Jam e kënaqur që rrejti i qendrave shëndetësore, infrastruktura që ne kemi ngritur, siguron kushtet edhe për një vaksinimin në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se programi i vaksinimit do të vijojë përgjatë sezonit veror, duke bërë me dije se për ata të moshuar që e kanë të pamundur për të shkuar në qendrat shëndetësore, vaksinimi i tyre të kryhet në kushte shtëpie.

“Ne duhet të vijojmë programin tonë të vaksinimit dhe përgjatë gjithë sezonit veror fokusi do të jetë vijimi dhe intensifikimi i vaksinimit kudo në komunitet, duke siguruar që edhe ata të moshuar që ende nuk e kanë kryer vaksinën, t’i kryhet vaksina në kushte shtëpie, pra për ata që e kanë të pamundur për të ardhur në qendrat shëndetësore apo në qendrat e vaksinimit të përqendruar”, tha Manastirliu.

Qendra e re shëndetësore Cërrik është dhe një nga qendrat me shërbim 24 orë për rreth 46 mijë banorët e kësaj bashkie, e rindërtuar në kuadër të programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore.

Postime të ngjashme

Gjashtë fëmijë të një kopshti përfundojnë në spital në Korçë, dyshohet për helmim
829 raste të reja me kancer gjiri në 2025, ISHP: Ulet vdekshmëria, ja qarqet me incidencën më të lartë
Dërgonin pacientë me kancer në klinikat private, SPAK mbyll hetimet për Onkologjikun
Fruthi rikthehet fuqishëm në SHBA, 5 viktima në Pensilvani/ Mbi 3,650 raste gjatë vitit 2026
Shqipëria zgjeron mbrojtjen ndaj HPV-së, nis edhe vaksinimi kundër gripit sezonal
Rreth 16 milionë kg mish derri nga Brazili, BE e ndaloi, Shqipëria vazhdon të importojë me shumicë
Anulohet tenderi prej 50 milionë eurosh për hemodializën
A do ta shërojë AI kancerin? Ja çfarë thotë shkenca